Reforma Zgjedhore/ Nënkryetari i PR flet për marrëveshjen: Iu përgjigjëm Bundestagut. Ka ardhur koha për …

Jan 17, 2020 | 14:05
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i Partisë Republikane, Blendi Sulaj, deklaroi dje se opozita pranoi të ulej në një tryezë me maxhorancën për Reformën Zgjedhore, për të nxjerrë vendin nga kriza politike.

Nënkryetari i Partisë Republikane, Blendi Sulaj
Nënkryetari i Partisë Republikane, Blendi Sulaj

Sipas Sulajt, kjo ishte pika e vetme në të cilën mund të angazhohej opozita e bashkuar për të përmbushur rekomandimet e bëra nga Bundestagu gjerman, tetorin e vitit të kaluar. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai ka folur edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

INTERVISTA

Të martën, opozita e bashkuar arriti marrëveshjen me maxhorancën për mekanizmin që do të përdoret për të mbyllur Reformën Zgjedhore. PR-ja është një nga aleatet më të vjetra të PD-së. A kishit dijeni ju për këtë tryezë më herët, u surprizuat?

Mendoj që më tepër se sa tryeza, në këtë moment rëndësi merr arritja e një bashkëpunimi fillestar ndërmjet palëve dhe në vazhdimësi të këtij bashkëpunimi, mendoj që opozita do të paraqesë të gjitha alternativat e nevojshme për të arritur një zgjidhje të krizës politike në vend.

Në dokumentin që prodhoi tryeza, thuhej se krijohet kolegji politik dhe grupi i punës për Reformën Zgjedhore. Keni dijeni ju si do të vijohet më tej puna mes maxhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore?

Mendoj që grupi i eksperteve të opozitës, që është një grup shumë i mirë dhe kanë bërë një punë të shkëlqyer, kanë përcaktuar qartë etapat mbi të cilat do të kalojë ky proces, por e rëndësishme është që puna të vazhdojë me të njëjtin vullnet që nisi dhe palët, me ndryshimet që do të bëjnë, të prekin realisht problemet e hasura gjatë viteve. Përfshirja e sa më shumë aktoreve në këtë fazë, për të dhënë mendimin e tyre, është një hap i cili mund të sjellë vetëm përmirësim të draftit përfundimtar.

Pas tryezës së ditës së martë, në rrjete sociale ka pasur shumë reagime, që e kanë cilësuar këtë lëvizje si një 17 maj të dytë. Si e gjykoni ju hapin që u ndërmor?

Unë nuk mendoj që ka situata të njëjta me atë të majit të vitit 2017, pavarësisht se nuk e kam konsideruar asnjëherë si një gabim marrëveshjen politike të majit 2017, por mendoj që ishte maksimumi që mund të arrinte opozita në atë moment, përballë të gjithë presionit nga ndërkombëtarët. Në historinë politike botërore, nuk kemi parë palë të cilat janë të ndara në politikë përgjithnjë, për aq kohë sa politikanët përfaqësojnë interesat e qindra mijërave qytetarëve. Ata nuk mund të gjykojnë më në rrafshin individual dhe për aq kohë sa një ndër rekomandimet e Bundestagut gjerman ishte që palët të ulen me njëra-tjetrën, mendoj që është gjëja më e mirë që u ulën dhe nëpërmjet kësaj, t’i japin zgjidhje situatës politike.

Në deklaratat e mëparshme, opozita ka deklaruar si një nga kushtet largimin e z. Gjiknuri nga grupi i punës për reformën. Çfarë ndodhi që ndryshuat qëndrim? Ishte kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë?

Kushti ynë kryesor është largimi i Ramës dhe mendoj që zgjedhjet e lira e të ndershme për largimin e Ramës, vijnë nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje për kodin zgjedhor.

Si mendoni, si del opozita e bashkuar nga ky proces, më e fortë apo humb besimin te mbështetësit e saj?

Opozita, sot që flasim, është krahu politik që ka mbështetjen më të madhe të qytetarëve, më shumë se çdo forcë tjetër politike. Unë mendoj që në rast se zgjedhjet mbahen në një kohë të shpejtë, Rama do të humbasë padyshim pushtetin e tij. Opozita duhet menjëherë pa humbur kohë të zbresë në terren dhe të shkojë te qytetarët. Në fund, pavarësisht zgjidhjeve të ndryshme që japin politikanët në letër, e rëndësishme është që pushtetin ta sjellin qytetarët në terren.

Mendoni se kjo marrëveshje dhe Kodi i ri Zgjedhor do prodhojë zgjedhje të ndershme?

Unë mendoj që vullneti politik i palëve për të arritur standardet maksimale, mund të sjellë zgjedhje të ndershme me çdo kod zgjedhor, që mund të jetë në Shqipëri. Personalisht, gjithmonë kam menduar që në Shqipëri ka ardhur koha të ketë një kod zgjedhor maxhoritar të pastër, ku të gjithë të votohen për atë që kanë bërë dhe për atë që premtojnë se do bëjnë. Ku të gjithë të provohen sa vlejnë në popull dhe sa e marrin besimin e qytetarëve.

A do t’i qëndrojë deri në fund opozita kërkesës për zgjedhje të parakohshme?

Zgjedhjet e parakohshme janë jo vetëm një qëndrim i palëkundur i opozitës, por dhe një nevojë e jashtëzakonshme për të rikthyer demokracinë në vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura