Reforma Zgjedhore/ Si do zgjidhen drejtuesit e rinj të KQZ, ja premtimi që ka marrë opozita e bashkuar nga Gjiknuri

Jun 25, 2020 | 10:48
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore përfundon amendimet në Kodin Zgjedhor pas 6 muajsh diskutime. Mbrëmjen e djeshme u dakordësua edhe formula e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KQZ-së, si dhe u dakordësua që Komisioni Rregullator i KQZ-së së re të nxjerrë aktet normative për votën e emigrantëve.

Bylykbashi-Vasili-Tryeza-Gjiknuri-Hajdari-Reforma-Zgjedhore-takimi-panorama (11)

Në mbledhjen e djeshme që zgjati më shumë se 4 orë maxhoranca ra dakord për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KQZ-së. Ajo është afërsisht siç është Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore. Gara për vendet e lira në KQZ do të shpallet nga Parlamenti.

Më pas do të ngrihet një Komision i Posaçëm Parlamentar, sipas rregullores së Kuvendit, me përbërje në mënyrë proporcionale nga të gjitha grupet parlamentare. Ndërkohë, për të futur opozitën e bashkuar në skemë, meqë prej dy vitesh ka djegur mandatet dhe është jashtë Parlamentit, është caktuar që në Komisionin e Posaçëm të ketë një përfaqësues të opozitës me të drejtë vote.

Ai do të përzgjedhë dy anëtarë nga 5 që ka Komisioni Rregullator i KQZ-së dhe 2 anëtarë nga 5 që ka Komisioni i Ankesave i KQZ-së, ndërsa shumica do të zgjedhë tre të vetët në Komisionin Rregullator dhe tre në Komisionin e Ankesave. Ndërkohë 10 anëtarët e zgjedhur do të votohen paketë në Parlament.

Po ashtu, përfaqësuesi i opozitës parlamentare do të përzgjedhë 2 nga 4 kandidatët që do të zgjedhë maxhoranca në Komisionin e Posaçëm për kryekomisioner të KQZ-së, ndërkohë më pas Parlamenti do të zgjedhë një prej tyre. Ndërsa nënkomisioneri, ashtu siç tha edhe Kryeministri, do të përzgjidhet nga opozita e bashkuar dhe do të merret konkretisht me implementimin e teknologjisë për identifikimin biometrik në zgjedhjet e ardhshme.

VOTIMI I EMIGRANTËVE

Këshilli Politik dakordësoi po ashtu që Komisioni Rregullator i KQZ-së do të nxjerrë akte normative për të mundësuar votimin e emigrantëve.

Për votimin e tyre do të duhet angazhim edhe nga ana e emigrantëve, ndërkohë që ata do të kenë një listë të veçantë. Kështu, që një emigrant të mund të votojë, ai do të duhet të regjistrohet në listën unike të emigrantëve që do të mundësohet online.

Më pas ai do të bëjë kërkesë për të votuar. Për detajimin e këtij procesi Komisioni Rregullator do të nxjerrë akte normative, të cilat do të duan shumicë të cilësuar votash. Pra minimalisht 4 nga 5 anëtarë që ka Komisioni.

MIRATIMI

Burime nga brenda mbledhjes thanë se opozita e bashkuar ka marrë premtimin nga përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, për ta miratuar draftin e amenduar të Reformës Zgjedhore sipas dakordësisë së arritur në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore.

Në përfundim të takimit, Gjiknuri u shpreh se teksti i marrëveshjes do të jetë gati brenda tri ditëve për t’i kaluar Parlamentit.

“Përfunduam punën për amendimet e Kodit Zgjedhor, ku gjetëm dakordësi për të gjitha pikat e mbetura. Plotësuam kërkesat e opozitës për ato garanci që kanë ekzistuar te ligji aktual, pavarësisht se disa nga standardet e ODHIR-it kërkonin ndryshime. Për ne është më e rëndësishme që ligji zgjedhor të reflektojë shqetësimet, frikërat apo edhe të kaluarën e afërt të opozitës, në mënyrë që të hyjmë në zgjedhje me një ligj të gjithëpranuar. Nga ana tjetër, ekspertët morën detyrë që ta zbardhnin këtë tekst dhe për dy-tri ditë teksti do t’i dërgohet Kuvendit.”, tha Gjiknuri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura