“Refuzojnë të punojnë me paga 2400 euro”- Rama paralajmëron kontrollorët e Rinasit: Të kthehen në detyrë! Ai marifetçiu me Ilirin dhe Saliun do marrin atë që nuk hahet

Apr 7, 2021 | 16:30
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama u shpreh se dy njerëzit më të gëzuar për humbjen e gjyqit me sipërmarrësin italian Francesco Bechetti janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, ndërsa theksoi se këta të dy bashkë me Bechetti-n do marrin nga buxheti i shtetit atë që nuk thuhet.

“Dy njerëzit më të gëzuar për një gjyq që ne e humbëm pasi kemi fituar tre të tjerë me një marifetçi të pasrkupullt ishin po këta Ilir Meta dhe Sali Berisha. Një gëzim i neveritshëm dhe në ndërkohë, një përpjekje po kaq e neveritshme për të nxitur dhe për të motivuar ata që janë ndjekësit e tyre, me veshët top por me mendjen tap nga dokrrat, broçkullat, por edhe helmi i tyre, duke shpërndarë edhe trakte nëpër Tiranë, lartë e poshtë natën, se tani shqiptarët do paguajnë nga xhepi një gjobë 110 milonë. Unë di të them vetëm kaq që ai marifetçiu bashkë me Saliun dhe Ilirin do marrin atë që nuk thuhet, do marrin atë që nuk hahet. Atë që mbetet, por nuk hahet. Lufta kundër tij vazhdon. Ai është një i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe nuk kemi për ta lejuar që ti fusë duart në xhepin e shqiptarëve”, tha Rama.

Rama komentoi edhe njëherë protestën e kontrollorëve të Aeroportit të Rinasit, duke u shprehur se përpjekja e dëshpëruar e Metës dhe Berishës për të rrezuar qeverinë do të dështojë.

“Në vazhdën e një përpjekje të dëshpëruar për të rrezuar me çdo kusht qeverinë tonë, edhe shtetin. Në këtë rast kanë menduar të vrasin disa shokë me një gur, të bllokojnë edhe vaksinimin. I kanë bërë llogaritë gabim, kanë gjetur qeverinë dhe kryeministrin më të gabuar për ta sfiduar me të tilla akte ekstreme. Kanë shfrytëzuar një grup kokash të nxehta te kontrollorët e AlbControll-it. Shpresoj shumë dhe u bëj thirrje atyre të tjerëve të kthehen në detyrë një orë e më parë. Është e paimagjinueshme që për të kërkuar një pagë, në atë sistem që nuk ka lidhje me buxhetin e shtetit, por që është ulur për shkak të pandemisë që ka goditur sektorin e transportit ajror, e kanë aktualisht 2400 dollarë në muaj, dhe nuk pranojnë të punojnë se duan pagën e plotë, sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë. I kanë bërë llogaritë gabim dhe shumë shpejt do ta vëmë në kontroll situatën. Plani i tyre për ta bllokuar me ditë të tëra aeroportin deri në zgjedhje. Plani i tyre do të dështojë”, tha kreu i qeverisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura