Reforma Zgjedhore, nga drafti konsensual te garancitë shtesë, si ndryshuan palët

Jun 2, 2020 | 13:27
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore dështoi që të mbyllte draftin konsensual brenda 31 majit, ashtu siç kishin premtuar vetë më herët.reforma

Megjithatë, puna për të bërë një Kod të ri Zgjedhor me dakordësinë e të gjitha palëve politike duket se do të vijojë më tej. Tashmë, i gjithë debati i përfaqësuesve politik në këshill është fiksuar te masa e implementimit të identifikimit biometrik, administrata zgjedhore, Gjykata e Zgjedhjeve dhe qeveria kujdestare. Javën e fundit pas rikthimit në tryezë, palët kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre fillestare.

TEKNOLOGJIA NË ZGJEDHJE

Që në 2017, kur u krijua Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore me dy bashkëkryetarë, maxhoranca dhe opozita, e cila në 2017 nuk kishte djegur në bllok mandatet, PD kishte si kërkesë identifikuese të saj implementimin e teknologjisë në zgjedhje. Kjo nënkuptonte që një qytetar, kur të shkonte në qendrën e votimit, të bënte identifikimin biometrik, më pas të votonte përmes një makinerie elektronikisht. Sipas PD-së, edhe numërimi të bëhej elektronik. Ndërsa maxhoranca kishte kërkesë identifikuese votimin e emigrantëve.

Por më vonë, pasi opozita e bashkuar doli jashtë Parlamentit, edhe puna për Reformën Zgjedhore u ndërpre deri në janar të këtij viti. Me ndërmjetësimin e ambasadorit të Britanisë së Madhe, Duncan Norman, u ngrit Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore me përfaqësues nga të gjitha palët politike. Në këtë këshill, kur i erdhi radha trajtimit të teknologjisë në zgjedhje, maxhoranca mbajti qëndrimin se koha e mbetur nuk mjafton që të implementohet identifikimi biometrik, votimi elektronik dhe numërimi elektronik. Pas disa mbledhjeve me diskutime, opozita e bashkuar u tërhoq nga propozimi fillestar dhe këmbëngul vetëm tek identifikimi biometrik.

Sipas opozitës, identifikimi biometrik pamundëson votimin më shumë se një herë dhe votimin pa qenë i pranishëm. Pas shumë debatesh, sipas burimeve diplomatike, mbrëmjen e 31 majit palët ranë dakord për implementimin e identifikimit biometrik në 100% të qendrave të votimit në Shqipëri që në zgjedhjet e ardhshme. Kjo bëri që debati i maxhorancës dhe opozitës të kalonte në një pikë tjetër të nxehtë, në administratën zgjedhore.

ADMINISTRATA ZGJEDHORE

Formula e përzgjedhjes së administratës zgjedhore mësohet se u bë shkaku kryesor që Këshilli Politik të dështonte të përfundonte në 31 maj siç palët kishin përcaktuar. Por çfarë kërkonin palët dhe ku u ndanë. Në draftin fillestar, ekspertët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore propozuan që të gjithë komisionerët/numëruesit e votave të ishin të depolitizuar dhe të zgjidheshin nga radhët e mësuesve, infermierëve apo edhe qytetarët të tjerë të Shqipërisë, të cilët do plotësonin disa kritere të vendosura nga KQZ.

Përzgjedhja e tyre do të bëhej me short në mënyrë rastësore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Me këtë formulë, maxhoranca synonte depolitizimin e administratës zgjedhore. Opozita e bashkuar e kundërshtoi këtë propozim të maxhorancës me arsyetimin se mësuesit dhe infermierët apo kushdo qoftë nga administrata shtetërore janë emëruar politikisht në rastin më të keq dhe në rastin më të mirë janë lehtësisht të shantazhueshëm nga partia në pushtet.

Në këto kushte, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili depozituan propozimin e tyre. Opozita kërkonte që nga 7 anëtarë që ka komisioni zgjedhor, 1 të ishte i depolitizuar e të zgjidhej nga KQZ dhe 6 të tjerë të propozoheshin nga partitë politike, tre nga maxhoranca dhe tre nga opozita me të drejtë vote. Propozimi i opozitës së bashkuar nuk u pranua nga maxhoranca, me arsyetimin se në rekomandimin e fundit të OSBE/ODHIR sugjerohet depolitizimi i administratës zgjedhore.

Pas shumë debatesh dhe diskutimesh, edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, sipas burimeve, PS erdhi me një propozim konsensual. Propozimi i maxhorancës sanksiononte që tre komisionerë të zgjidhen nga KQZ me short dhe të jenë të depolitizuar, çka nënkupton se ata do të vijnë nga radhët e administratës publike etj. Ndërsa 4 të tjerë të propozohen nga partitë politike, përkatësisht dy nga maxhoranca dhe dy nga opozita, por me kushtin që komisionerët politikë të mos kenë rol vendimmarrës, por vetëm si vëzhgues.

OPOZITA

Por, sipas opozitës së bashkuar, në kushtet kur mungojnë shumë garanci për standardet e zgjedhjeve, duke nisur që nga identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik në të gjithë vendin, opozita ka kërkuar një garanci më shumë: Partitë politike të kenë përfaqësi të barabartë në komisionet e depolitizuara me statusin e vëzhguesit, pa të drejtë vendimmarrje. Opozita propozon që aplikimi i kësaj formule të re të jetë e lidhur me futjen e teknologjisë në zgjedhje. Pavarësisht ndërmjetësimit të ambasadës së SHBA, palët nuk arritën dje që të gjenin dakordësinë.

Ndërkohë, për t’u diskutuar mbetet edhe propozimi i opozitës për Gjykatën Zgjedhore dhe qeverinë tranzitore. Sa i përket Kolegjit Zgjedhor, së fundmi opozita kërkon që këtë rol ta marrë Gjykata Kushtetuese, pasi ka më shumë garanci. Më herët, PD dhe aleatët kërkuan që gjyqtarët e Gjykatës Administrative të Apelit që zgjidheshin në Kolegjin Zgjedhor të pezulloheshin nga vetingu për një periudhë 5-vjeçare, pasi në gjetjet e fundit OSBE thoshte se gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor u vunë nën presionin e vetingut.

Ndërsa sa i përket qeverisë kujdestare, opozita kërkon që 100 ditë para zgjedhjeve të krijohet një qeveri kujdestare për organizimin e zgjedhjeve. Kjo do të vijojë deri në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura