Regjisori dorëzon skicat e “Pritës”: Film reaksionar, lë komisarin në hije

Jun 16, 2017 | 13:24
SHPËRNDAJE

“Kam qenë i marrosur pas punës”, thotë Mit’hat Fagu. Dhe kur e thotë këtë, e ka me gjithë mend.

Do të mjaftonte një sy i shpejtë mbi qindra skica e shënime që ka mbajtur gjatë karrierës së tij prej regjisori, skenaristi, por edhe studiuesi. Dje, regjisori Mit’hat Fagu vendosi t’i dorëzojë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit një pasuri me vlera të jashtëzakonshme arkivore dhe profesionale.

kulturzjpg

“Janë materiale të rralla nga puna e vet kërkimore për realizimin e filmave të tij artistikë e dokumentarë, bocete të afishes së filmit ‘Prita’, skica dhe zbërthime skenarësh nga detyrat e kursit për regjisor, pranë institutit VGIK në Moskë dhe shumë materiale të tjera, të vlefshme për studiuesit që plotësojnë profilin e Fagut si artist”, njofton AQSHF, duke shfrytëzuar shembullin e Fagut, për t’u bërë thirrje të gjithë kineastëve të dorëzojnë pranë AQSHF-së arkivat e tyre personale për pasurimin e bibliotekës, fototekës dhe vënien në shërbim të studiuesve dhe publikut. ARKIVI Arkivi personal i Mit’hat Fagut është i një rëndësie të veçantë për të treguar punën e një kineasti.

Janë mbi 250 faqe shënime e skica, që nga koha e studimeve në Moskë, te filmat që realizoi në Kinostudio. Kur e pyet se si i “bëri zemra” të ndahej nga disa prej dëshmive të punës së tij, Fagu thotë se me këtë akt dëshiron të lërë një gjurmë, t’u tregojë të rinjve se në Shqipëri është punuar, pavarësisht kushteve.

Specialistët e AQSHF-së do të vlerësonin skrupolozitetin e punës së regjisorit, për vë- mendjen që i ka kushtuar çdo detaji, por edhe për ruajtjen e këtyre materialeve me vlerë. Pjesë e arkivit të dorëzuar janë edhe letërkëmbime të regjisorit.

Janë letra drejtuar instancave të larta për shqetësime profesionale apo mosvlerësime. Po ashtu regjisori ka zbardhur edhe diskutimet, debatet që u bënë nga kolegë të tij kineastë dhe intervistues pas shfaqjes së filmit të tij dokumentar “Në shtigjet e zhvillimit teknikoshkencor”.

Një film, i cili jo vetëm u ndalua të shfaqej, por i solli jo pak andralla regjisorit. Pas orësh të gjata diskutimesh, Fagu do të çohej për t’u “korrigjuar” në fermën e Kamzës, ku punoi si traktorist. Duhet të kalonin vite që ai të kthehej sërish në Kinostudio, po jo më te sektori i filmit artistik apo dokumentar, por tek ai i animuar.

Regjisori Mit’hat Fagu
Regjisori Mit’hat Fagu

“Nuk e di pse gjithmonë kam ngjallur reaksion”, thotë Fagu, i cili për shkak të karakterit të tij të drejtpërdrejtë, do ta pësonte, duke e detyruar ta ndërpresë jetën artistike në mes. Ndër filmat dokumentarë që mbajnë emrin e tij janë “Tregim për naftëtarët” (1965), “Mali na thërret” (1966), “Ata çanë Malin” (1970), “Higjenë, higjienë” (1971), “Dhuruesit e Jetës” (1971) etj. Në vitin 1968 xhiroi filmin e parë artistik “Prita”. Pas rikthimit në Kinostudio, në vitin 1985, realizoi katër filma si piktor dhe regjisor: “Orët e Gentit” dhe “Të mëdha dhe të vogla” (1986), “Vizatim për një zog” (1989), “Kush qesh i fundit” (1991).

“PRITA” Ndër fletët e dorëzuara një vend të veçantë zë përgatitja për filmin “Prita”. Një prodhim i vitit 1968, me regji të Mit’hat Fagut, skenar të Xhevat Alibalit, muzikë të Pjetër Gacit, ku interpretojnë aktorë si Ndrek Luca, Fitim Makashi, Teuta Rino, Frederik Fistani, Sulejman Dibra, Enver Dauti etj.

Janë dhjetëra skica personazhesh, objektesh, harta të vendosjeve të skenave, të kamerave, personazheve etj. “Është një film që më ka lodhur, pasi ka skena masive. Kinostudioja e kishte të vështirë ta përballonte, ndaj m’u desh të hartoja një plan të detajuar pune, për vendosjen e kamerave, kolonave, personazheve, Sulos etj.

Është një film për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe filma të tillë vetëm dy janë realizuar: ‘Furtuna’ dhe ‘Prita’. Nëse i pari është për pushtimin fashist, ‘Prita’ është për atë nazist”, tregon Fagu, gati 50 vjet pas realizimit të këtij filmi.

A KA MANIPULIME?

Filmi “Prita” i Fagut është futur në “listën e zezë” të filmave që mbështeten mbi ngjarje reale, por që i deformojnë, thotë Mit’hat Fagu. Dhe kur e thotë këtë, e ka me gjithë mend. (Majtas) Regjisori Fagu dhe punonjëse të AQSHF duke treguar 9 copë bocete origjinale, unike e të punuara me dorë nga Kiço Krisiko, të afishes dhe fletë volanteve të filmit “Prita” ato, nga ish-drejtori i Arkivave të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi.

“Kjo nuk është e vërtetë. ‘Prita’ nuk deformon asgjë. Ai është një film për luftën dhe nuk e nxjerr aspak armikun qesharak, çka nuk mund ta themi për filmin ‘Furtuna’. Në film tregohet një luftë e ashpër dhe askund gjermanët nuk dalin frikacakë. Madje duke iu referuar skemave të realizimit socialist, filmi ‘Prita’ mund të quhej ‘reaksionar’, sepse po të vini re, komisari, që ishte edhe elementi partiak, është lënë tërësisht në hije, duke nxjerrë në dukje komandantin”, tregon Fagu.

Ai rrëfen se për realizimin e këtij filmi kanë pasur edhe konsulent ushtarak, për të qenë sa më korrekt sa u përket strategjive luftarake.

“Nuk është aspak një film i politizuar dhe mendoj se Dervishi e ka gabim, kur thotë se deformon të vërtetën. Jam tërë- sisht kundër ndalimit të filmave të realizuar para viteve ’90. Ndalimi i filmave do të ishte me të vërtetë ‘reaksionare’ dhe ideologjike. Por nëse atëherë bëhej ideologji sistemi, tani bëhet ideologji banale”, thotë Fagu.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura