Regjisorja e dramës “Gruaja në dritare”, Rovena Lule Kuka: “Drama e parë shqiptare që më tërhoqi vëmendjen”

May 5, 2015 | 11:55
SHPËRNDAJE

Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar nisi një tjetër premierë. “Gruaja në dritare”, drama e shkruar nga Arta Arifi, u vu në skenë nga regjisorja Rovena Lule Kuka. Një pjesë me dialog veprues që në një pikë të papritur ndryshon krejt ritmin. Jo më kot u ngacmua regjisorja, e cila me pjesët shqiptare nuk kishte pasur asnjëherë marrëdhënie.

Yllka Mujo, Karafil Shena dhe Neritan Liçaj, gjatë shfaqjes “Gruaja në dritare”
Ashpërsinë e një femre të fshatrave veriore, të asaj që duhet të jetojë e mbrojë gjithçka e vetme, aktorja Olta Daku di ta përcjellë si të ishte në mendjen e autores së dramës shqiptare, “Gruaja në dritare”, Arta Arifi, ndërsa shkruante pjesën. Regjisorja e dramës që pati mbrëmë premierën në Teatrin Kombëtar, Rovela Lule, parafytyroi pikërisht Oltën në rolin e Marës, qysh pas mendimit të parë që drama mund të vihej në skenë. Veçuam tiparet karakteriale të Marës, sepse është pikërisht ajo që prish atmosferën e ‘festës’ në ëndrrat e Dianës dhe Gjinit. Yllka Mujo dhe Karafil Shena, thurin plane se sa mirë do të jetojnë, pasi të shesin tokat në fshat. Gjermani i pasur ka ardhur të blejë gjithçka, deri te sendet personale të shtëpisë duke e bërë Dianën të gëzojë në fantazitë e dyqanit që do të hapë në qendër të qytetit, sikur t’i ishte bërë realitet. Ardhja e Marës, motrës së Gjinit dhe Markut të zhdukur në qytet, e trazon entuziazmin e çiftit që do të tronditet edhe më nga vijimi i ngjarjeve. Regjisorja u josh pikërisht nga dinamika, kur e lexoi dramën për herë të parë. Deri atëherë, nuk ishte tunduar nga asnjë pjesë shqiptare, as kur ishte studente e Akademisë së Arteve e ca gjëra duhet t’i bënte për detyrë. Prej vitesh e akoma sot, në fakultetin ku u diplomua, Rovena Lule Kuka vijon të jetë pedagoge në lëndën e mjeshtërisë së aktorit. “Gruaja në dritare” është shfaqja e saj e parë në Teatrin Kombëtar pas së cilës, angazhimi si regjisore mundet të pasurohet.
Rovena Lule te filmi “Maya”, si aktorja kryesore
Përveçse është hera juaj e parë në Teatrin Kombëtar, është hera e parë gjithashtu që punoni me një pjesë shqiptare. Si ju ra në dorë?
Po, madje as kur isha studente në Akademinë e Arteve nuk kam punuar me një pjesë shqiptare, asnjëherë nuk jam ngacmuar prej tyre. Edhe këtë herë ishte krejt e rastësishme. Verën e vitit që shkoi, drama e Arta Latifit ishte e përfshirë në leximet e netëve të dramës shqipe, ishte pikërisht ajo që më qëlloi të lexoja. Efekti ishte i menjëhershëm, unë Artën nuk e njihja, por u çudita se si një autore aq e re të shkruajë një tekst aq të mirë, ishte befasuese. Sidoqoftë, nuk u vendos aty gjithçka. Drama e Artës konkurroi mes 8 të tjerave dhe u zgjodh si një nga dy fitueset, bashkë me “Shtëpia pa dritare” e Saimir Gongos.
Pra, ishte pas përzgjedhjes që ju punuat me të?
Po, drejtori i teatrit, Hervin Çuli, më thirri për të më propozuar këtë gjë. Prezantova një version regjisorial të pjesës dhe kështu nisi puna.  
Përveç organizimit të së tërës, a ndryshon sjellja e regjisorit, nga një aktor te tjetri? Ata janë të ndryshëm, por mundet të kenë edhe ca teka që i bën të vështirë për t’u menaxhuar…
Rovena Lule
Patjetër që nuk mund të sillesh njësoj me të gjithë, në kuptimin që, e gjitha është në funksion të diçkaje, por formën e të drejtuarit mund ta personalizosh. Siç ndodh fundja edhe përtej teatrit, ne nuk u drejtohemi të gjithëve njësoj. Për shembull, unë Gert Ferrën e kam pasur student, nuk mund të flas si me të si me Yllkën njësoj. Duhet thënë që menaxhimi i marrëdhënieve është një nga pjesët më të vështira të punës.
Entuziazmi i Teatrit Kombëtar a ju bën të mendoni për një punë pasardhëse apo nuk ka plane të tjera tani përveç “Gruas…”
Gjatë gjithë kohës, regjisori e ka në kokë një projekt, edhe atëherë kur duket krejt larg tij, por tani është ende shpejt. Kjo është një provë shumë e rëndësishme për mua që shpresoj të shkojë mirë. Më vonë, të shohim.
Cilët ishin ata elementë që ju tërhoqën nga vepra e Arta Arifit?
Së pari gjuha në atë pjesë është shumë e mirë, dialogët janë brilantë. Nuk kanë ujëra, por janë tepër veprues.
A është e identifikueshme kjo pjesë, ngjarjet e së cilës ndodhin në Kosovë, prej nga është autorja?
Jo, kjo ngjarje mund të ndodhë kudo, në Shqipëri e jashtë saj. Gjithandej është një grua që ndikon tek i shoqi aq sa ta bëjë të humbasë arsyen e të veprojë edhe kundër njerëzve të familjes së tij, gjakut të tij.
Po por në këtë rast mund të bëhet më e lexueshme vendndodhja për shkak të dialektit?
Jemi përpjekur që ta pastrojmë. Meqenëse Gjini, njëri nga familjarët, është zhvendosur në qytet e po përpiqen të integrohen në ritmin e kërkesat e tij, edhe gjuha u ka ndryshuar. Natyrisht që do ndihet një diferencë mes tij dhe të motrës, Marës, që vazhdon të jetojë në fshat, por as në këtë rast nuk është i fortë.
Përveç angazhimit si pedagoge, cilat kanë qenë disa nga punët tuaja të mëparshme?
Më të fundit, mund t’ju përmend filmin “Maya” me regji të Pluton Vasit, ku kisha rolin kryesor. Kam prezantuar si regjisore në skenë pjesë teatrore me të rinj, por dy pjesët që do veçoja nga angazhimet e mëparshme janë “Perversitet seksual në qytet” dhe “Boston Mariage”, të autorit David Mamet.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura