Refuzimi i Francës për negociatat, motive dhe pasoja

Oct 21, 2019 | 10:30
SHPËRNDAJE

DRITAN HOTI

dritan hoti

Të analizosh qëndrimet në politikën e jashtme të kombeve historike në Europë,  por edhe më gjerë, është një sipërmarrje jo e lehtë, madje mund të rezultojë sfiduese. Franca qëndron në krye të listës së bashku me disa kombe te tjera të mëdha europiane, veçanërisht Anglinë, të mbushura me evenimente e ndodhi domethënëse në 4 shekujt e fundit të historisë së njerëzimit.

Ajo, duke u nisur nga shekulli XVII e deri në përfundim të luftërave napoleoniane, ishte kombi më influencues në çështjet e politikës e diplomacisë brenda kontinentit të vjetër, pa përfshirë Britaninë e Madhe. Ndërkohë që skualifikimi i Francës nga kjo pozitë i detyrohet shfaqjes së Gjermanisë së bashkuar dhe 3 luftërave me të: lufta franko-prusiane 1870, Luftën e Parë Botërore, si dhe atë të Dytë Botërore, në përfundim të së cilës ajo doli vetëm teknikisht fituese, por me një prestigj të rrënuar që i detyrohej pushtimit të lehtë gjerman, si dhe shthurjes së perandorisë së saj koloniale njëkohësisht me të, të influencës së saj në botë. Pikërisht me shkaktaren e dobësimit të fuqisë e influencës së saj në çështjet botërore, Gjermaninë, ajo zgjodhi të linçonte projektin e një Europe të integruar, që në fakt, sipas përllogaritjeve franceze, duhet të përmbushte dy pritshmëritë e saj: vendosjen e Francës në rolin e violinës së parë në gjirin e një lloj konfederate shtetesh-kombe europiane, të lidhura me njëra-tjetrën nëpërmjet mekanizmash juridiko-administrative, prej ku do të përforconte influencën e saj në fushën e madhe të shahut të politikës botërore, si dhe ta mbante të integruar Gjermaninë në një strukturë shtetesh për të shmangur ndonjë rizgjim të një versioni të ri të nacionalizmit të saj. Mirëpo, asnjë prej dy premisave nuk u përmbush. Europa e bashkuar sot, pas më shumë se 5 dekadash të jetës së saj politike, ende nuk ia ka dalë të transformohet ne rolin e një poli homogjen në politiken e madhe botërore, teksa shtete të rëndësishme përbrenda Bashkimit Europian nuk e kanë pranuar logjikën e një preemince franceze brenda saj, për më tepër Gjermania nuk është se përzgjodhi rrugën nacionalizimit, por atë të transformimit të brendshëm demokratik e atë strukturoro-ekonomik, duke u “imponuar” në këto rrethana si shteti më i fuqishëm ekonomik, por ende joushtarak në Europë, njëkohësisht edhe një vend me qëndrime parimore e më të qarta në lidhje me çështje të integrimit e diplomacisë. Ndryshe nga qëndrimet e Holandës dhe të Danimarkës, vende të ndodhura në kuptimin e mirëfilltë të fjalës larg Europës Juglindore dhe pa ndonjë pikë takimi domethënës me të, në të cilat perceptime të caktuara populiste të brendshme ushqejnë qëndrime në politiken e jashtme apo të integrimit, vetoja e Francës për të penguar çeljen e negociatave aderuese të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut gjen më së miri përgjigjet shpjeguese në natyrën e formimit, atë të metodologjisë vepruese të elitave politiko-diplomatike, si dhe projeksioneve të saj gjeopolitike. Harlod Nicholson, një diplomat i spikatur britanik i viteve 1920- ’30, e kishte konstatuar trupën diplomatike franceze dhe mënyrën e saj vepruese si vijon: “Shërbimi diplomatik francez përbashkon individë me një inteligjencë të admirueshme, si një eksperiencë të madhe. Francezët ndërthurin një sens të mprehtë të observimit me një talent argumentimi të veçantë. Mirëpo, duke qenë të bindur në superioritetin e kulturës së tyre, në situata të caktuara, diplomatët francezë përfshihen vullnetarisht në hezitime konfuze, duke humbur kësisoj në shpirtin e tyre kthjelltësinë, që zëvendësohet sakaq nga veprime të dyfishta”.

Karakterizimet interesante të diplomatit anglez i aplikoheshin strukturave të paraluftës së Dytë botërore, kur Franca ishte ende një perandori koloniale, bllokimi nga ana e saj i çeljes së negociatave aderuese për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut nënshkruhet në një kontekst të ndryshëm. Franca, e cila rrëshqitjen e saj në pozita disi inferioriteti në rrafshin institucional brenda BE-së përkundrejt Gjermanisë, e ilustruar në emërimin e gjermanes Ursula Van der Leyen si Presidente e Komisionit Europian, u shoqërua me rrëzimin në Parlamentin Europian të kandidates së Macron-it, Sylvi Goulard, për postin e komisioneres, si dhe mungesës së hapësirave për t’u projektuar në lojërat e influencës në Europën Juglindore, në të cilat partnerja dhe rivalja e saj Gjermania është tashmë e përfshirë, nxiti dhe dikton më së fundmi stilin e të bërit diplomaci nga ana e saj. Në këndvështrimin francez, përgjigjja përkundrejt një pozite inferioriteti nuk duhet të jetë pranimi, por abdikimi i saj. Jo prirja për bashkëpunim, por refuzimi përcakton jo rrallëherë influencën e një vendi. Mirëpo, taktika e formula të tilla aplikohen e përshtaten në realitete të caktuara. Bllokimi francez në rrugën e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Europë vjen në momente emergjence për sa u përket dinamikave gjeopolitike në Ballkan, të ndërlidhura me interferencat komplekse të fuqive përtej perimetrit të bllokut perëndimor. Elitat drejtuese franceze, me gjithë bjerrjen që po përjeton sistemi institucional, ekonomiko-politik atje, duke u mbështetur në formimin e tyre të përftuar, ende i disponojnë kapacitetet e analizës strategjike për të kalkuluar rrjedhojat e veprimit të tyre bllokues përkundrejt ecurisë se Europës Juglindore dhe efektet edhe vetë në Europë.

Emmanuel Macron dukej i qartë kur deklaronte se: “Diferencimi në procesin e integrimit në BE i Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë do të kishte pasoja imediate, që mund të prodhoheshin nga lëvizje turbulluese (kuptohet me karakter kombëtar) nga popullsitë shqiptare të shtrira në juglindje të Europës”. Në fakt, vendi, që pas vetos franceze do të ishte më i ekspozuar ndaj rreziqeve që lidhen me stabilitetin e brendshëm dhe ndërhyrjet e jashtme, do të ishte Maqedonia dhe jo Shqipëria. Në rast se Shqipëria gjendet në një proces jo të lehtë të një konvertimi nga një vend me mungesa reale të mekanizmave të shtetit të së drejtës, në një shtet funksional të së drejtës të mbështetur pikërisht mbi këto ligjësi, në të cilin ekziston vetëm një kontradiktë e brendshme, ajo midis pritshmërive dhe dëshirave të shoqërisë shqiptare për reformim në sinkron pikërisht me iniciativat e faktorit ndërkombëtar me refrektarizmin tashmë të pafuqishëm të pjesës mëkatare të klasës politike shqiptare, e synuar direkt nga kjo reformë; sfida e brendshme në Maqedoni paraqitet e një natyre tjetër. Në Maqedoni, ndryshe nga Shqipëria ku vetoja bllokuese e Francës nuk e zhvendos orientimin pro perëndimor mbarëshqiptar, ndërkohë përforcon tek ata një bindje ekzistuese të një diference në lidhje me çështjen shqiptare ndërmjet Amerikës dhe disa shteteve tradicionale të Europës, pasojat mund të jenë më të paparashikueshme. Maqedonia kishte hyrë ndër të tjera në Marrëveshjen e Prespës me premtimin për një integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike, BE dhe NATO.

Zgjedhjet e mundshme të parakohshme të provokuara drejtpërdrejt nga refuzimi francez në një shtet me përbërje multietnike, mund të favorizojë pozitat e segmenteve apo formacioneve politike pro ruse në përfundim të këtij procesi, duke e frenuar në një etapë të parë kursin pro perëndimor të ndërmarrë nga qeveria e Zaevit. Për më tepër, një skenar i tillë, duke mbajtur parasysh pozitën kyçe të Maqedonisë në një konstalacion të caktuar në juglindje të Europës, do të stimulonte një gjendje agresiviteti nga ana e fqinjëve rrethues, me pretendime të përhershme kombëtare përkundrejt saj. Jo vetëm kaq, por hapësira e krijuar nga ngërçi i bllokimit francez do të rriste intensitetin e ndërhyrjeve të fuqive përtej kontinentit europian, por të lidhura me Ballkanin nëpërmjet interesave historike; të shumëpërmendurat, Rusia, Turqia, por edhe Kina e largët e SHBA-ja, e cila ka një projekt gjeopolitik për rajonin, të ndryshëm apo në kundërshtim me to. Në këto rrethana, Evropa Juglindore mund të shndërrohej lehtësisht në një territor rivalitetesh të fuqive të mëdha, duke transformuar aty realitetet nacionale, por edhe siç historia na ka mësuar, do të përfshijë për arsye tashmë të pranuara në këtë spirale edhe Europën. Gjermania, më e pranishme dhe më e ndërgjegjshme për precipitime të tilla, do të përfshihej në këto zhvillime edhe më përpara sesa Franca. Vetoja bllokuese franceze i gjen përgjigjet te tradita e formimi i elitave politike franceze, prej ku rrjedhin edhe taktikat e tyre vepruese që shëmbëllejnë deri-diku të pakuptueshme, por që në të vërtetë bartin një kalkulim cinik e të vetëdijshëm nga ana e tyre në lidhje me konsekuencat që mund të pasojnë.

*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura