“Regjisori nga Krimea në grevë urie, u dënua si shembull frike”/ Sot në Marubi, dokumentari për regjisorin e dënuar me 20 vjet burg

Sep 22, 2018 | 22:06
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ E nesërmja është e panjohur për Oleg Sentsov. Prej 14 majit, regjisori ukrainas, i dënuar me 20 vjet burg me akuzën se donte të hidhte në erë monumentin e Leninit, ndodhet në grevë urie. E gjithë bota, jo vetëm kinematografike, është bashkuar në fushatën për lirimin e tij.

Regjisori ukrainas, Askolt Kurov
Regjisori ukrainas, Askolt Kurov

Kësaj fushate i bashkohet edhe Tirana. Sot, në Festivalin e Filmit për të Drejtat e Njeriut, në Akademinë Marubi, do të shfaqet filmi “The Trial, the state of Russia vs Oleg Sentsov” i regjisorit ukrainas Askolt Kurov. Vetë regjisori ndodhet në Tiranë për të sensibilizuar opinionin publik e për t’u bërë pjesë e kësaj fushate të jashtëzakonshme.  Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kurov na njeh me çështjen “Sentsov”, njohjen me regjisorin që ndodhet në burg, sakrificën e tij, pandjeshmërinë e autoriteteve ruse, dokumentarin dhe projektin e ardhshëm, me protagonist, po Oleg Sentsov.

Për të gjithë ata që nuk e njohin, kush është Oleg Sentsov?

Oleg Sentsov është regjisor ukrainas, i cili ka bërë një film artistik, që u shfaq në Festivalin e Filmit në Roterdam në 2012. Është shumë i talentuar. Është një regjisor, i cili e ka ndërtuar vetë veten e tij, pasi nuk ka ndjekur ndonjë shkollë regjie, por e nisi duke shkruar romane, skenare dhe dëshironte t’i futej rrugës së filmit. Kishte klub kompjuterësh, pasi ishte lojtar profesionist i videolojërave, ka fituar shumë kampionate dhe ka përfaqësuar Ukrainën në sportet kibernetike. Kur vendosi të bënte filmin e tij të parë, për të mbledhur para shiti klubin, makinën, gjithçka. Rezultoi një film i suksesshëm dhe nisi të përgatitej për të dytin. Do të ishte një bashkëprodhim mes Ukrainës dhe Gjermanisë, ishin gjetur financimet, kastin dhe sheshxhirimet ishin gati për të nisur filmin, por në atë kohë në Kiev nisi një revolucion, ku ai mori pjesë si një aktivist dhe pasi ish-Presidenti i vendit u arratis nga Ukraina në Rusi, ku kishte mbështetje, Rusia nisi invazionin në Ukrainën lindore, në Krime.

Si u arrestua Olegu?

Olegu ka lindur në Krime, ka jetuar atje, ka punuar atje. Ai është rus, flet rusisht, por duke e konsideruar veten si qytetar ukrainas doli kundër këtij aneksimi. Autoritetet ruse ndaluan të gjitha lëvizjet protestuese dhe Olegu së bashkë me disa të tjerë u arrestua dhe u akuzua për terrorizëm. U akuzua se donte të hidhte në erë monumentin e Leninit në Krime. Ishte kaq absurde. Nuk kishte asnjë provë, vetëm një bombë artizanale e prodhuar nga vetë Shërbimet Sekrete Ruse dhe dëshmia e dy djemve, të cilët thoshin se Olegu ishte lideri i kësaj organizate terroriste. Gjatë gjyqit, njëri prej tyre tërhoqi dëshminë e tij. Bëri një deklaratë që ishte torturuar dhe kërkoi që të fshiheshin të gjitha dëshmitë, sepse nuk ishin të vërteta. Por nuk u bë asnjë hetim. Asgjë nuk ndryshoi, sepse ishte një vendim i marrë qysh më herët. Ishte gjyq spektakël dhe askujt nuk i interesonin provat. Duket si romani i Kafkës, ndaj edhe filmi im titullohet si një nga veprat e tij “The Trial” (“Procesi”).

Pyetja është përse duhej i gjithë ky show? Çfarë e bënte të “rrezikshëm” Olegun për shtetin rus?

Është e kuptueshme, sepse ndoshta ai ishte pjesë e elitës intelektuale në Krime në atë kohë, që protestonte. Ky spektakël shërbente për t’u treguar njerëzve, se nëse ata mund të fusnin në burg një regjisor filmi, ata mund të burgosnin këdo. Askush nuk mund të të mbrojë. Dhe funksionoi. Sepse çështja e Oleg Sentsov është një nga të parat, por janë me dhjetëra rastet e arrestimeve për terrorizëm, ekstremizëm, etj.. Pas kësaj, shumë aktivistë e lanë Krimenë dhe u vendosën në Ukrainë apo diku tjetër, ndërsa ata që mbetën atje, hoqën dorë nga çdo lëvizje, nga çdo protestë, sepse tashmë ishte fare e qartë se si autoritetet e reja ruse, do të trajtonin këdo që do të ngrinte krye.

Paskëtaj erdhi filmi, si arritët ta realizonit? Patët presione nga ana e autoriteteve?

Nuk ka qenë e thjeshtë, sepse protagonisti është pas hekurave dhe është e pamundur ta intervistosh, t’i bësh pyetje dhe të tregosh historinë e tij në kamera. Unë nuk kam pasur asnjë presion, ndonjë telefonatë intimiduese, por të gjithë protagonistët, si të afërmit e Olegut, avokati i tij, ishin gjithë kohës nën vëzhgim, telefonat e tyre ishin nën përgjim dhe shpesh shihnim njerëz që na ndiqnin gjatë takimeve. Dhe shumë nga bisedat tona ishin të sikletshme, pasi mund të thuheshin gjëra që nuk duheshin publikuar. Ishte vështirë, por nuk pata asnjë problem të xhiroja brenda apo gjatë seancave gjyqësore, sepse ishte një spektakël i hapur dhe ata dëshironin që ai të tregohej. Ndaj, edhe nuk ka pasur probleme pas realizimit të tij. Pata premierën në Berlinale, por përgjatë një viti nuk mundëm ta shfaqnim në Rusi. Të gjithë festivalet rusë refuzonin ta fusnin në programet e tyre dhe vetëm vjet në dhjetor, festivali i Filmit të pavarur Dokumentar në Moskë, i cili kishte edicionin e fundit, për shkak të problemeve me Ministrinë e Kulturës, patën kurajën të hapnin edicionin me këtë festival.

Pra filmi është shfaqur në Rusi… Cilat qenë reagimet?

Pasi Olegu u fut në grevë urie, filmi u hodh në “Youtube” në territorin e Rusisë. Reagimet ishin shumë të forta. Të gjitha biletat ishin të shitura dhe salla ishte e tejpopulluar. Shumë njerëz u shokuan, sepse është ndryshe të dish, të dëgjosh, të lexosh për një ngjarje apo për dikë dhe tërësisht ndryshe kur e sheh, shikon familjen, sytë e fëmijëve të tij.. Lidhesh me situatën, me personin… Përmes këtij filmi ne dëshironim të tregonim disa linja: historinë personale të Oleg Sentsov, rastin kaq të komplikuar “kriminal”, gjyqin dhe kontekstin në Ukrainë dhe Krime ku ndodhi e gjithë kjo. Ndaj ishte e vështirë dhe na duhej të ndërtonim një histori universale, për të qenë të kuptueshëm për të gjithë njerëzit, kudo në botë. Do të doja që ky film të bëhej pjesë e fushatës në mbështetje të Oleg Setsov.

Tani, jeta e tij ndodhet në një moment kritik. Përse vendosi Sentsov të hynte në grevë urie? Përse kjo sakrificë?

Të gjithë patëm iluzionin se diçka do të ndodhte. Kishim një iluzion mbi Kupën e Botës. Shpresuam se do të ndodhte e njëjta gjë si në Lojërat Olimpike në Sochi. Përpara Lojërave Olimpike, Putini liroi disa të burgosur politikë dhe ne shpresuam se kjo do të ndodhte sërish. Por asgjë nuk ndodhi. Oleg Sentsov kuptoi se nuk do të dilte dhe nuk dëshironte të vdiste ngadalë në burg. Ai donte ta shtynte këtë situatë, ndaj edhe hyri në grevë urie dhe kërkoi lirimin e të burgosurve politikë. Nuk e llogarit veten. Ai ka që në muajin maj në grevë urie dhe arsyeja pse po mbijeton kaq gjatë është për shkak se pranoi të bëjë disa injeksione, të marrë glukozë dhe disa elementë të tjerë, por shëndeti i tij po përkeqësohet nga dita në ditë. Ndihet shumë i dobët, ka probleme me zemrën dhe trurin, një lloj hipoksie dhe është duke vdekur ngadalë në burg. Autoritetet ruse, thjesht po e injorojnë këtë fakt. Në Ukrainë ne kemi të burgosur politikë dhe Ukraina është gati të bëjë shkëmbime me të burgosurit në Rusi. Janë gati t’i lirojnë të gjithë, por duket sikur Rusia nuk ka ndonjë interes të marrë të burgosurit e vet, sepse negociatat kanë ndalur dhe nuk shohim asnjë rezultat. Asgjë nuk ka ndryshuar.

A nuk ka pasur presion nga autoritetet europiane, nga organizatat për të drejtat e njeriut apo ato artistike?

Deri më tani nuk kemi parë asnjë përfitim. Asnjë lloj proteste nuk bën dobi. Asnjë lloj organizate për të drejtat e njeriut, që është përfshirë në këtë çështje nuk ka bërë punë. Akademia Europiane e Filmit është përfshirë në këtë fushatë mbështetjeje, që nga dita e parë e arrestimit të tij. Shumë regjisorë e artistë europianë e amerikanë kanë dhënë deklarata dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre. Madje Presidenti francez, Emanuel Macron, ka diskutuar mbi këtë çështje me Presidentin Putin gjatë takimit të tyre; Angela Merkel po ashtu… Po edhe shumë të tjerë… Por asgjë nuk ka ndodhur.

Ju e keni takuar në burg…?

E kam takuar në muajin qershor. Isha në burgun e YamaloNenets Autonomous Okrug në Labytnangi, në skajin më verior e polar të Rusisë. Shkova për të takuar avokatin, por fatmirësisht u lejova që të takoj vetë Sentsovin, pa kamera sigurisht. Ishte i dobët, i zverdhur, kishte humbur peshë, por ishte i interesuar për gjithçka që ndodhte në botë, pasi kishte kohë që nuk kishte lajme. Ishte i interesuar për të rejat në botën e filmit, për planet e mia.

Çfarë tha për filmin tuaj?

Ai nuk ka pasur mundësi ta shohë, por shprehu mirënjohjen për filmin dhe mbështetjen. Do të donte të falënderonte personalisht këdo që i është bashkuar fushatës dhe i dërgon letra. Por më tha se nuk do ta shihte kurrë filmin tim, sepse nuk dëshironte të shihte veten në ekran. Mendoj se nuk dëshironte të përjetonte sërish gjyqin.

Sa fëmijë ka?

Ka dy fëmijë, 15 dhe 13 vjeç. Më i vogli është autik. Është shumë i zgjuar, lexon shumë dhe ka një lidhje shumë të ngushtë me Olegun. Kjo është arsyeja pse Olegu është shumë i shqetësuar për të dhe për faktin që ai do të rritet pa të atin.

Mendon se pas gjithë kësaj, artistët në Rusi janë të kërcënuar?

Asnjëherë nuk i dihet. Përgjithësisht ata nuk i prekin artistët. Aktualisht ne kemi një regjisor Kirill Semyonovich Serebrennikov, i cili është në arrest shtëpie, i akuzuar si i përfshirë në një skemë mashtruese financiare. Që, me gjasë, është një tjetër akuzë e rreme. Askush nuk e di, sepse ai nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë deklaratë politike apo qëndrim opozitar ndaj pushtetit. Ndoshta është ndonjë hakmarrje personale e ndonjë autoriteti të lartë. Askush nuk e di pse. Mundet të jetë një tjetër rast për të treguar se askush nuk është i mbrojtur. Për të frikësuar njerëzit e thjeshtë. Sepse këto sisteme ngrenë pushtete mbi frikën e njerëzve. Dhe fjala e fundit në filmin e Sentsovit është: Duhet të mësoni të mos kini frikë!

A do të vazhdojë filmi të shfaqet në vende të tjera?

Do kisha dashur të shkoja kudo, por e kam të pamundur. Do të filloj një film tjetër. Gjithnjë më pyesin nëse do të bëj një film tjetër mbi Olegun dhe gjithnjë kam thënë jo, sepse një film është mjaftueshëm. Por, në fakt, filmi i radhës do të jetë sërish për Oleg Sentsov. Sepse miqtë e tij në Ukrainë, producentë do të realizojnë një film mbi një dramë të tijën, titulluar “Numrat”, ku personazhet nuk kanë emra, por numra dhe jetojnë në një hapësirë abstrakte. Është shumë interesant. Producentët dëshirojnë që vetë Olegu ta drejtojë këtë film nga burgu. Është çmenduri dhe shumë e vështirë për t’u realizuar, por ai ka pranuar. Është përfshirë në këtë punë. Ka shkruar shënime për skenarin, për kastin e aktorëve.

Ai vazhdon të punojë edhe në këto kushte?

Ndihet shumë i sëmurë, por punon gjithë kohës. Ka punuar mbi të tjera skenare. Ka shkruar romane, tregime dhe ka një korrespondencë shumë të gjerë. Njerëzit nga e gjithë bota i dërgojnë letra dhe ai u përgjigjet të gjithëve. Është gjithnjë i zënë, por situata e tij tashmë është në rrezik. Mund të vdesë nga momenti në moment. Askush nuk e di të nesërmen.

Është i vendosur t’i shkojë deri në fund?

Po, ka vendosur t’i shkojë gjërave deri në fund. Ai nuk është vetëvrasës. Ai do të jetojë, por është në karakterin e tij që kur merr një vendim, nuk e prapëson asnjë gjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura