Regjisori i njohur rendit 17 dështimet e Hervin Çulit: Bëri poshtërsi me heqjen e shpërblimeve

Apr 24, 2018 | 8:34
SHPËRNDAJE

Regjisori i njohur, Kastriot Çipi rendit permes nje analize te botuar ne Panorama 17 deshtimet e Hervin Çulit, drejtorit te porsazgjedhur per nje mandat te dyte te Teatrit Kombetar.

Duke iu referuar deklaratave te Çulit se ne kater vitet e para shenoi 17 arritje dhe premtoi 17 arritje per kater vitet e dyta te drejtimit te Teatrit, Çuli shkruan se ne fakt Çuli ka 17 deshtime.

KASTRIOT ÇIPI

Në intervistën e parë, pas rikonfirmimit si drejtor i Teatrit Kombëtar (TK) dhënë për gazetën Panorama (http:// www.panorama.com.al/shembja-e-teatrit-ka-kercenuar-aktoret-me-vendin-e-punes-flet-hervin-culi-sjellje-rrugacerore/ ) z. Çuli thotë se ka fituar konkursin me një platformë që ishte vazhdimësi e asaj të katër viteve më parë. “Platforma ndahet në dy kapituj: 17 arritjet e institucionit në 4 vjet dhe 17 premtimet për 4-vjeçarin në vijim”, thotë ai.

Kastriot Çipi
Kastriot Çipi

Ashtu si ministrja Kumbaro, që shprehej gjatë mandatit të parë se katër vjet janë shumë pak për të arritur ndryshimin e duhur në art e kulturë, Çuli na thotë tani se i duhen edhe këto katër vjet për të arritur “reformimin rrënjësor të TK”. Vetëm se si Kumbaro, si Çuli, nuk nisën ndonjë reformë në katërvjeçarin e parë, që të mund ta përfundojnë në të dytin.

17 arritje! Hm…! Shifër fantastike! Asnjë drejtor nuk është mburrur ndonjëherë kaq shumë. Por për çfarë ta ketë fjalën vallë? Le të mundohemi të bëjmë një listë dështimesh, nisur nga platforma e parë e Çulit. Meqenëse janë më shumë se 17, po i rigrupoj sipas kriterit tematik. Citimet brenda thonjëzave janë të autorit. Me italike të theksuara janë komentet e mia.

1. Ngrohja e sallës me kondicionerë, të cilët madje zotohej se do t’ia falnin biznesmenë privatë. Rindërtimi i gardërobës për shikuesit në hollin e dytë. Rindërtimi i tualeteve dhe pajisja me ujë të ngrohtë e dushe. Edhe ky investim do të ishte donacion i biznesit privat (faqe 5-6). Asnjëra nga këto nuk ndodhi. Skanim i gjendjes së ndërtesës dhe kthimi brenda gjashtë muajsh i TK-së në një “institucion bashkëkohor me të gjitha kushtet e nevojshme për një funksionim normal të punës dhe të shfaqjeve” (faqe 6). As meremetime nuk u bënë dhe sot gjendja është më e keqe se katër vjet më parë, siç e pohon vetë Çuli.

2. Baza e të dhënave të aktorëve dhe regjisorëve shqiptarë (faqe 12) dhe autorëve të huaj (faqe 20), si edhe biblioteka e veprave bashkëkohore. (faqe 53) Thjesht nuk u bënë.

3. “Përzgjedhja e veprave do jetë produkt i një strategjie të paracaktuar për çdo sezon artistik”.(faqe 19) Kurrë nuk pati një strategji të shpallur.

4. “Drama shqipe do të jetë themeli i repertorit të TK-së. TK do nxjerrë nga fondi i artë i dramës shqipe veprat më të bukura dhe do t’i inskenojë nën një këndvështrim bashkëkohor”. (faqe 20) Vetëm 3 nga 17 premierat ishin drama shqipe, asnjëra prej tyre nga fondi i artë.

5. “TK do lidhë kontrata të rregullta me punëmarrësit, kontrata që sigurojnë funksionimin normal të repertorit”. (faqe 22) Diskriminimi i aktorëve “të jashtëm” vazhdon njësoj. “Absolutisht nuk lejohet punësimi në institucione skenike konkurruese, private apo publike” (faqe 12). “Asnjë aktor i TK-së nuk ka të drejtë të impenjohet në një institucion tjetër privat ose publik të artit skenik për aq kohë sa zgjat kontrata me institucionin qendror”. (faqe 22) Aktorët e TK-së kanë vazhduar të luajnë privatisht në skenën e TK-së njësoj si më parë. “TK do të ndërtojë një marrëdhënie kontraktuese 1 (një) sezonale për aktorët me një normë bazë shfaqjesh në muaj. Në rastin kur numri i shfaqjeve normë për çdo kategori dhe nivel page tejkalohet për interesat e repertorit, aktori fiton bonuset e fundvitit.” (faqe 41-42) Ata të nënës ruajtën e morën rrogën edhe pa plotësuar normën, ndërsa ata të njerkës nuk morën bonus, megjithëse e tejkaluan normën.

hervin culi

6. “Do zhvillohen turne për të gjitha shfaqjet e repertorit të TK” (faqe 23) Zero turne në katër vjet.

7. “TK do krijojë trekëndëshin kombëtar të teatrit: Tiranë- Prishtinë-Shkup” (faqe 23) Çfarë shakaje!

8. Muaji qershor dhe shtator… do të shpallen: “Ditët e kompanive private në TK”. (faqe 23) Shfaqjet private janë lejuar gjatë gjithë vitit, madje edhe katër muaj rresht, si në fillimin e këtij sezoni, kur TK nuk dha asnjë premierë të vetën.

9. “Teatri Kombëtar do të rikthejë traditën e shkëlqyer të dublimit. Të gjithë aktorët do kenë më shumë se një rol në repertorin e TK-së gjatë sezonit”. (faqe 25) Kjo varet nga marrëdhënia e tyre me drejtorin, sepse është ai që lidh kontratën.

10. “TK organizon takimin ‘Dhjetori i Teatrit Shqiptar’”. “Ministria e Kulturës dhe TK organizojnë ndarjen e çmimeve të fundvitit për krijuesit e artit skenik”. (faqe 26) Ta ketë fajin Ministria vallë?

11. “Forum online për diskutimin e shfaqjeve, (faqe 46) libër përshtypjesh dhe votim nga 300 anëtarët e Klubit ‘Miqtë e Teatrit’” (faqe 48) Fjalë dhe vetëm fjalë…

12. “Çmime fleksibël të biletave në bazë të planimetrisë së sallës, pas 10 apo 20 shfaqjeve. Sistem abonimesh. ‘Karta speciale e teatrit’ për zbritje çmimi të biletës në masën 50%”. (faqe 47) Të tjera fjalë…

13. “TK do ketë një performim me maska në ambientet publike për çdo premierë.” (faqe 47) “TK do organizojë “E hëna e teatrit në televizion”. (faqe 48) Dhe prapë fjalë…

14. “Teatri Kombëtar do rikrijojë lidhjen organike me Fakultetin e Artit Skenik pranë Universitetit të Arteve.”(faqe 51) Asnjë marrëdhënie bashkëpunimi nuk ka.

15. “TK do organizojë shfaqjet e paradites, të shtunën dhe të dielën, në orën 11:00.” (faqe 51) Asnjë shfaqje paradite në katër vjet.

16. “TK pas 2 vjetësh do jetë pjesëmarrës në festivalet e kategorisë A në Europë. Teatri Kombëtar do jetë një laborator për bashkëpunime ndërkombëtare.” (faqe 53) Ndoshta do të ndodhë në katërvjeçarin e dytë.

17. “Nën drejtimin tim, Teatri Kombëtar do largojë një herë e mirë politikën e territ informativ nga institucioni qendror i artit skenik.” (faqe 54) Terri informativ filloi të nesërmen e emërimit. Çuli nuk bëri kurrë publike as platformën e tij.

Sidoqoftë, Çuli i ka mbajtur disa premtime, por për to ai nuk do të dëshironte të flitej. P.sh. Çuli ka premtuar dhe ka realizuar përfshirjen e drejtorit në çdo vendimmarrje artistike, ndërkohë që kjo bie ndesh me Ligjin për Artin dhe Kulturën, që ia jep këto të drejta vetëm Bordit Artistik. Sipas ligjit, drejtori i Teatrit nuk është as anëtar i Bordit.

Së dyti, në kundërshtim me Kodin e Punës, Çuli ka premtuar dhe lidhur kontrata pa afat me aktorët mbi 55 vjeç, duke u nisur nga mosha dhe jo nga vjetërsia në punë dhe duke diskriminuar kështu të gjithë artistët nën 55 vjeç, pra, shumicën. Por premtimi më i rëndësishëm i mbajtur nga Çuli është ai i faqes 22: “Do të eliminohet shpërblimi artistik si bonus shtesë për çdo premierë”! E shkruar e zeza mbi të bardhë, madje me shkronja të theksuara! Prej katër vjetësh, Çuli dhe Kumbaro gënjejnë publikisht se këto shpërblime i ka hequr ish-ministri Aldo Bumçi.

Leximi i platformës së Çulit zbulon se kjo na paskësh qenë kërkesë e Çulit, e miratuar nga Kumbaro dhe, me shumë gjasë, një pikë shumë e fortë në zgjedhjen e platformës së tij. Përveçse poshtërsi, kjo është edhe shkelje e Ligjit për Artin dhe Kulturën (Neni 11, paragrafi ç), që jo vetëm nuk i ndalon këto shpërblime, por ia njeh të drejtën ekskluzive të caktimit të tyre Bordit Artistik. Por atëherë pse Ministria e Kulturës vendosi t’ia rinovojë mandatin Çulit? Sepse Çuli është tip fleksibël, madje aq fleksibël sa mund të mblidhet si kërmilli në guaskën e vet.

Nuk është e rastit që Rama zgjodhi Çulin qysh herën e parë, më 2014-n. Ashtu si Xhevdet Ferri (ish-deputet i PD) më 1999- n, edhe Çuli (ish-regjisor i fushatave zgjedhore të PD) vinte në krye të Teatrit Kombëtar si njeriu më i përshtatshëm për të përgatitur shembjen e tij. Nuk është e rastit që asnjë drejtor tjetër i TK-së (nga viti 1990 e deri më sot, TK e kanë drejtuar edhe P. Mani, Dh. Pecani, R. Ndrenika, A. Kristofori, N. Alibali, Dh. Xhuvani, G. Kame, T. Ujka, A. Qirjaqi, K. Londo, A. Bora e K. Skrami) nuk ka qenë pro shembjes. Vetëm dy nga katërmbëdhjetë drejtorë, të dy të zgjedhur nga Rama, kanë qenë pro shembjes.

Në programin zgjedhor të vitit 2013, PS premtoi rikonstruksionin e plotë të TK-së. Çuli u emërua në janar 2014 dhe në prill të po atij viti, së bashku me ministren Kumbaro dhe drejtoren e IMK Dollani, deklaruan në emisionin “Shqip” në Top Channel se ndërtesa ishte e rrezikshme për jetën e artistëve dhe publikut dhe rikonstruksioni do të bëhej me urgjencë. Ndërsa sot, Çuli thotë se na paska thënë qysh atëherë se është për një teatër të ri, pra, për zhdukjen e teatrit të vjetër, por nuk na sqaron pse gjatë këtyre katër viteve nuk u bë as studimi i fizibilitetit, as projekti i rikontruksionit, madje as projekti i teatrit të ri?

Çuli thotë në intervistën e tij “Më duket shumë i vështirë rikonstruksioni… sepse degradimi i sallës aktuale të TK është i jashtëzakonshëm… me një lagështirë të tmerrshme”, por nuk na thotë se pse nuk i ka bërë në katër vitet e kaluar dhe pse nuk fillon t’i bëjë sot ato që i kërkon raporti i Institutit të Ndërtimit: sistemimin e ujërave të shiut dhe meremetimet e suvasë? Sidoqoftë, Çuli bën një zbythje kur pohon se asnjë ekspertizë institucionale nuk e ka provuar se ndërtesa është e rrezikshme. Më tej në intervistë, Çuli tregon se ka ndryshuar qëndrim ndaj ndërtesës.

Në vitin 2002, kur ishte regjisor i fushatave të PD, Çuli nënshkroi peticionin për shpalljen e ndërtesës monument kulture. Ndërsa sot, kur ndërtesa është 16 vjet më e vjetër, pra, edhe më e vlefshme si monument kulture, Çuli ka rilindur dhe ky i rilinduri nuk është shumë i bindur se “sa kjo skenë është një aset i rëndësishëm i historisë dhe trashëgimisë kulturore”. Ndoshta kjo sqaron pse në faqen e Teatrit Kombëtar në internet sot nuk ka asnjë gjurmë të asaj që ka ndodhur para se ky institucion të binte në dorën e Çulit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura