Regjisorja e filmit “Shokët”: Sukses të këtyre përmasave nuk e mendoja kurrë

Feb 4, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Asnje film me autorësine shqiptare, nuk kishte marrë këto përmasa që mori filmi me metrazh të shkurtër “Shok”. Megjithëse është një bashkëpunim mes Kosovës dhe regjisorit anglez, ngelet sidoqoftë i pari film që nominohet për çmimet më të lakmuara në botë, “Oscar”.

Regjisorja Blerta Basholli
Regjisorja Blerta Basholli

Në këtë intervistë, asistentregjisorja, Blerta Basholli, na tregon se si nisi ky film e ç’rrugë përshkoi për të mbërritur deri këtu. Xhirimet e filmit janë realizuar në muajin nëntor të vitit 2014 në Shalë të Bajgorës. Është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve, të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në role janë Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj…

Si u bëtë pjesë e filmit më të famshëm deri sot, “Shok”?

Ne kemi formuar një ekip shumë të mirë që përbëhet prej asistentit të regjisë, drejtorit të filmit dhe një producent. Si grup punojmë në shumë filma së bashku. Eshref Durmishi e ka parë punën tonë në filma të tjerë dhe na ka kontaktuar që të punojmë së bashku në realizimin e filmit “Shok”.

Si u “ngjiz” ky film, që nga zgjedhja e historisë e deri te realizimi?

Këtë pjesë më mirë di ta tregojë Eshref Durmishi, producenti i filmit, i cili ka takuar regjisorin Jamie Donoghue gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Eshrefi i ka treguar Jamie-t shumë ngjarje të jetës së tij nga lufta e Kosovës, të cilat pastaj Jamie i shndërroi në skenar filmi.

45880_normal

Meqenëse, një pjesë e ekipit ishte e huaj, drejtuesit e kam fjalën, ju ishit ndër ato që e njihnit më mirë realitetin e vendit… A shërbeu kjo që produkti të ishte më “real”…

Nuk mund të them se një pjesë kanë qenë të huaj, kur producenti kryesor është nga Kosova, Eshref Durmishi, skenografja Leonora Mehmeti është nga Kosova, kostumografja Vesa Kraja, drejtori i Filmit, Liridon Cahani, Besnik Krapi, unë dhe asistenti tjetër i regjisë, Valter Lucaj jemi nga Kosova, bashkë me të gjithë aktorët në film. Kështu që mendoj që ka pasur shumë departamente të filmit që janë nga Kosova dhe të gjithë së bashku kanë ndihmuar në formësimin e realitet të asaj kohe në këtë film. Kemi pasur njerëzit më profesionistë të Kosovës në këtë film, prandaj Jamie u ka besuar plotësisht, sidomos kur ka qenë në pyetje realiteti i asaj kohe.

A menduat ndonjëherë, gjatë punës paraprake, se mund të mbërrinit deri këtu?

Nuk mund të mohohet fakti që skenari ka qenë shumë i mirë që nga fillimi, me një ekip dhe kast aq të mirë nuk kemi dyshuar asnjëherë në produktin final, megjithatë për “Oscar”, të them të drejtën, asnjëherë nuk më ka shkuar mendja.

Ju keni përvojat tuaja si regjisore, ndërsa jeni thuajse gjithë kohës me xhirime aktualisht… Për çfarë po punoni?

Unë gjatë gjithë kohës xhiroj edhe filma ku jam vetë regjisore, dhe punoj edhe në filma tjerë. Momentalisht, jam duke zhvilluar një skenar për film të metrazhit të gjatë, që quhet “Zgjoi”, zhvillimi i të cilit është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Këtë film pres ta xhiroj në vitin 2017. Në filma punoj meqenëse e adhuroj filmin dhe puna në sheshxhirim më frymëzon dhe motivon shumë.

 

Nga filmi i nominuar për “Oscar”, “Shokët”
Nga filmi i nominuar për “Oscar”, “Shokët”

A mendoni se lufta në Kosovë ka ende për të zbuluar në filma?

Gjithmonë. Ende nuk janë bërë mjaft filma të suksesshëm për luftën në Kosovë. Mendoj se kemi shumë për të thënë e nuk është thënë as gjysma dhe tregimet tona nuk janë parë as nga çereku i botës. Filma për luftëra të ndryshme bëhen edhe sot pas shumë e shumë vitesh. Shumë prodhues filmash besojnë që sa më shumë vite kalojnë, krijohet një distancë kohore dhe filmat për luftën bëhen më mirë.

Meqenëse ne nuk i njohim aq mirë punët tuaja, na tregoni pak për ato të mëparshmet…

Unë kam punuar në disa filma të shkurtër dhe dokumentarë. Disa prej tyre si skenariste e regjisore janë “Menaxhimi i Mbeturinave në Kosovë”, “Hyrja e trete”, “Ne të tre”, “Lena & Me” etj.. Nga dokumentarët mund të përmend “Historiani”.

A kishit pasur përmasa kaq të mëdha suksesi, sa kjo e përfshirjes në çmimet më të mëdha të filmit?

Filmat e mi kanë marrë pjesë në “Rotterdam Film Festival”, “Sarajevo Film Festival”, “Dokufest”, në “New York International” “Video and Film Festival”, në “Busho Film Festival”, “Toffifest” etj.. Por, natyrisht, përmasat e “Oscar”-it janë shumë më të mëdha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura