Përplasja për Visar Zhitin, zbulohet telefonata me tone të ashpra e Ramës me Nishanin

Feb 15, 2015 | 8:23
SHPËRNDAJE

Pas reagimit te ashper te Presidentit Bujar Nishani te enjten ne mbremje ne drejtim te kryeministrit dhe replikave ne distance dje per dekretimin e Visar Zhitit ambasador ne Vatikan zbulohen detaje te tjera te perplasjes mes dy krereve te shtetit. 

Nishani e Rama

Gazeta Panorama shkruan sot per nje telefonate me tone te ashpra mes kreut te qeverise dhe Presidentit te enjten e kaluar.

Burime të “Panorama” pranë dy institucioneve bëjnë me dije se Rama dhe Nishani kanë shkëmbyer dhe një komunikim me tone të larta nëpërmjet telefonit.

Mësohet se Kryeministri i ka kërkuar edhe në telefon Presidentit që të firmosë dekretin e Visar Zhitit për ambasador, por përgjigjja e Nishanit ka qenë e prerë, pasi ajo nuk është konsultuar me parë.

Telefonata është bërë ditën e enjte, ndërkohë që mësohet se është përdorur një gjuhë me tone të larta dhe të tensionuar mes Ramës dhe Nishanit.

Pas telefonatës, institucioni i Presidentit ka reaguar në një konferencë për shtyp, ku ka akuzuar kreun e qeverisë se nëpërmjet shantazheve kërkon të kapë institucionin e Presidentit.

“Kjo praktikë jakobine, e padëgjuar kurrë më parë në këtë vend, ku dhuna e pushtetit fyen, kërcënon, shantazhon familjen, fëmijët dhe jetën e Presidentit të Republikës, është e paimagjinueshme në një vend normal. Kjo, për një qëllim fare të thjeshtë. Kryeministri nuk po mundet të marrë nën kontroll institucionin e Presidentit të Republikës”, thuhej në reagimin e Presidences. 

 

***
Presidenti Nishani i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Rama se Visar Zhiti po ridënohet për qëllime politike. “Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit. Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador. Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë”, shprehet Nishani në një koment në Facebook.

NISHANI E RAMA (MAJTAS) VISAR ZHITI

REAGIMI I PLOTE I NISHANIT

“Kryeministri nuk lë rast pa dëshmuar se preferon shoun, ekzibicionin, gjestet, pra kollajllëkun, shumë më tepër se thellësinë, seriozitetin, punët. Fjalët e fryra të Kryeministrit janë tullumbace sapuni pa asnjë peshë që plasin dhe zhduken nga prekja më e lehtë me cilindo argument. Kryeministri nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se Visar Zhiti nuk është nga poetët “e rrallë” të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga cilësimi “i rrallë’. Po, Visar Zhiti nuk ka shpifur për askënd. Për Visar Zhitin kanë shpifur pafund shëmbëlltyrat e barrikadës sigurimiste qe ndikojnë sot vendim-marrjen.

Visar Zhiti është i propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor procedurial, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; Konsultimin paraprak me Presidentn e Republikës. Kryeministri nuk e di se në tryezën e Presidentit asgjë dhe askurrë nuk është thjesht “për firmë”. Me këtë padijë kaq të thellë proceduriale Kryeministri provon për të disatën herë një mungese serioziteti sa të pabesueshme dhe të papranueshme për një Kryeministër.

Kryeministri duhet ta mësojë një herë e përgjithmonë se dekretimi apo mos-dekretimi i ambasadorëve, është e drejtë ligjore e e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës.

Visar Zhitin nuk po e ridënon Presidenti. Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit. Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador. Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë.
Kryeministrit nuk i lypset të zotohet të mos e komentojë Presidentin. Të mos e komentoje Kryeministri Presidentin është një minimum etike që, si e tillë, nuk përbën asnjë meritë, nuk meriton asnjë lëvdatë, e aq më pak autolëvdatë.

Megjithatë, nëse gjithsesi, një zotim ose bëhet dhe mbahet dhe zotuesi lëvdohet, ose bëhet dhe nuk mbahet dhe zotuesi turpërohet. Se ta bësh një zotim, të vetlëvdohesh se e ke bërë, dhe, përtej çdo rrethane apo çfardo kombinimi sado të pafavorshme rrethanash, zotimin të mos e mbash, zotuesi nuk mundet, si po bën Kryeministri, që vetlëvdohet. Por mesa duket nga lëvdimi, autolëvdimi, turpërimi, autoturpërimi Kryeministri ynë nuk ka asnjë haber. Prandaj dhe lëvdatat e vetlëvdatat i bën dhe i ribën edhe kur zotimin e mban edhe kur zotimin nuk e mban, çka është një turp që s’ka kandar që e peshon.

“Argumentat nuk numërohen, argumentat peshohen”, thotë një fjalë latine e pakontestuar nga kurrkush deri më sot. Kryeministri ynë fatkeqësisht këtë pohim nuk e respekton”, shkruan kreu i shtetit në një postim në Facebook.

Rama: Ridënim për qëllime politike

Rindenim te Visar Zhitit e ka quajtur kreu i qeverise, Edi Rama refuzimin nga kreu i shtetit, Nishani, qe Zhiti te jete ambasadori yne ne Vatikan.

Ne nje postim ne rrjetin social Facebook, Rama, duke folur me vleresim te larte per Zhitin, si poet, personalitet, te vetmin deputet te PD-se, qe s’ka shpifur per askend, akuzon kreun e shtetit per mosdekretimin e tij, ne nje kohe qe edhe Kuvendi, edhe Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë e ka dhene aprovimin.  

Duke e cilesuar Nishanin si kalimtar, e presidentin si institucion, ndonese sipas Rames i rrenuar nga PD-ja, ai thekson se “Ky ridënim është fatkeqësisht më i hidhur se dënimi i parë. Sepse një i dënuar i diktaturës komuniste për lirinë poetike, nuk mund të ridënohet sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për qëllime politike”.

Postimi i plote i Rames ne FB  

RIDËNIMI I VISAR ZHITIT

Poet i rrallë. I burgosur politik i diktaturës. Shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës.

E propozojmë për ambasador të Shqipërisë në Vatikan. Një figurë lokale e kishës katolike shqiptare prononcohet me rezerva ndaj tij. Prononcim i papranueshëm për të cilin vetë ati në fjalë kërkon ndjesë publike. Komisioni i Jashtëm i Kuvendit i jep Visar Zhitit mbështetje pa asnjë rezervë. Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën.

Kandidatura është në tryezën e Presidentit të Republikës për firmë. Presidenti i Republikës, përmes një prononcimi për një emision lajmesh deklaron mosdekretimin e Visar Zhitit!

Argumenti i zotit President? Kandidati për ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan, paska cënuar kishën me një prononcim publik! Një prononcim ky i fundit në fakt, krejt i pafajshëm dhe, njësoj si poezitë e pafajshme dikur, rifabrikohet si arsye e lartë shtetërore për të ndëshkuar Visar Zhitin.

* * *

Jam zotuar të mos i komentoj në publik kundërshtitë e mia ndaj Presidentit të Republikës. Sepse Bujar Nishani është kalimtar, ndërsa Presidenti i Republikës është një institucion themelor i shtetit shqiptar – edhe pse i rrënuar nga Partia Demokratike në pushtet, njësoj si tërë shteti që ai pushtet la pas në 23 qershor.

Por sot, unë nuk mund të hesht dot në asnjë mënyrë. Sepse ky është ridënimi i Visar Zhitit. Fatmirësisht më i lehtë se i pari. Sepse poeti nuk do të kyçet në burg; djali nuk do të shkëputet për së gjalli nga nëna; bashkëshorti nuk do të ndahet me përdhunë nga gruaja.

E megjithatë, ky ridënim është fatkeqësisht më i hidhur se dënimi i parë. Sepse një i dënuar i diktaturës komuniste për lirinë poetike, nuk mund të ridënohet sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për qëllime politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura