Regjisori boshnjak Dino Mustafiç sjell në Tiranë dramën e Peter Shaffer

Jun 15, 2016 | 18:07
SHPËRNDAJE

Regjisori boshnjak, Dino Mustafiç, sjell në Tiranë “Equus”, një nga dramat më tronditëse të Peter Shaffer.

1ec0b-dino-mustafic-mess-sgb2

Teatri Kombëtar njofton se do të zhvillojë “Work Process-Audicione”, me regjisorin Mustafiç, për projektin “EQUUS”, që pritet të aprovohet në mbledhjen e ardhshme të Bordit Artistik.

Mësohet se audicionet do të zhvillohen në ambientet e Teatrit Kombëtar në datën 18 qershor, në orën 11:00. Është parashikuar një bashkëbisedim mes regjisorit dhe aktorëve, që do të pasojë me audicionin, që konsiston në ushtrime të ndryshme improvizimi, për shkak të strukturës së veçantë që ka vepra “EQUUS”.

DRAMA

Equus” është një dramë nga Peter Shaffer, e shkruar në 1973, në të cilën tregohet historia e një psikiatri, i cili përpiqet të trajtojë rastin e një djali të ri, i cili paraqet një tërheqje erotike dhe fetare ndaj kuajve. Shaffer u frymëzua të shkruante “Equus”, kur dëgjoi për krimin e një 17-vjeçari, i cili verboi 6 kuaj, në një qytet të vogël, pranë Suffolkut.

Kështu ai vendosi të krijonte një vepër mbi atë çka mund ta kishte shkaktuar këtë incident, pa ditur asnjë detaj rreth krimit.

Drama i ngjan një rrëfimi detektivësh mbi përpjekjet e psikiatrit Dr. Martin Dysart, për të kuptuar shkaqet e veprimit të djalit. Një sërë temash ngrihen nga pjesa, por atyre që u vihet më shumë theksi janë temat e ritualeve dhe sakrificave fetare, përmes mënyrës se si personazhi Alan Strang ndërton një “fe” personale, ku përfshin kuajt “Equus”.

Alan i sheh kuajt si paraqitja e Zotit dhe ngatërron adhurimin për “Zotin” e tij me tërheqjen seksuale.

Në këtë dramë, Shaffer ngre diskutimin mbi konfliktin mes Apollonit dhe Dionisit, arsyes dhe mosarsyes, racionales dhe kaosit. Vepra u shfaq për herë të parë mes 1973-1975, nën regjinë e John Dexter, më pas u vendos në Broadway, ku luante Anthony Hopkins në rolin e Dysart (më pas është luajtur nga Richard Burton, Leonard Nimoy dhe Anthony Perkins) dhe Peter Firth si Alan. Ky produksion është shfaqur në Broadway 1209 herë.

REGJISORI

I lindur më 6 qershor 1969 në Sarajevë, Dino Mustafiç është diplomuar për regji në Academy of Performing Arts në Sarajevë, por mban edhe një diplomë të dytë në letërsi në Faculty of Philosophy.

Ka realizuar regjinë e shumë produksioneve në Bosnjë, por edhe në rajon, duke përfshirë pjesë nga Sartri, Jonesko, Mrozhek, Molier, Albi, Uilliams, Marber, Gardner etj.

Mustafiç ka ngjitur në skenë edhe “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare. Ka realizuar regji operistike, dokumentarësh e filmash.

Është fitues i 17 çmimeve ndërkombëtare. Ka qenë drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Sarajevës (2003-2005). Është drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit MESS në Sarajevë dhe ka realizuar 16 edicione të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura