Reformat për shtetin ligjor dhe klima e biznesit, Zvicra i jep Shqipërisë 105 milionë franga

May 14, 2022 | 7:19
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Zvicra i ofron mbështetje monetare Shqipërisë për forcimin e shtetit ligjor, si dhe për përmirësimin e klimës së biznesit.

281027155_409460227853948_910365851797492947_n

Me një fond prej 105 milionë franga, Zvicra do të mbështesë qeverinë shqiptare për zbatimin e reformave, të cilat do të përmirësojnë demokracinë dhe shtetin ligjor, klimën e biznesit dhe kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Fondi do të jetë për periudhën 2022- 2025 dhe do të mundësohet nga Programi i Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri.

Prezantimi i këtij programi u bë dje publik përmes një aktiviteti, ku ishte i pranishëm ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane, Patricia Danzi, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministra të qeverisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore.

Zvicra është një nga partnerët dhe donatorët dypalësh më të rëndësishëm për Shqipërinë veçanërisht në fushat e qeverisjes demokratike, mbështetjes makroekonomike, dhe shëndetësisë. Gjatë periudhës 2022- 2025, Shqipëria dhe Zvicra do të punojnë për orientimin e reformave dhe arritjen e rezultateve në katër fusha: qeverisje demokratike; zhvillim ekonomik i qëndrueshëm dhe punësim; shërbime infrastrukturore dhe ndryshimet klimaterike; dhe shëndetësi.

“Partneriteti është tipari thelbësor i bashkëpunimit tonë. Shumë nga ju – qeveria shqiptare, shoqëria civile, sektori privat, partnerët për zhvillim – morën pjesë në përpunimin e këtij programi të ri të bashkëpunimit. Ju falënderoj për kontributin. Ne kemi një pronësi të përbashkët të këtij programi. Ne gjithashtu shohim përpara drejt zbatimi të tij së bashku”, theksoi Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, Patricia Danzi.

Kurse ministrja Ibrahimaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen që ka dhënë në vite dhe vazhdon të japë për Shqipërinë.

“Mbështetja e partnerëve ndërkombëtare është e rëndësishme për të konsoliduar një kuadër të besueshëm makroekonomik, një mjedis të përmirësuar biznesi, miqësor me inovacionin, konkurrues e produktiv, si dhe që inkurajon punësimin e të rinjve. Të gjithë këto elementë do të shërbejnë që ekonomia në vijim të rritet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, falë edhe bashkëpunimit publikprivat”, u shpreh Ibrahimaj. Ministrja shprehu besimin se prioritetet e këtij Programi kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, zbatimin e reformave në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe sektorit privat, si dhe për progresin e Shqipërisë në arritjen dhe përmbushjen e standardeve dhe vlerave evropiane.

“Angazhimi financiar i parashikuar për periudhën 2022-2025 është 105 milionë franga zvicerane në formë grantesh. Kjo është një shifër jashtëzakonisht kuptimplotë e cila do të na shtyjë për të bashkëpunuar më mirë, për të bashkërenduar dhe koordinuar punën më mirë, ndërmjet qeverisë dhe të gjithë partnerëve tanë të zhvillimit, në mënyrë që burimet njerëzore dhe financiare të shkojnë aty ku duhet dhe të mos shpenzohen kot”, tha Ibrahimaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura