Reformat e mëdha kërkojnë njerëz të mëdhenj

Nov 17, 2019 | 10:41
SHPËRNDAJE

PELLUMB NAKOpellumb nako

Në kampin nazist të Mat’hauzenit ishte i internuar edhe një murator italian, me emrin Lorenco. Atë nuk e njeh as historia dhe as literatura botërore për ta cituar si shembull. Sepse Lorencoja ishte si shumë të ngjashëm të tij, me virtyte të përditshme dhe jo të jashtëzakonshme me përmasa heroike. Kushtet ekstreme të holokaustit që rënduan mbi Lorencon dhe shumë qenie të tjera njerëzore nuk arritën të thyenin dinjitetin e tij. Raportin që Lorencoja kishte ndërtuar ndërmjet vetes dhe profesionit. Konsideratën që kishte ai për punën e kryer. Atij i kërkuan të ndërtonte një pjesë të mirë të murit rrethues të kampit të vdekjes. Lorencoja ishte i pashpresë. E dinte që do të vinte momenti dhe do të vdiste. Po ashtu, ishte i ndërgjegjshëm që muri do t’u shërbente atyre që do ta digjnin në furrë. Por murin nuk e sabotoi. E ndërtoi të mrekullueshëm. Sepse Lorencoja nuk donte të bënte pazar me profesionin. Dinjiteti profesional, respekti për veten, nuk e lejonte të bënte punë dosido.

Për fat të mirë, në Reformën në Drejtësi, me gjithë vështirësitë e mëdha, nuk jemi në kushtet ekstreme si të Lorencos, por për fat të keq nuk jemi as në kushtet e dinjitetit të tij në respekt të profesionit.

Sepse Reforma në Drejtësi, e cila ka vite që ka filluar dhe po vazhdon të zhvillohet në vendin tonë, duket qartë që ka mangësi në praninë e njerëzve me përmasa më të përgjegjshme se protagonistët e saj në institucionet politike dhe më gjerë. Nuk bëhet fjalë për të pasur individë me tipare heroike të veçanta, por njerëz të zakonshëm me virtytet të përditshme ku përgjegjësia karshi misionit dhe detyrës së njërit prej pushteteve, siç është ai gjyqësor, të jetë në nivelin e dinjitetit të atij që e përfaqëson. Nëse ky i fundit do të ishte i lartë, në përputhje me misionin që ka drejtësia në çdo vend, sidomos në kushtet e vendit tonë kur ajo po rindërtohet thuajse nga e para, sot reforma do të ishte e përfunduar dhe e gatshme për t’u garantuar qytetarëve praninë e një pushteti, të cilin ka kohë që nuk e kanë parë pranë tyre. Sepse edhe politikëbërja nuk do të mund të dredhonte. Të njohësh në mënyrë të përkryer ligjet si dhe filozofinë mbi të cilën ato mbështeten, nuk mjafton të quhesh profesionist i mirë nëse nuk ke personalitetin e duhur dhe dinjitetin e lartë që i korrespondon. Sepse citimet përmendësh të teksteve ligjore nuk janë në gjendje të japin drejtësi, pa frymën me të cilën i zbatojnë njerëzit e ligjit. Një individ që bën kompromise për të hipur në majat e pushtetit gjyqësor, nuk është për asnjë moment i lirë në dhënie gjykimesh jashtë ndikimeve.

Ndaj dhe pyetja që pason, del e natyrshme. A kanë dinjitetin e duhur për të qenë profesionistë kandidatët që do të drejtojnë organet më të larta të drejtësisë së vendit tonë?

Jemi mësuar, dhe me të drejtë, që nënën e gabimeve të shohim te politikëbërja dhe politikanët. Por duket qartë që edhe ata që aspirojnë majat e pushtetit gjyqësor, janë në të njëjtën prerje me politikëbërësit dhe duket sheshit se ende nuk janë të gatshëm për të qenë pjesë e një pushteti të pavarur.

Edhe ata luftojnë për pushtet njëlloj si politikëbërësit, madje duke iu bashkangjitur si këpusha këtyre të fundit me çmimin e çdo kompromisi. Edhe mbi dinjitetin individual duke kompromentuar atë profesional. Në asnjë CV të pasur apo edhe të varfër nuk ka rubrika ku të paraqitet dinjiteti profesional i aplikuesit. Ai nuk është i matshëm. Megjithëse përbën gurin e peshores së drejtësisë së paanshme. Nëse këtë gjë politikëbërësit nuk kanë interes ta bëjnë, njerëzit e ligjit kanë shanse ta thyejnë.

A ka shembuj konkretë?

Sikur të ëndërronim diçka të bukur dhe të përfytyronim Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme që ditën e zgjedhjes së saj në Parlament, në mesin e tymrave të protestës së opozitës, në vend të fjalës “betohem” të kishte thënë: “I Nderuar Kryetar i Parlamentit, duke Ju falënderuar për këtë besim që po më jepni, lutem merruni vesh me njëri tjetrin dhe më pas më thirrni për votim mua ose dikë tjetër. Sepse për të kryer si duhet punën e organit ku po më propozoni duhet një person, për të cilin të ketë besimin e gjithë klasës politike e vendit dhe nëpërmjet saj gjithë shtresat e popullsisë që ato përfaqësojnë. Profesionalisht, pa këtë mbështetje, unë nuk mundem ta kryej dot detyrën”. Me siguri që pas këtij deklarimi virtual, mijëra vite larg mundësisë reale për një personalitet të tillë, ajo nuk do të ishte më kandidate. Ndërkohë, ndryshe nga Lorencoja, do të vazhdonte aktivitetin e saj diku atje në provincë ku jetonte. Por ndërkohë nuk do të ishte më e njëjta. Veprimi i saj do të përcaktohej nga koha dhe nga publiku i gjerë pa përjashtim si simboli i pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Si gur themel i parë në historinë e Shqipërisë, ku do të fillonte ndërtimi i tij. Me qëndrimin e saj do të fillonin gjithë tekstet e drejtësisë në vendin tonë.

Po ajo nuk e bëri këtë. Sepse i mungojnë virtytet. Edhe ata të përditshëm. Madje, në garën për prokuror ajo paraqet edhe një sondazh. Totalisht i pabesueshëm dhe me asnjë bazë profesionale, sepse kandidatja nuk ka dinjitet profesional. Lorencoja ishte thjesht një murator, por dinjiteti i tij nuk ka të krahasuar me prokuroren tonë, prej të cilës presim vizion dhe drejtësi.

E njëjta gjë edhe për gjyqtaren, e cila u zgjodh nga Parlamenti për në Gjykatën Kushtetuese. Edhe për të thanë se është juriste e shkëlqyer. Përplasja ndërmjet Parlamentit dhe Presidencës e detyroi atë të shkonte e të kryente betimin te noterja. Ç’rëndësi kanë njohuritë e shkëlqyera profesionale kur dinjiteti i saj profesional jep zgjidhje kaq të dyshimta? Po sikur ajo t’u drejtonte një letër të hapur të dyja institucioneve që në emër të dinjitetit të saj personal dhe profesional jepte dorëheqjen nga kandidatura? Sepse për të lënë mënjanë shembullin e Lorencos, le t’i referohemi gjyqtarit hetues francez Halfen. Ai dha dorëheqje publike për arsyen se ishPresidenti i ndjerë francez, Shirak, nuk u paraqit para tij lidhur me një çështje që e implikonte për një biletë avioni të së bijës.

Duket qartë që jemi ende larg për të pasur drejtim të pushtetit gjyqësor nga individë me dinjitet të lartë civil dhe profesional, kusht ky për të qenë të lirë në vendimmarrje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura