Regjisori Bora: Reagimi qytetar ishte synimi i shfaqjes sonë

May 18, 2016 | 19:30
SHPËRNDAJE

“Pas dy vitesh shfaqjeje dhe takimesh me spektatorët, në Elbasan takuam “L’Homme révolté”.

revolta ne elbasan

Jo atë për të cilin shkruante Albert Camus në vitet ‘50, por takuam të revoltuarin e vërtetë shqiptar. Rrugë të gjatë bëmë deri tek ai, por ia vlejti”. Kështu shprehet regjisori Armand Bora pas “incidentit” në Elbasan, në përfundim të dramës “Ata hyjnë pa trokitur”.

Drama e nxitur nga vitet e diktaturës, por që mund t’i qëndrojë fare mirë çdo regjimi që shtyp të drejtat e qytetarëve, ka nxitur reagimin e publikut elbasanas, të cilët janë shprehur se komunizmi është ende gjallë.

“Kjo shfaqje është hipokrizi, komunizmi është gjallë”, është shprehur njëri prej tyre. “Ata hyjnë pa trokitur”, e interpretuar nga Alfred Trebicka dhe Rozina Kostani, është shfaqur dy vjet më parë, si një produksion i Teatrit të Metropolit në Tiranë dhe tanimë, me mbështetjen e OSBE-së po bën një tur nëpër teatrot e Shqipërisë, me synimin që, jo vetëm të çojë artin përtej kryeqytetit, por të hapë edhe një debat mbi tema të ndjeshme, siç është ajo e lirisë dhe e qasjes sonë karshi të shkuarës komuniste.

rozi fredi

Pas çdo shfaqjeje është rezervuar edhe një kohë bisede me publikun e pranishëm në sallë, mbi shfaqjen dhe problemet që ngre ajo. Pikërisht gjatë këtij komunikimi me spektatorin ka shpërthyer edhe reagimi i këtyre të fundit. Ka qenë një reagim me tone të larta, në lidhje me situatën që përballin shumë shqiptarë çdo ditë:

“Po na heqin nga puna si lecka, komunizmi vazhdon, nuk kemi me çfarë të ushqehemi. Hiqen si europianë po na shkatërrojnë, po na masakrojnë komunistët. Ka shkuar atje ku nuk ka më. Bastardë! Kriminelë!”, ka ngritur zërin njëri prej spektatorëve, i cili ka marrë përgjigjen e aktorit Trebicka. “Keni të drejtë, por nuk është ky vendi për të kërkuar llogari, pse po e prishni këtë shfaqje.

Ne nuk jemi përfaqësues të politikës, shkoni kërkojini llogari Taulant Ballës!”, u është drejtuar aktori.

DEBATI

Sipas regjisorit Armand Bora, ky reagim ishte edhe synimi i shfaqjes, pavarësisht toneve të larta, që në të vërtetë nuk i drejtoheshin as shfaqjes dhe as aktorëve, por politikës.

“Synimi ynë ka qenë pikërisht që publiku të reagonte. Ai ishte një reagim social, politik, individual, që u nxit nga shfaqja jonë. Nëse një shfaqje arrin të ngacmojë publikun, atëherë ajo e ka kryer misionin e vet. Këtë shprehu edhe ambasadori i OSBE-së, Rauning, i cili u shpreh se pikërisht ky ishte qëllim i kësaj shfaqjeje që njerëzit të fillojnë të diskutojnë për të kaluarën, madje dhe të kundërshtojnë”, tha Bora, teksa shton se nëse një shfaqje pasohet nga heshtja, atëherë ajo është e paplotësuar.

bora fredi rozi

Sipas Borës, kjo vepër, edhe në shfaqjet e tjera që ka pasur, është shoqëruar me reagime, por kanë qenë më të përmbajtura, më të “përpunuara”, të cilat në thelb shprehnin të njëjtat shqetësime. “Revolta u mbyll aty, në formën edhe të një bashkëbisedimi me Fred Trebickën, i cili u tha se shfaqja është më shumë për ata që hyjnë pa trokitur sot.

Më pas, ne jemi takuar dhe kemi biseduar me qytetarët që reaguan, të cilët na shpjeguan se protesta e tyre nuk i drejtohej shfaqjes sonë. Ajo çka u prish, ishte vetëm rregulli i bashkëbisedimit, që mund të kishte përfshirë edhe njerëz të tjerë”, tha Bora, i cili e quan një “fitore” të artit nxitjen e reagimit qytetar.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura