Regjisorja Driada Dervishi: E vetmja “Rilindje” është rikthimi i publikut në teatër

Nov 27, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ka të ngjarë që asnjëri prej jush, kur shkon të shohë një shfaqe në Teatrin Kombëtar, të mos mendojë as edhe për një minutë se në ç’kushte punojnë aktorët. Lexoni vetëm gëzimin o trishtimin që përcjellin përmes rolit, por asnjëherë ata vetë. Kujt i shkon mendja, për shembull, se nga amortizimi, një pjesë e skenës së Teatrit Kombëtar është e pashfrytëzueshme, për shkak të rrezikut që është për t’u rrë- zuar?! Ja, në këto kushte punojnë. Sigurisht që edhe rrë- zohen, por kjo ndodh gjatë provave.

Regjisorja Driada Dervishi
Regjisorja Driada Dervishi

Regjisorja Driada Dervishi, nuk është pjesë përbërëse e Teatrit Kombëtar, ama ka bashkëpunime të shpeshta me të. Sidoqoftë, kjo nuk është fare arsye për të mos pasur të drejtë të ngresh zërin. Shqetësimi është i të gjithëve, është për të gjithë teatrot në të gjithë Shqipërinë. Pas Teatrit Kombëtar, edhe ai i Durrësit, ku Dervishi punon përditë e që gjithashtu, kohët e fundit, ka qenë i lakuar si asnjëherë, ka një- soj nevojë për ndërhyrje… Kjo është arsyeja pse regjisorja, megjithëse sapo ka fituar çmimin “Kult” si më e mira e vitit, nuk e shijon siç do të donte.

Sapo keni marrë çmimin “Kult” si regjisorja e vitit. Teatri, gjithashtu, duket të jetë në një fazë intensive. A është vërtet kjo një nga kohët më të mira për ju e për teatrin, qoftë ai Kombëtar qoftë i Durrësit, pjesë e të cilit jeni?

Është sigurisht një moment shumë i veçantë, është një vlerësim motivues e sigurisht frymëzim për pjesë të reja. Por ky nuk është një moment i veçantë vetëm për mua. Është një moment i bukur për të gjithë ata që bëjnë teatër. Më në fund, pas një agonie disadekadëshe, salla e teatrit mbushet plot. Madje, për çudi të të gjithë skeptikëve, nga e mërkura në të diel! Fundjavë pas fundjave. Një publik që interesohet për shfaqjet e reja, që pyet si po ju shkojnë provat, që nxiton të marrë një kalendar teatri.

Po, më në fund një kalendar teatri në Teatrin Kombëtar, një kalendar që funksionoi që në vitin e tij të parë, duke bërë kështu optimistë dhe teatrot e rretheve në ndjekjen e kësaj tradite. Rritja e numrit të premierave do të thotë më shumë regjisorë, më shumë aktorë, më shumë skenografë, kostumografë, më shumë konkurrencë, më shumë cilësi, më pak vrasje, më pak injorancë, më pak konflikte në shoqëri. Cilësi në teatër do të thotë kulturë e zhvillim i një kombi.

driada

Pra, e shihni vërtet si kohë të mirë e megjithatë, po të takosh aktorët, nuk duken dhe aq të kënaqur?!

Nuk di, a është tejngopja nga politika që çdo arritje e kthen në spektakël, apo janë spektaklet televizivë në kufijtë e vulgaritet, por është fakt që shfaqjet teatrale po ndiqen nga një publik i gjerë, dhe këtë nuk e ndiej vetëm në Teatrin Kombëtar, por dhe Teatrin e Durrësit, apo të Korçës, dhe uroj edhe në të tjerët! Është një publik që vetëm rritet, që beson tek ajo që ndodh në skenën e një teatri, te magjia e drejtpërdrejtë, tek emocionet që përcjell rituali i një shfaqjeje.

Madje, aq shumë e ndiej këtë, sa them që ndoshta e vetmja Rilindje, në kuptimin e saj zanafillor, është pikërisht te kthimi i publikut në teatër. Ashtu siç ka rilindje dhe te shtimi i numrit të premierave, ndërkohë që fondet vetëm shkurtohen, ashtu siç shtohet numri i aktorëve që nuk dorë- zohen, dhe vendosin të bëjnë një profesion që nuk do t’i bëjë kurrë të pasur, ndërkohë që vendet e punës për artistët janë po ato, të para viteve ’90.

Por te Teatri Kombëtar, nuk janë vetëm aktorët që kanë pa dyshim pakënaqësitë e tyre, nuk është teknika që punon në kushte mesjetare, as drejtori që bën tri punë dhe paguhet për një, as regjisorët që përpiqen të sjellin vlera, nuk është vetëm publiku, por është dhe ndërtesa, është godina që i mbart këto pasuri njerëzore, një godinë që asnjëherë nuk ishte menduar për të qenë një godinë teatri, e që në fakt mbeti e tillë.

A vlen një teatër i mirë, kur ju (u referohem të gjithëve, pavarësisht se ju nuk jeni brenda TK, por keni bashkëpunime të vazhdueshme), gjatë provave, rrezikoni të rrëzoheni?

Kjo është ajo që po thosha. E kuptoj kohën, dhe pse është e pafalshme, kur teatri ishte në udhëkryq, e nuk u bë asnjë investim për një Teatër mirëfilli Kombëtar. E kuptoj që kishte një brez transitiv, që nuk shihte asnjë të ardhme për teatrin, por çfarë ndodh sot? Një godinë që rrënohet çdo orë, dy teatro të tjerë që as ata nuk janë ndërtesa mirëfilli teatrore, por dhe ato që janë ndërtuar si të tilla nëpër rrethe, amortizohen me ditë.

Gjërat në teatër po ndryshojnë për mirë, por kjo jo falë ndonjë politike të qartë për të ardhmen e teatrit në Shqipëri, por vetëm në sajë të përkushtimit të artistëve të mirëfilltë e pasionit të disa njerëzve për të bërë teatër, disa artistëve, që ndoshta në thelb, nuk duan aq shumë teatrin, sa duan vendin e tyre, që përpiqen me çdo kusht që ky vend të ketë një teatër të tijin, një trashëgimi kombëtare, të punojnë fort e bukur, edhe pse pas 40 vjet karriere a më shumë, u del të marrin pension, sa një të katërtën e pagës së pensionit të një ishdeputeti, që nuk është i tillë as për katër vjet të plota.

Më vjen ndër mend Yllka Mujo…

Po, ajo është një rast. Por pyetja që ngrihet, është nëse artistët janë, nëse publiku është, pse nuk mbështetet Teatri Shqiptar? Institucioni teatror, që duhet të jetë një krenari kombëtare, një tempull katarsisi shpirtëror, një vend që ndikon në formimin e krijimin e elitave. Një individ i vetëm apo një grupim, nuk mund të bëjë shumë, nëse i gjithë organizimi nuk është në nivelin duhur, nëse dëshira për ta çuar në nivelin e duhur, nuk ekziston.

Po nëse vendi i shqiptarëve, që prej mijëra vitesh është fqinj me atë të grekëve, trualli ku lindi teatri antik, për nga gërmadhat e moçme teatrore,- siç thotë Kadareja-, është ende sot një nga vendet më të pasura në kontinent e nga ana tjetër, vetë tipologjia e njeriut shqiptar, gjestet, e folura, dëshira për t’u dukur, etja për lavdi, për publik e për duartrokitje, – vazhdon ai – e afrojnë atë më shumë nga teatri se nga realizmi,- pse atëherë nuk investohet për të pasur Shqipëria të paktën një vend kult për teatrin, një vend frymëzimi për qytetarët e saj, një vend krenarie për artistët e saj?

Mundet që, duke parë se ju me kushte e pa kushte ia dilni vetë, të mendojnë se nuk keni nevojë për gjë. Fundja, nuk se e ngrini zërin shpesh… Mund të ngjajë si thirrje ky rast, po aq sa ç’mund të ngjajë si dorëzim…

Jam ndoshta shumë e re për të humbur shpresat te vendi im dhe me këtë i referohem edhe teatrit që është puna ime, e ndoshta shumë e vjetër për të filluar nga e para, por nëse Vanjës së Çehovit i mungon e shkuara dhe është i shqetësuar për të ardhmen, unë mund të them e shkuara nuk më mungon aspak, por e shqetësuar për të ardhmen jam që çke me të! Unë përpiqem të bëj pjesën time, e si unë janë shumë, por jo mjaftueshëm…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura