Regjisori: Pse Teatri Kombëtar s’duhet të shembet, është një vend i shenjtë

Apr 11, 2018 | 13:19
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ/ Sot, thuajse 70 vite më vonë, regjisorit Muharrem Fejzo ende i dridhet mjekra kur kujton fëmijërinë e tij në oborrin e Teatrit Kombëtar, duke shitur arançata. Prandaj edhe nuk e ka fare të thjeshtë të të përgjigjet menjëherë, ndonëse është i bindur për përgjigjen, kur e pyet për situatën aktuale të Teatrit Kombëtar.

Muharrem Fejzo
Muharrem Fejzo

Ai nuk e ndan aktorin Sandër Prosi nga Teatri Kombëtar. “Unë tani jam i moshuar, por shkëlqimin e syve të Sandër Prosit dhe shtrëngimin e dorës së tij, kur më përgëzonte tek shisja arançata në oborr të Teatrit Kombëtar, nuk kam për ta harruar kurrë! Ishte inkurajues, i dashur, mbështetës. Ai nuk fliste, por nuk ishte e nevojshme, sepse të gjitha i thanë sytë e tij dhe ai bashkim duarsh”.

A ishte Teatri pjesë e lojërave tuaja të fëmijërisë?

Po, zhvillonim atë që quhej teatri i rrugës, bashkë me miqtë e mi, Skënder Plasari dhe Vera Zheji. Ishim 10-12 vjeç kur vinte e na mbikëqyrte aktori Naim Frashëri, për të na dhënë udhëzimet e rastit. Njësoj si ai, pak më vonë, edhe Sandër Prosi, që nuk do t’i ndahej më asnjëherë, asnjë etape të jetës sime. Por të qëndrojmë te teatri. Duke u rritur, e takova aty sërish, në një situatë tjetër tashmë. Në cilën situatë…

Si u kthyet këtë herë në Teatër?

Si grimier. Unë më herët kam qenë si nëndrejtor i artizanatit, sepse kisha mbaruar për skulpturë. Meqenëse Kristaq Dhamo pas filmit “Tana” do të xhironte filmin “Furtuna”, i nevojiteshin grimierë, që atëherë nuk kishte. Kjo gjë ishte kaq imediate saqë i kërkoi një kushëririt të tij që punonte me mua në artizanat, duke i thënë që të aktivizohet dhe të shkojmë në Kinostudio. Më pas, unë themelova dhe repartin e grimit në Kinostudio. Kjo ka qenë dhe fillesa që unë shkela në profesionin e grimierit dhe më pas të regjisorit. Por unë në truallin e Kinostudios kam shkelur më herët, që në 1952. Duke qenë student i Janaç Paços dhe i të nderuarit Odhise Paskali, ne na aktivizuan në Kinostudio për të ndihmuar në betonimin e monumenteve që janë te ballina e Kinostudios. Më pas, u riaktivizova me anë të Kristaq Dhamos sërish në Kinostudio. Më pas, kam punuar në Teatrin Popullor dhe këtë herë për të grimuar Sandrin dhe shumë të tjerë, në disa shfaqje. Kështu që jeta ime u bë e pazgjidhshme nga ai vend, sepse aty kisha profesorët e mi.

Megjithatë, edhe pse ju e thatë në një mënyrë, duhet t’ju pyes për rrethanat aktuale të Teatrit Kombëtar. Si i keni parë?

Për mua që kam kaluar miturinë time atje, që kam takuar e njohur gjithë njerëzit që kam adhuruar, që kam jetuar me atë skenë, ai vend është i shenjtë. Njësoj keq jam ndjerë edhe me prishjen e Kinostudios, kanë qenë vërtetë momente të vështira për mua. Kemi punuar me këto duar në atë vend. Prandaj, ai teatër duhet të jetë vend pelegrinazhi, duhet të restaurohet patjetër dhe të plotësohen të gjitha nevojat që ka. Përderisa restaurohen e mbahen gjithë ndërtesat e tjera, përse të mos bëhet ai!? Unë e kam në zemër, ç’përgjigje mund të jap, të gjitha që thuhen më duken absurde!

E keni parë projektin që prezantoi Kryeministri?!

I kam ndjekur, megjithëse nuk kam qenë këtu. Prishjen e tij dhe kullat as që mund t’i përfytyroj dot!

vijon …

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura