Regjisorja Blerta Kelmendi: “Buka” risjell Hajrie Rondon në film

Jul 21, 2015 | 10:40
SHPËRNDAJE

Regjisorja Blerta Kelmendi
Regjisorja Blerta Kelmendi
Ke dëshirë të mendosh që ai i mbijetesës ekstreme është një realitet i kapërcyer por lajmet e ditës janë të zonjat të të përmendin në kohë. Babai i fëmijëve, vjedh bukën nga dyqani për të ushqyer fëmijët. Edhe nëse kishe disa dyshime se përzgjedhja e Blerta Kelmendit mund të ishte ca e shkuar në kohë, bindesh që është jo vetëm aktuale, por e pakët për realitetin. Nuk i përket vetëm braktisjes së moshës së tretë; na përfshin të gjithëve. Megjithatë, regjisorja e re, është fokusuar vetëm në kategorinë e të moshuarve. Me një pjesë të shkruar nga autori gjerman Wolfgang Borchert, Kelmendi ka risjellë aktorët e njohur Hajrie Rondo dhe Jorgaq Tushe në filmin me metrazh të shkurtër “Buka”.
Hajrie Rondo, gjatë  xhirimeve të filmit “Buka”
Hajrie Rondo, gjatë
xhirimeve të filmit “Buka”
Doemos që, për Gjermaninë, ngjarjet dhe personazhet janë të vendosura në realitetin e vendit, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Regjisorja që thotë se u tërhoq menjëherë pasi lexoi tregimin për ta tjetërsuar në skenar, nuk e pati njësoj të lehtë për të bindur dy aktorët. “Sapo lexova tregimin “Buka” gjeta menjëherë0 ngjashmërinë me aktualitetin e sotshëm. Megjithëse është temë universale që e gjen në çdo kohë e në çdo vend, këtu te ne përmasat e gjendjes janë ca më të trishtueshme. Ai tregim është shkruar nga autori i njohur gjerman Wolfgang Borchert për gjendjen e Gjermanisë pas luftës së dyte botërore por që ne e hasim ende, edhe në ditët e sotme”.
Në sytë dhe mendjen e regjisores, askush më mirë se Rondo dhe Tushe nuk do t’a personifikonte situatën e të moshuarve që kaq shpesh e harrojmë.
Aktori Jorgaq Tushe
Aktori Jorgaq Tushe
“Hajrie Rondo dhe Jorgaq Tushe janë dy aktor të mëdhenj, dhe natyrisht nuk është e lehtë t’i bindesh kur je studente, qoftë kjo edhe puna që të diplomon si të tillë, por ata e mirëpritën dhe bashkëpunuan për të realizuar filmin”- tregon Blerta. Ndërsa në rastin e dy aktorëve, vështirësia për t’i bindur, nuk ishte thjesht sepse Blerta ishte studente, por se të dy, vinin nga një periudhë shkëputjeje nga sheshxhirimi. Siç shumë prej jush e dijnë tashmë, Rondos, iu desh të shkëputej për pak vite nga profesioni për shkak të problemeve shëndetësore që kaloi. Ca më shumë vite kishin kaluar për aktorin vlonjat Jorgaq Tushe i cili  pas viteve ’90, luan për herë të dytë në një film artistik.

“Në aktivitetin tim si aktor, kam luajtur dhjetë filma artistikë por të gjithë përpara viteve ’90. Por pas këtyre viteve kam qenë 16 vite në emigracion. Ky është filmi im i dytë artistik, ku interpretoj pas rikthimit në Shqipëri. Filmi synon të tërheqë vëmendjen e shikuesit për t’i kushtuar më tepër kohë e dashuri, moshës së tretë. Regjisorja Blerta Kelmendi ka punuar shumë dhe është përpjekur t’a trajtoj me humor ngjarjen e filmit, për të mos e bërë krejt dramatik. Në këtë film jam bashkë me aktoren Hajrie Rondo, me të cilën edhe pse kemi qenë student e jemi diplomuar në të njëjtin vit, në 1972, nuk kishim patur asnjëherë rastin për të luajtur bashkë”- ka thënë Tushe.
Kelmendi vetë, nuk ka ndjerë kurrfarë vështirësie gjatë xhirimit, që të vinte prej shkëputjes së aktorëve, fundja, profesioni i tyre është ai dhe, sado t’i kenë qëndruar larg në kohë të ndryshme, kanë jetuar me të..

Regjisorja, sado që ka përzgjedhur një subjekt konkret e të qartë për filmin e saj, nuk synon të përcjellë mesazhe të mëdha në filmat e saj (ky është i treti ndërsa ka në dorë një tjetër skenar). “Dua vetëm të tregoj realitetin dhe pjesë nga e përditshmja që ndoshta janë të harruara apo i kalojnë tangjent vëmendjes sonë e nuk vihen më re. Kush nga të rinjtë hedh vështrimin në moshën e tretë?! Sa shpesh ndodh kjo? Çfarë ndodh me njerëzit në jetën e tyre jashtë fenomeneve të mëdha? Çfarë ndodh brenda mureve të shtëpisë së çdo familjeje? Ç ’probleme kemi…”-pikëpyetjet që ngre Blerta Kelmendi, ndoshta, brenda nesh, të gjithë dimë t’u përgjigjemi, po t’i merrnim ca kohë vegjetimit…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura