Refugjatët nga Eritrea/ Zv.ministrja e Brendshme: Nuk kemi një datë për mbërritjen, për ata vendos…

Aug 31, 2018 | 16:25
SHPËRNDAJE

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda konfirmon se nuk ka një datë për 20 refugjatët nga anija “Dicotti” që qeveria është zotuar të marrë pas një marrëveshje me atë italiane.

“Nuk kemi një datë se kur do të vijnë refugjatët nga Eritrea që vendi ynë pranoi të merrte”, shprehet ministrja në një prononcim për “Top Channel”.

rovena

“Kjo më së shumti varet nga procedurat e shtetit italian, që do të vendosë për sjelljen e tyre në Shqipëri edhe në bazë të Konventës së Gjenevës për të Drejtat e Njeriut dhe natyrisht edhe pas intervistimit të refugjatëve dhe dakortësisë së tyre për tu strehuar në vendin tonë. Ky fakt ka sjellë një debat edhe mes vendeve të unionit, por ky është një problem i tyre”, u shpreh Voda.

Ajo pranon që Shqipëria ka kapacitete të limitura për të pritur në të ardhmen refugjatë të tjerë, pavarësisht ndihmës nga vendet partnere dhe organizatat ndërkombëtare. Por, vala e refugjatëve nuk ka lënë mënjanë as vendin tonë dhe Voda jep shifrat për 6 muajt e parë të këtij viti të fluksit të emigrantëve të paligjshëm në vendin tonë: “Nga janari i këtij viti e deri në fund të qershorit në vendin tonë janë futur mbi 4 000 refugjatë të paligjshëm, kryesisht nga kufiri i gjelbër. Nga këto mbi 500 prej tyre kanë qëndruar në vendin tonë, pasi kanë kërkuar azil”.

Pranimi i Shqipërisë për të marrë 20 refugjatë nga Eritrea, të cilët zbarkuan disa ditë më parë në brigjet italiane, ka hapur një debat jo vetëm në Itali, por edhe mes vendeve të unionit.

Zëdhënësja e Këshillit Europian, Natasha Bertaud në një prononcim për mediat italiane disa ditë më parë, tha se marrëveshja mund të zbatohet nëse refugjatët bien dakord.

Në korrik të vitit të kaluar ka pasur një precedent të ngjashëm. Komisioni Europian hodhi poshtë një zgjidhje të ngjashme të propozuar nga Austria dhe Danimarka. Ideja ishte transferimi i emigrantëve drejtpërdrejt në një vend tjetër BE, pa vlerësuar së pari kërkesat për azil.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura