Regjimi e intelektualët, nis studimi i dosjeve të 10 shkencëtarëve. Që nga Pipa, te Kasimati, Çabej e Buda

May 21, 2018 | 15:45
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Disa nuk pranuan në konfirmoheshin. U burgosën, u internuan, u pushkatuan dhe emri i tyre u la në harresë. Pati edhe nga ata që u ndoqën nga Sigurimi i Shtetit dhe u lanë në hije, ndonëse kontributet e tyre ishin të jashtëzakonshme. Të tjerë, thjesht ndoqën vijën e përcaktuar politike dhe duke qenë “në rregull me shtetin”, madje bënë edhe karrierë. Kjo ndodhi me shkencëtarët shqiptarë, të paktën në 10- vjeçarin e parë, pas vendosjes së regjimit komunist, kur edhe institucionet shkencore nisën të kristalizoheshin. Sot, kur pretendohet hapja e dosjeve, ka ardhur momenti të hapen dosjet edhe për shkencëtarët. Një hap që do të na risjellë në vëmendje personalitete të lëna me vetëdije në harresë, të persekutuar shumëfish, por edhe për të zbardhur raportin që shteti, regjimi i kohës kishte me intelektualët dhe në veçanti me shkencëtarët. Në ditëlindjen e një prej personaliteteve me fat tragjik, titullarit të parë të Institutit të Shkencës, Selahudin Toto, deputet i dënuar nga regjimi komunist në 1947, në sallën e Akademisë së Shkencave ku ai duhej të nderohej, u njoftua nisja e një projekti që ka synim pikërisht këtë, zbardhjen e këtyre figurave dhe të këtij raporti.

autoriteti-logo-vector-01

PERSONALITETET

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Projekti PERFORM – Shkenca Sociale Aktive dhe të Përgjegjshme, kanë nisur bashkëpunimin në ndërtimin e një narrative mbi rolin e shkencës, elitave intelektuale dhe kërkimit shkencor në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Me këtë rast, kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, dhe Martin Dietz, drejtues i projektit PERFORM, nënshkruan një marrëveshje, duke i dhënë udhë studimit të 10 personaliteteve të shkencës shqiptare. Grupi i studiuesve, nën drejtimin e historianes Sonila Boçi, do të marrë në studim figurat e: Gjergj Kokoshit, Eqrem Çabejt, Sabiha Kasimatit, Arshi Pipës, Odhise Paskalit, Aleks Budës, Ollga Plumbit, Petraq Pepos, Gjovalin Gjadrit dhe Petraq Qafokut. “Kemi marrë 10 profile studiuesish, që jo të gjithë kanë qenë të persekutuar. Ka nga ata që regjimi i dënoi me burgje, internime apo edhe me vdekje, por pati raste qe vazhduan punën gjatë regjimit, si në rastin e prof. Çabejt, pavarësisht se ishte i përndjekur, që kontribuoi në fush- ën e Albanologjisë. Qëllimi i projektit nuk është detyrimisht të nxjerrë në dukje aspektin më negativ të marrëdhënies së regjimit me intelektualët. Ne kërkojmë të bëjmë një studim të thelluar mbi marrëdhëniet e shtetit me institucionet e kërkimit shkencor, sa e merrte mendimin e tyre shteti dhe çfarë impakti kishin ata në opinionin publik. Dosjet do të na japin pikën kulmore të marrëdhënies së shtetit me intelektualët, por kërkimi ynë është më i gjerë. Ne po shohim dosjet e Arkivit të Shtetit, të Ministrisë së Arsimit, të Komitetit Qendror, të instituteve shkencore, të Akademisë së Shkencave, por do të përdorim edhe kujtimet e familjarëve të këtyre personazheve”, thotë historiania Sonila Boçi.

19059784_1602840589758654_7305608326918947328_n

PROJEKTI

Për kryetaren e AIDSH-së, Gentiana Sula, ky projekt ka për qëllim hulumtimin në pikëpamje studimore të ndikimit të ish-Sigurimit të Shtetit si arma më e fuqishme e ruajtjes së pushtetit të Partisë-Shtet mbi shkencën dhe përfaqësuesit më në zë të saj. Por po ashtu, do të studiohet roli, mënyrat, diktimet si edhe përndjekja e shkencëtarëve shqiptarë në të gjitha fazat e jetës dhe punës së tyre. “Për shumë njerëz mund të tingëllojë e çuditshme të flasësh për shkencë dhe shkencëtarë në Shqipërinë e viteve 1945-1954. Në të vërtetë, Shqipëria e viteve ’40 trashëgonte nga e kaluara një sistem arsimor problematik. 80% e popullsisë ishte analfabete, rrjeti arsimor nuk kishte mundur të shtrihej në të gjitha krahinat e Shqipërisë, mungonte plotësisht një sistem i avancuar edukimi. Por në një këtë panoramë të zymtë arsimore, kishte ndodhur një fenomen interesant. Gjatë viteve ’20-‘30, një sërë shkollash të mesme të financuara nga francezë, amerikanë, anglezë e italianë u hapën në Shqipëri, në të cilat u edukuan me standarde të larta arsimimi një plejadë studentësh. Prej shumë vitesh, familje të pasura dhe të mesme kishin investuar në mënyrë që fëmijët e tyre të shkolloheshin në universitetet më të mira europiane: në Francë, Vjenë, Itali, Britani e gjetkë”, thotë Gentiana Sula, teksa përmend emra si Selahudin Toto, Kujtim Beqiri, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, Aleks Buda e Eqrem Çabej e shumë e shumë të tjerë kishin arritur rezultate mjaft të larta në studimet e tyre, duke krijuar kështu premisat e nevojshme që dhe në Shqipëri të krijohej një shtresë e qenësishme intelektualësh. “Regjimi i vendosur në Shqipëri menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore vendosi në qendër të goditjes së tij elitën intelektuale të krijuar me shumë mund dhe sakrifica në periudhën midis dy luftërave. Gjatë viteve 1944-1951, intelektualët me prirje perëndimore ishin në qendër të goditjes së regjimit. Gjyqet kundër katolikëve, gjyqi kundër organizatës Bashkimi Demokratik (1946), gjyqi kundër inxhinierëve për tharjen e kënetës së Maliqit (1946), gjyqet e deputetëve (1947) apo gjyqi që pasoi vendosjen e bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë në shkurt 1951 i kushtuan kombit zhdukjen e dhjetëra njerëzve nga më të shkolluarit, të një elite intelektuale shumë të domosdoshme për vendin. Por kalvari nuk mbaroi me kaq, intelektualët që i shpëtuan përndjekjes së drejtpërdrejtë u vendosën nën kontrollin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Ata më fatlumët arritën të largoheshin nga vendi për të vazhduar karrierën e tyre intelektuale në Europë e SHBA, duke krijuar një emër të mirë për vete dhe për kombin shqiptar. Ndërkohë në Shqipëri, regjimi po hidhte bazat e një elite të re intelektuale. Kriteri ideologjik u bë parësor në përzgjedhjen e kësaj elite të re”, thotë ajo.

Vjen në Shqipëri diploma e Selahudin Totos/ Nevila Nika: I njohim shumë pak, këta njerëz na mbajtën në Europë

Teksa merrte në duar temën e diplomës dhe disa fotografi të tij, e mbesa nuk kishte se si të mos ndihej e emocionuar. Lotimi, dridhja e duarve ishin më e pakta. Mirënjohje, por edhe shumë mall, për njeriun për të cilin kishte dëgjuar aq shumë, por nuk arriti ta njohë. Me rastin e ditëlindjes së tij, Ambasada Italiane dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, mundësuan ardhjen në Shqipëri dhe dorë- zimin te familjarët e një kopjeje të temës së diplomës së Selahudin Totos, titullari i parë i Institutit të Shkencës, por edhe disa fotografi, aq shumë të dëshiruara prej të afërmve. Studiuesja dhe historiania Nevila Nika arriti të ketë në duar një copëz dëshmie të veprës së njeriut të afërm, të ekzekutuar nga pushteti komunist në moshën 34-vjeçare. “Ajo që ndodhi me Selahudinin në vitin 1947 është fshirja e gjithë asaj që do të kishte dashur një familje, një foto. Na kanë mbetur kaq pak gjëra prej tij, për të mos folur edhe për dokumente. Në familje kemi dëgjuar shumë të flitej për të, për mallin, dhimbjen e madhe për humbjen, aq më tepër që ishte djali më i vogël i familjes Toto, i katërti që vritej. Dhe sot më duket një ndjesi e çuditshme, sikur e kemi afër”, tha Nika. Në fjalën e saj, në aktivitetin e organizuar me këtë rast, por edhe për lançimin e projektit studimor, Nika shprehu keqardhjen për mosnjohjen dhe mospërmendjen e këtyre figurave, që sipas saj e mbanin Shqipërinë në Europë. “Mjafton të shihnim pasaportat e tyre për të kuptuar që ne ishim në Europë dhe s’kishte përse të largoheshim nga familja”, tha ajo. “Si Selahudini Shqipëria humbi inxhinierë, profesorë, mjekë, lista është e gjatë dhe e frikshme në një popullsi prej 800 mijë banorësh, kur një në katër pëson një dëm të tillë, por do të kujtoja një shprehje të Ismet Totos: Bota është e atyre që digjen dhe jo e atyre që ngrohen”, tha ajo. Për vlerat e kësaj figure do të fliste edhe akademiku Shaban Sinani, ndërsa kryetarja e AIDSSH-së u shpreh se jo më kot u zgjodh ditëlindja e Selahudin Totos, i dënuar më 1947 me Grupin e Deputetëve, për të prezantuar një projekt me rëndësi për të zbardhur të vërtetat e diktaturës. “Prezantimi i këtij intelektuali kompleks u hap rrugën studimeve të tjera të hollësishme që kontribuojnë në lidhjen mes kërkimit shkencor dhe politikës”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura