“Reformim i Akademisë së Sigurisë”- Muhamet Rrumbullaku takohet me ambasadorin britanik: Do forcojmë strukturat që merren me krimin e organizuar

Sep 22, 2022 | 17:50
SHPËRNDAJE

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka premtuar reformim të Akademisë së Sigurisë. Gjatë një takimi që kryepolici zhvilloi me ambasadorin britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith prezantoi prioritetet e Policisë së Shtetit, duke u ndalur në tri shtylla kryesore, reforma ligjore, arsimore dhe ajo strukturore. 

rrumbullaku smith

Po ashtu në fokus të takimit ishin thellimi i bashkëpunimit shumë të mirë të deritanishëm, dakordësia për vijimësinë e projekteve dhe marrëveshjeve të nënshkruara më parë, ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore, zhvillimi i operacioneve të përbashkëta, shkëmbimi në kohë reale i informacioneve, duke vendosur kontakte të drejtpërdrejta mes strukturave homologe, si dhe lufta e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm.

“Reformimi i Akademisë së Sigurisë, ndryshimi i metodologjisë së punës, ndryshimi i praktikës së vendimmarrjes së deritanishme, në menaxhimin e burimeve njerëzore, për emërimet apo transferimet në detyrë, ishin disa nga çështjet që u trajtuan gjatë takimit.

Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se është me rëndësi bërja e disa ndryshimeve në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, sidomos në nenet që parashikojnë masa ndeshkimore, ndaj shkeljeve disiplinore, duke qenë se është prioritet ndëshkimi dhe largimi nga organizata e Policisë i punonjësve që janë të përfshirë në paligjshmëri.

Po ashtu, është me rëndësi ndryshimi strukturor i Policisë së Shtetit, për të forcuar më shumë  strukturat që merren me krimin e organizuar, me qëllim bërjen sa më efikase të organizatës së Policisë.

Drejtori e ka siguruar ambasadorin se lufta ndaj krimit të organizuar, migracionit dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe ndaj krimeve ndërkufitare, janë prioritete të Policisë së Shtetit, të cilat mund të përmbushen më së miri kur Policia e Shtetit gëzon mbështetjen dhe besimin e partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, thuhet ne njoftimin e Policisë se Shtetit.

Po ashtu Drejtori i Përgjithshëm garantoi ambasadorin se të gjitha nismat, projektet dhe marrëveshjet e nisura më parë do të vijojnë të realizohen plotësisht.

Nga ana e tij, ambasadori Alastair King-Smith e uroi Drejtorin e Përgjithshëm, për misionin e vështirë që ka marrë për drejtimin e organizatës së Policisë së Shtetit. Ai theksoi se Shqipëria është partner shumë i rëndësishëm për Britaninë e Madhe. Ambasadori i shprehu Drejtorit të Përgjithshëm, mbështetjen e palëkundur të Britanisë së Madhe, për të luftuar bashkërisht krimin e organizuar dhe terrorizmin, për nevojat që ka aktualisht Policia e Shtetit, si dhe për të përfunduar projektin për rikonstruktimin e DVKM Tiranë, që vjen pas rikonstruktimit të Komisariatit të Policisë Rinas, investimit në Njësinë e Pasagjerëve dhe projektit për aeroportin e Kukësit.

Ambasadori i shprehu Drejtorit të Përgjithshëm, gatishmërinë e tij për të ndihmuar Policinë e Shtetit, për sulmin kibernetik dhe ftoi një ekip ekspertësh për krimin ekonomik dhe kriptomonedhat, për një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura