Reforma për arsimin e lartë, peticion në Kuvend

Apr 17, 2015 | 22:38
SHPËRNDAJE

Ndërsa projektligji i arsimit të lartë pritet t’i nënshtrohet shqyrtimit nen për nen në Komisionin e Medias dhe Arsimit, të tjera kundërshtime vijnë mbi disa pika të reformës.

Forumi për Lirinë Akademike, i mbledhur një ditë më parë në ambientet e Fakultetit të Histori-Filologjisë, parashtroi disa kërkesa për draftin, për të cilat ata mendojnë se duhet të ndryshohen përpara votimit në Kuvend. Ata bënë thirrje për më shumë liri akademike e autonomi për universitetet publike, favorizim të këtij të fundit në raport me ato private dhe një qartësim të rolit të Bordit dhe Senatit Akademik.

Këto i bëri me dije kreu i Forumit për Liri Akademike, pedagogu Mark Marku, i pakënaqur me variantin e fundit të draftit të prezantuar. “Projektligji ka probleme thuajse në të gjitha nenet e tij. Kërkesat tona me 200 faqe dërguar komisioneve nuk janë dëgjuar fare, madje janë injoruar. Ne mendojmë se ky projektligj e kthen pas universitetin publik”. Për më tepër, pedagogët pretendojnë se projektligji për arsimin e lartë është hartuar për interesa të caktuar dhe jo nga ekspertë të pavarur, siç pretendon Ministria e Arsimit.

Forumi për Liri Akademike kërkuan që i gjithë projektligji t’i nënshtrohet një diskutimi të mirëfilltë, ku të jenë të pranishme edhe grupet e interesit, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira për universitetin publik.

 PETICIONI

Pedagogë të Forumit për Lirinë Akademike kanë nënshkruar një peticion, me anë të të cilit kërkojnë që projektligji për arsimin e lartë të rishikohet përpara se të miratohet nga Parlamenti. “Deri më tani kanë firmosur pjesa më e madhe e pedagogëve dhe brenda pak ditësh do ta dërgojmë në Kuvend. Jemi të gatshëm që për këtë çështje t’u drejtohemi edhe institucioneve ndërkombëtare”, vuri në dukje profesori i Gazetarisë, Mark Marku. Në të njëjtën linjë shprehen edhe pedagogë të tjerë, pjesë e Forumit. Akademiku Artan Fuga thekson se nuk ka pasur një debat të mirëfilltë për draftin dhe se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Ndaj është vendosur që t’i drejtohen Parlamentit. “Kuvendit t’i thuhet se ideja se projektligji është hartuar nga një komision i pavarur është një gënjeshtër piramidale. Nuk kemi marrë një herë përgjigje, debat shurdh, nuk ka konsultim aktorësh, kulturë juridike, ekspertë të pavarur, asgjë”.

Veç të tjerash, profesor Fuga thekson se në projektligj ka edhe mbivendosje kompetencash dhe gabime të rënda juridike e logjike, duke e arsyetuar kështu: “Anëtarët që do të zgjidhen në bord dhe që do të vijnë nga fakultetet apo njësitë bazë, do të përzgjidhen nga Senati. Por këta, pasi bëhen anëtarë të bordit, këta i mbivendosen Senatit dhe mund të kthejnë vendimet e tij. Në një institucion të organizuar nuk mund të ndodhë që atij, të cilit i delegohet një pushtet dhe që i mohohet nga një instancë më e lartë, të marrë kompetenca mbi instancën që e ka përzgjedhur. Kjo është e pamundur”. Në fund të takimit, pedagogët përfaqësues të Forumit për Lirinë Akademike thanë se mbështesin edhe zërin e studentëve, të cilët kanë kërkuar që reforma e arsimit të lartë të mos kalojë, pasi nuk lejon përfaqësimin e tyre.

NGA BESARTA BASHA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura