Reforma Zgjedhore, BE apel politikës për bashkëpunim: Lërini bllokimet

Oct 10, 2018 | 12:15
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë i bënë thirrje politikës shqiptare të bashkëpunojnë për Reformën Zgjedhore si kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

zgjedhje-reforma-zgjedhore-Balla-Fino

Apeli erdhi gjatë tryezës së organizuar nga Komisioni Parlamentar Ad Hoc për Reformën Zgjedhore, ku mungonte opozita dhe të pranishëm ishin vetëm deputetët e maxhorancës. Ambasadorja gjermane që është financuesja kryesore e kësaj reforme e quajti bllokuese sjelljen e opozitës.

“Lërini bllokimet, përfundoni Reformën Zgjedhore sepse është kusht i BE-së. Duke pasur parasysh vendimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit vitin që vjen, është e rëndësishme që të mos humbni kohë. Ne presim që të gjithë grupet parlamentare, duke përfshirë edhe opozitën të heqin dorë nga qëndrimi bllokues dhe të kthehen në Parlament për të vijuar menjëherë me Reformën Zgjedhore dhe për ta bërë atë të zbatueshme deri në zgjedhjet e ardhshme vendore”, u shpreh Susanne Schütz, ambasadore e Gjermanisë në Tiranë.

Ambasadori i ri i BE-së nuk ishte i pranishëm në tryezë, por e shprehu qëndrimin e tij përmes një deklarate për shtyp.

“Ne presim që partitë politike të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, duke u angazhuar në mënyrë gjithëpërfshirëse për të trajtuar rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR-it. Në Komisionin Parlamentar AdHoc është bërë një punë shumë e mirë për Reformën Zgjedhore. Këto përpjekje duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, me ndryshime në ligjin zgjedhor, të miratuara në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019”, është shprehur ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Në një linjë ishte dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë.

“Mirëpresim vënien në tryezë të një drafti për ndryshime në Kodin Zgjedhor. I nxisim të gjithë aktorët politikë të përfshihen në dialog konstruktiv në lidhje me këtë draft. Mund të gjenden edhe mënyra të tjera për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHRit, dhe sugjerime të detajuara nga aktorë të tjerë politikë do të ishin ndihmë për nisjen e një dialogu domethënës” u shpreh Bernd Borchard, ambasador i OSBE-së. I përzgjedhuri i Partisë Demokratike për të shkruar amendamentet për Reformën Zgjedhore, Ilir Rusmajli, jo vetëm që nuk mungoi, por ftoi edhe partinë e tij të rikthehet në Kuvend.

“Mua më vjen keq që opozita nuk është këtu në këtë tryezë, dhe jo sepse nuk është këtu me këta njerëz në këtë sallë, por që mungon në dialog. Unë ju bëj thirrje ju përfaqësuesve të maxhorancës, që jeni këtu, të mos lodheni së kërkuari për të gjetur aksesin tek opozita. Nuk është asnjëherë vetëm faji i njërës palë mungesa e dialogut, kurrë. Mos e leni t’u digjet kjo mundësi e artë për dialog në Shqipëri”, u shpreh Rusmajli.

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura