“Refuzova kërkesën e Lidhjes për anëtarësim në Parti”/ Adelina Mamaqi: Biseda me sekretarin e rinisë, kërkoi poezi për Enverin

Nov 4, 2020 | 13:07
SHPËRNDAJE

Adelina Mamaqi-Panorama-Enveri-Poezia

ANILA DEDAJ/ Mbi një gjysmë shekulli që shkruan… zonja elegante e letërsisë për fëmijë, Adelina Mamaqi, me prezencën e saj në Qendrën e Librit dhe Leximit, tërhoqi vëmendjen për hallkën më bazike të formimit të brezave.

Libri për fëmijë, këtë të martë, u bë kryefjalë e vizitës së saj në këtë strukturë ende foshnje të leximit dhe në emër të tij, premtohet një urë bashkëpunimi me drejtoren e Qendrës, Alda Bardhylin. Është entuziaste për botimin e saj të fundit “Ne tani lexojmë vetë”, një libër që përmban 26 tregime, përralla e poezi, për ata vogëlushë që sapo kanë mësuar të lexojnë. Këtij libri, i paraprijnë tre të tjerë me gjëegjëza dhe në dorë ka një të katërt të ngjashëm. “Këtë do e shkruaj me gjëegjëza didaktike, që fëmijët tanë të njohin traditat e artit, të letërsisë e kulturës sonë, por edhe asaj ndërkombëtare, pse jo. Është edhe një formë e mirë që fëmijët të kujtojnë atë që dinë dhe të mësojnë që për ta është e panjohur”, tregon shkrimtarja.

E trishton nënvlerësimi që i bëhet letërsisë për fëmijë, veçanërisht nga kritizerët e letërsisë për të rritur. “Shija e të lexuarit ushqehet te fëmija me letërsi të mirë. Nëse nuk ndodh kështu, shkrimtari për të rritur që nënvlerëson letërsinë për fëmijë, do të humbasë lexues, pasi ata nuk do jenë mësuar me shije të mirë. Ndaj letërsia për të vegjlit ka një rëndësi të madhe, pasi edukon te fëmija dashurinë për letërsinë”, thotë ajo.

“ËNDRRAT E VASHËRISË” SË MAMAQIT DHE KAPËRCIMI TE LETËRSIA PËR FËMIJË

Kur udhëton 57 vite pas në kohë, sytë të shkëlqejnë, e kujtesa luan me të sajat “Ëndrra vashërie”, që shënuan dhe veprën e parë të shkrimtares. Një botim i guximshëm për kohën, pasi Mamaqi i thuri vargje dashurisë, në një kohë që diktatura e kufizonte shprehinë poetike. “Pata fatin që vija nga një ambient intelektual dhe kisha mirëkuptimin e prindërve për ato që kisha shkruar. Libri u botua edhe në Kosovë, por poezia ime ishte shumë lirike”, rrëfen shkrimtarja.

Gjatë kësaj periudhe, tregon se punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në redaksinë e librave për fëmijë. “Unë kisha mbaruar shkollën e mesme për edukatore kopshti, por aty njohuritë e mia për letërsinë për fëmijë u thelluan. Isha duke u bërë nënë kur shkrova librin e parë, të cilin ma mirëpritën edhe në Kosovë. Kujtoj se, edhe Dritëro Agolli ka shkruar një kritikë pozitive. Kështu, gradualisht u tërhoqa pas letërsisë për fëmijë”.

Adelina Mamaqi

TEKSTET E KËNGËVE NË DY KOHË, TRANSFORMIMI NGA PASION NË BIZNES

Për më shumë se një dekadë redaktore e teksteve të Festivalit për Fëmijë, si edhe autore e disa këngëve, Mamaqi kujton punën që bëhej para viteve ’90. “Asokohe i kushtohej vëmendje teksteve, mjafton të përmend Jorgo Papingjin që është nga më të mirët. Ndërsa sot, situata është ndryshe. Për një periudhë isha caktuar drejtore e Teatrit të Kukullave dhe Qendrës Kulturore për Fëmijë, por ajo që vura re gjatë një festivali që mbahej aty, ishte fakti se autorët e këngëve, shkruanin dhe tekstet. Më vjen keq ta them, por po kthehet në biznes. Asokohe ne nuk mendonim sa lekë do të merrnim, por se si të shkruanim këngën, si të punonim me kompozitorin që të bënim më të mirën. Unë kam punuar me orë të tëra me Tonin Arapin, Tish Daijan, Nikolla Zoraqin etj. Ndërsa tani, dëgjoj tekste pa fabul, pa poezi, por vetëm me fjalë. Dhe më vjen shumë keq për fëmijët, ndaj sugjeroj që kënga të bazohet mbi poezinë e mirëfilltë”, shton më tej.

“T’I KTHEJMË SYTË NGA LETËRSIA JONË PËR FËMIJË”

ne-tani-lexojme-vete

Hapat e parë të vogëlushëve si lexues, duhet të nisin, sipas Mamaqit, me klasikët dhe letërsinë vendase për fëmijë. “Unë deri në vitet e fundit para se të ikja në emigracion kam mbajtur te koka dy shkrimtarë: Andersenin dhe poetin lirik rus, Eseninin. Pra, klasikët janë të nevojshëm, por unë do të sugjeroja pikësëpari të kthenim sytë te letërsia jonë për fëmijë. Për fat të keq, disa shtëpi botuese i marrin librat të gatshme dhe i përkthejnë. Sigurisht që edhe ilustrimet janë gati dhe ato vizualisht duken bukur, por ndër to ka edhe libra që nuk kanë asnjë vlerë. Pra, edhe sa i përket leximit, jam e idesë që duhet njohur fillimisht ‘familja jote’, duke iu përmbajtur parimit të psikologjisë se njohja fillon nga e afërta”.

Po ashtu sipas saj, duhet treguar kujdes dhe sa i përket trajtimit të poezive të botuara në tekstet shkollore për fëmijë, ku shpesh bëhen ndërhyrje dhe hiqen edhe emrat e autorëve.

A DUHET TË RIKTHEHEN “AUTORËT E VJETËR” DHE SA PREMTOJNË TË RINJTË?

Autore e librave për fëmijë në dy kohët, para dhe pas viteve ’90, Mamaqi thotë se çdo botim duhet t’i përshtatet kohës, por titujt e hershëm nuk duhen lënë në harresë. “Unë shikoj të nevojshme nga Ministria e Kulturës të vlerësojë vlerat. Jo të gjithë librat që janë botuar asokohe, janë të përshtatshëm për periudhën në të cilën jetojmë, pasi brezat evoluojnë. Unë kam ribotuar 3-4 libra të mitë të hershëm, por i kam rishkruar ata, duke i konceptuar në ditët tona. Ndaj, jam e mendimit që librat me vlerë të ribotohen, por duke u ripunuar”. Shprehet e keqardhur që autorët për fëmijë, po hyjnë pak në letërsinë tonë, edhe pse ka disa emra që e bëjnë entuziaste. “Veçoj Rovena Rrozhanin, që është shumë premtuese. Dua të theksoj se talentet e reja duhen evidentuar dhe ndihmuar. Përshembull, Gaqo Bushaka kur solli në shtëpinë botuese ku punoja dorëshkrimin “Te stani në mal”, kryeredaktorja nuk donte t’ia botonte. Ndërsa unë insistova, i thashë: Ka shkëndi! Unë do t’ia ripunoj dhe do ta botojmë dhe kështu ndodhi. Bushaka më është shumë mirënjohës dhe më thotë shpesh: Nuk e harroj që unë vija nga provinca dhe ti më dhe shtysë. Kështu kam bërë dhe me të tjerë autorë”, tregon Mamaqi.

POEZITË, “PASAPORTË” NË DIKTATURË

E pranon se në atë kohë duheshin bërë edhe kompromise për të mbijetuar si krijues. Poezitë e shkruara për partinë i quan si “pasaportë” për krijimtarinë e saj dhe ndalet te një episod i veçantë. “Ishte viti 1985 kur më mori në telefon sekretari i rinisë së Komitetit Qendror dhe më tha: Duhet të shkruash një poezi për vdekjen e shokut Enver. Natyrisht që unë u detyrova të shkruaj, pasi shkruaja në revistë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, mua më kanë thirrur disa herë në Lidhjen e Shkrimtarëve, kur u bëra pjesë e saj dhe më kërkuan disa herë që të bëhesha anëtare partie, por nuk pranova. Nuk di të them me siguri matematike se çfarë do të ndodhte po të kisha pranuar, por me shumë gjasa që do isha dënuar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura