Regjisori nga Kosova ngjit “Frankeshtajnin” në skenën e Teatrit Kombëtar

Apr 11, 2018 | 13:29
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Dikur mjeshtërit e mëdhenj ishin në kërkim të pavdekë- sisë e të fuqisë së përjetshme; të kishe të tilla synime, do të thoshte të zije me dorë erën, gjë që s’bëhej, por, përsëri, ato në thelb ishin të madhërishme; ndërsa tani skena e botës kishte ndryshuar.

bokshi

Ambiciet e kërkuesve kufizoheshin në asgjësimin e synimeve, mbi të cilat ngrihej interesimi im i gjallë për shkencën. Tani më kishin vënë si detyrë t’i këmbeja pjellat e fantazisë, që viheshin me madhështi të pafundme, me ca të vërteta banale, pa pikë vlere”. Kështu do të reflektonte doktor Frankeshtajn, një dashurues i shkencës, kërkues i ilaçit të pavdekësisë, rob i manive dhe kryelartësisë së tij…

Një vepër jo e zakontë për skenën e Teatrit Kombëtar do të ketë premierën në datën 13 prill. Ndonëse Teatri Kombëtar, prej më shumë se dy muajsh është në qendrën e vëmendjes së të gjithëve, për shkak të debatit mbi ruajtjen apo shembjen e godinës së tij, aktorët dhe regjisorët vazhdojnë punën, pavarësisht një situate aspak të zakonshme dhe të nderë, që ndikon pa dyshim në përditshmërinë e tyre.

bokshi1

Në një situatë thuajse surreale vjen historia e një krijuesi dhe një krijese. Bëhet fjalë për “Frankeshtajn”, një përshtatje e romanit të Mary Shelley-t nga Tim Kelly, fabulën e të cilit shumëkush mund ta dijë, mund ta ketë parë të ekranizuar në një film, por nuk e ka parë më herët në skenën e teatrit. Regjisori nga Kosova, Ilir Bokshi, ka guxuar të sfidojë veten, por edhe të gjithë ata që diku, dikur, në skenat e botës, kanë provuar të dramatizojnë veprën e Shelley-t.

Pas një eksperience për t’u mbajtur mend me “Edipin mbret”, Bokshi hidhet nga antikiteti në një vepër të shkruar në shek. XIX, konsideruar si një “Promete modern”. “Frankeshtajn” është dëshira e njeriut për të sfiduar ligjet e natyrës, për të sfiduar vdekjen, për të arritur të paarritshmen dhe të ndaluarën. Bokshi shfrytëzon të gjithë elementët e mundshëm për të sjellë në jetë krijesën e tij-vepër, por edhe krijesën e frikshme nga laboratorët e Frankeshtajnit.

Përveç lojës së aktorëve ai shfrytëzon efekte audio-vizuale, speciale, për të përcjellë te publiku ndjesinë e krijimit. Sa i takon kastit të aktorëve, Bokshi përzgjedh me kujdes mes atyre që ai ka punuar më herët. Kështu, ai rikthen në trupën e tij aktorët Helidon Fino, Yllka Mujo, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, duke i shtuar edhe aktorë të tjerë si Besmir Bitraku, Klea Huta, Gent Hazizi apo Niada Saliasi. Sa i takon bashkëpunëtorëve të tjerë, ai preferon t’i “sjellë” me vete nga Kosova. Ashtu si edhe tek “Edipi”, u beson sërish Petrit Bakallit në skenografi e kostumografes Vesë Kraja.

Muzika mban firmën e Art Lokajt, ndërsa maskat, një element, që nuk do t’i mungojë veprës, janë realizuar nga Jacopo Tomassini. VEPRA I dramatizuar nga romani i Mary Shelley-t, adaptimi i Tim Kelly-t qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike, sepse ndërkohë që i qëndron besnik romanit origjinal, vepra vjen në një zhanër plotësisht të veçantë, ku komikja dhe tragjikja janë të ndërthurura mjeshtërisht. Viktor Frankenshtajn është një njeri i konsumuar nga pasioni i tij për shkencën.

Projekti i tij jetësor bëhet zbulimi i sekretit të krijimit: si lind jeta brenda një trupi? Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një mënyrë për të kthyer në jetë indet e njeriut të vdekur. Duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij eksperimental, ai sjell në jetë një krijesë të njohur për shumë prej nesh si “Mostra e Frankenshtajnit”.Pjesa gërsheton elementë melodramatikë me ngjyrime gotike, ku tragjedia e një njeriu bëhet vet kryelartësia e tij. Natyrisht, pjesa përmban edhe elementë fantastiko-shkencorë dhe thriller. Me skena të shkëlqyera dhe situata komike, ky version i dramatizimit i përrallës klasike nga Tim Kelly, është provokues dhe shumë zbavitës.

Sipas Leah D. Frank – New York Times “Që kur Mary Shelley e shkroi novelën e saj të shkëlqyer “Frankenstein”, “krijesa” e saj e vuajtur gjatë ka qenë subjekt i së paku dhjetëra filmave e gjithashtu, teatri zyrtar është përpjekur të eksplorojë me këtë ‘përbindësh; në çdo gjë, që nga prodhimi avantguard i Living Theatre të Julian Beck dhe Judith Malina, deri te muzikali rok “The Rocky Horror Shoë”. Problemi me shumicën e dramaturgëve është se ata e kthejnë romanin serioz të Mary Shelley-t në diçka qesharake, por jo domosdoshmërisht komike.

Rrjedhimisht, kur audienca sheh adaptimin e dramaturgut Tim Kelly të “Frankenstein”, provojnë një argëtim shumë më të avancuar nga të tjerët. Tim Kelly është mjeshtër i shkëlqyer i skenës. Ndonëse përshtatja e tij e “Frankenstein” përshkon mbi hulumtime të thella psikologjike dhe filozofike të romanit të Shelley-t, ajo prapë është një rirrëfim i novelës klasike, i drejtuar nga një sens i shëndoshë teknik i asaj që funksionon mirë në skenën e teatrit”. Kjo është edhe arsyeja pse Bokshi ka zgjedhur këtë variant për ta ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura