Reforma për pronat, Rama: Banda kriminale në drejtësi ka bërë kasaphanë me Shqipërinë

Jul 16, 2015 | 11:14
SHPËRNDAJE

Reforma për kthimin dhe kompensimin e pronave është prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama i cili duke folur për rëndësinë e kësaj çështje, tha se sistemi i drejtësisë ka bërë një kasaphanë me pronat gjithë këto vite. Sipas tij, banda e gjyqtarëve “ka operuar si një organizatë kriminale. Dhe kur them bandën s’kam parasysh gjithë gjykatësit”,- tha ai.

“…Kjo bandë kriminale në sistemin e drejtësisë që ka bërë një kasaphanë, duke kthyer prona kujt nuk i takon dhe duke i mohuar të drejtën e pronës kujt i takon. Jo më larg se pak kohë më parë, u ndeshëm me një anëtare të kësaj bande që kthen 500 hektarë në një zonë me pronë shtet dhe me potencial turistik, me një të rënë çekiçi, në një zgëqe quajtur sallë apo zyrë gjykatësi, dhe parafytyroni sa të tilla kanë ndodhur githë këto vite…i kanë dalë pronarë edhe kalave, kështjellave…”

Kryeministri Edi Rama duke folur per reformen e pronave

Rama paralajmëroi një gjyq të madh për përgjegjësit e kësaj kasaphane me pronat. Pasi akuzoi edhe Prokurorinë për rolin e saj në këtë çështje.

“Edhe prokuroria pasi gjykon për tituj pronësie të falsifikuar, nuk kërkon asgjësimin e tyre, kjo historia e veprave të parashtruar do një trajtim më vete. I ashtuquajturi pronar vazhdon pasurohet…ktu është një thelb që ne do e diskutojmë qoftë me prokurorinë, me publikun, për t’i hapur rrugë publikut shqiptar dhe gjeneratave që do e trashëgojnë këtë vend që e kthyen në një zhele, të mashtrusave me tituj pronësie të falsifikuar dhe të pushtetarëve të cilët verbërisht bashkëpunuan në gjithë këtë proces. Batërdia gjatë padive të ngritura për njohjen e pasurive, që ka kthyer prona si të ishte shtet, është një arsye themelore për të bërë një proces transparence dhe një gjyq të madh për të gjithë këta personazhe që nuk kanë lënë gjë pa i bërë Shqipërisë, dhe kanë përfituar nga një pushtet abuziv…nga një ligj në 2004, me 32 nene që 24 herë u ndyrshua…kush ka gjetur shesh ka bërë përsheshin e vet…”

Kryeministri theksoi se aq me rëndësi është kjo çështje, e vendosur si prioritet edhe nga BE-ja, sa që mund të rrezikojë edhe vendin në familjen e madhe evropiane.

“Ose zgjidheni ose rrini lidhur pas vetes se vend në BE ju nuk keni. Kaq e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë është kjo”,- tha shefi i qeverisë.

Sipas Ramës, “Historia e pronës e Shqipërisë së re, është ajo e një absurdi që ka pasur dy palë, nga njëra anë individë që kanë arrit të trashëgojnë edhe amfiteatrot e antikitetit dhe nga ana tjetër një shtet që ka arritur të bëjë me pronën çorapin më të paimagjinueshëm në gjithë historinë e raporteve me pronën mes shteteve dhe individëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura