Reforma në OSHEE, testohen 600 punonjës të Tiranës

Oct 31, 2017 | 9:54
SHPËRNDAJE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur reformën në sektorin e burimeve njerëzore. Sikurse deklaroi dy javë më parë, Administratori i Përgjithshëm Adrian Çela, kur shpalli publikisht konkursin për 11 vendet në pozicion “drejtor rajonal”, kompania e shpërndarjes ka nisur testimet e para për punonjësit e terrenit.

oshee testim

Kështu, OSHEE Tiranë, ka testuar deri më tani 400 punonjës, kryesisht elektricistë, verifikues matjesh, analist të dhënash, etj,.

Drejtori për Rajonin e Tiranës, z.Klevis Jahaj, deklaroi se testimet do të vijojnë, dhe brenda kësaj jave nisin për 200 punonjësit e Kujdesit ndaj Klientit dhe Arkave.

Procesi i testimit konsiston në formimin e përgjithshëm, jo vetëm nga ana teorike, por dhe në nivelin praktik të kryerjes së funksioneve, përfshi edhe njohuritë mbi sigurimin teknik që janë shumë të nevojshme, veprime që kryhen në lidhje me pajisjet elektrike, etj.

“Jemi duke përpunuar rezultatet e testimit, për 400 punonjësit e parë të Tiranës. Qëllimi është për të identifikuar, jo vetëm përputhshmërinë me profilin që kanë marrë përsipër të realizojnë pranë OSHEE,  por dhe për të parë nevojën për trajnime të mëtejshme. Nëse ka punonjës që nuk janë në përputhshmëri me kërkesat e kompanisë, pa diskutim do të ketë dhe vendimmarrje me largime nga puna”, deklaron Jahaj.

Faza e dytë e testimit do të përfshijë pozicionet në nivele menaxheriale, përputhshmëria e pozicionit të punës me arsimimin. I gjithë procesi për Tiranën pritet të mbyllet brenda muajit Nëntor, dhe se pritet të shtrihet në të gjitha drejtoritë rajonale.

Reforma te burimet njerëzore, hapi i radhës dhe kryesor, pas stabilizimit të treguesve ekonomik të kompanisë, konsiderohet mjaft i rëndësishëm dhe do të vijojë të shoqërohet me ndryshime të vazhdueshme, në kuadër të ligjit të ri për energjinë elektrike që sjell ndryshime strukturore në mënyrën e menaxhimit të kompanisë OSHEE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura