Reforma Zgjedhore/ Ç’ndodhi në takimin 60 minuta të ekspertëve të ODIHR me maxhorancën dhe opozitën

Feb 12, 2020 | 8:43
SHPËRNDAJE

Dy ekspertët e ODIHR-it, të kërkuar nga komisioni i Reformës Zgjedhore, janë që dje në Tiranë. Ata zhvilluan dje një takim me bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari nga Parlamenti dhe Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili nga opozita.ekspertet reforma

Takimi, në një nga hotelet e kryeqytetit, zgjati për rreth 30 minuta dhe u zhvillua pa praninë e mediave. Ndërkohë, në përfundim të takimit, deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, u shpreh optimist se Reforma Zgjedhore do të përfundojë brenda afatit të caktuar.

“Një lajm i mirë është që ODHIR ka dërguar ekspertë permanentë, që do të shoqërojnë punën e të gjithë e procesit të Reformës Zgjedhore deri në mars. Ata do të jenë këtu për të ndihmuar dialogun mes palëve. Nesër kemi një takim tjetër ku besoj se do të diskutojmë disa propozime të opozitës, siç kanë deklaruar”, tha Damian Gjiknuri. Ndërsa përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi, sqaroi se në takimin e parë me ekspertët e ODIHR u diskutuan modalitetet e punës së tryezës së Reformës Zgjedhore.

“Diskutuam modalitetet e bashkëpunimit. Sigurisht që objektivi ynë është që të arrijmë konsensusin bazuar mbi standardet më të mira të OSBE-së, që zgjedhjet e ardhshme të jenë absolutisht një gjë e kundërt nga ajo që kanë parë më 30 qershor”, tha Bylykbashi në një prononcim të shkurtër për mediat pas takimit.

Ndërsa sipas deputetes Hajdari, tryeza e Reformës Zgjedhore do të marrë parasysh draftet e përgatitura gjatë punës së komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore gjatë kohës që drejtohej nga Bylykbashi dhe Gjiknuri si dhe draftet e përgatitura së fundmi. “Ishin dy ekspertë që kanë ardhur nga ODIHR. Kishin një përvojë shumë të gjatë. Sot ishte thjesht një prezantim i tyre, ndërkohë takimet do të vazhdojnë nesër së bashku me ekspertët. Do merren parasysh draftet e ndryshme. Si ato që kanë kaluar në tryezë, dhe ato të mëparshmet”, tha Hajdari.

EKSPERTËT

Dy ekspertët e ODIHR mbërritën në Shqipëri pas kërkesës së dy bashkëkryetarëve të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, pas dakordësisë së tryezës katërpalëshe të Reformës Zgjedhore. Ata do të shërbejnë si “ndërmjetësues” mes palëve në pikat që nuk gjejnë dakordësi dhe do të jenë monitorues nëse dokumenti përfundimtar do të ketë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Sa u përket ekspertëve për këtë reformë, deri më tani janë bërë publike emrat e ekspertëve. Të përzgjedhurit janë Arjan Madhi-PR; Shkëlqim SuloPDIU; Muharrem Caka-LSI dhe Ivi Kaso-PD. Ndërkohë, Ilir Rusmajli dhe Viktor Gumi janë dy emrat e tjerë të ekspertëve nga Komisioni i Reformës zgjedhore, që kanë qenë dhe do të vijojnë.

Sa u përket emrave të maxhorancës, nuk dihen ende. Reforma Zgjedhore pritet të përfundojë më 15 mars, por kjo datë është parë së fundmi si ambicioze, pasi çështjet që duhet të adresohen janë të shumta.

KOMISIONI I REFORMËS ZGJEDHORE, KONSULTIME NË BRITANINË E MADHE

Përfaqësues të tryezës së Reformës Zgjedhore nga të gjitha palët politike zhvilluan pak ditë më parë një vizitë në Britaninë e Madhe, për ekzaminimin nga afër të përvojës së sistemit të financimit politik në Britaninë e Madhe. Së bashku me ta ishin të pranishëm edhe përfaqësues të KQZ-së dhe të shoqërisë civile. Përmes një statusi në “Facebook”, deputetja Blerina Gjylameti sqaroi se gjatë qëndrimit atje është diskutuar për financimin e partive. “Forcimi i transparencës është një nga pikat bazë të diskutimit për përditësimin e mekanizmave të raportimit të financave politike, me qëllim rritjen e standardit zgjedhor”, shkroi Gjylameti. Në janar të këtij viti, pas një pune intensive të faktorit ndërkombëtar në vendin tonë, maxhoranca dhe opozita arritën dakordësinë për të gjetur instrumentin për përfundimin e Reformës Zgjedhore.

ALEATËT, KËRKESA TË REJA BASHËS

Kryetarët e partive të qendrës së djathtë i kërkuan javën e kaluar kryedemokratit Lulzim Basha një formulë të re për koalicionet. Përmes një dokumenti që ia prezantuan kryedemokratit Basha, ata i kërkuan që në Kodin Zgjedhor të përfshihet një dispozitë që brenda koalicionit të ketë edhe grupim partish që të garojnë me një sigël. Kryetarët e PR, LZHK, PBDNJ dhe PDK shprehen se një formulë e tillë do të maksimalizojë votat e partive të vogla në qarqe. Sistemi aktual i penalizon partitë e vogla në qarqet ku nuk ka shumë deputetë. Kjo erdhi si një kërkesë e partive të vogla, pasi nën zë është arritur një dakordësi që të mos ndryshohet sistemi zgjedhor. Ndërkohë, kryedemokrati Basha është shprehur i gatshëm për ta shqyrtuar kërkesën e tyre, por pa u dhënë fjalën nëse do ta bëjnë pjesë të Kodit të ri Zgjedhor.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura