Reforma në drejtësi vlerësohet kusht për integrimin e Shqipërisë në BE

Nov 26, 2015 | 18:01
SHPËRNDAJE

Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Shkodër tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile të pranishëm në këtë veprimtari.

CekjaNë fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja e Republikës Çeke, Bronislava Tomasova vlerësoi se kjo reformë është vendimtare jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE, por ajo është thelbësore edhe për funksionimin e duhur të Shqipërisë si shtet.

“Një shtet duhet të sigurojë drejtësinë për qytetarët e tij. Ky është parimi kryesor i pushtetit gjyqësor në çdo shtet. Një shtet i cili ofron shërbime për qytetarët. Gjë që sektori i drejtësisë patjetër duhet ta bëjë.

Një shtet i cili krijon një ambient të përshtatshëm për biznesin dhe investimet. Kjo është sërish e lidhur direkt me forcën e sundimit të ligjit dhe funksionimin e gjyqësorit. Një shtet i cili lufton me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kjo përsëri nuk është e mundur pa një sistem profesional, të pavarur, të përgjegjshëm dhe efikas të drejtësisë”, tha Tomasova.

Ambasadorja e Republikës Çeke deklaroi se reformimi i sistemit të drejtësisë është kusht kryesor për hapjen e negociatave BE-së me Shqipërinë.

Sipas Tomsasova, qëllimi në vetvete i kësaj reforme nuk është përmbushja e kushtit të BE-së për dhënien e një tjetër çmimi Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE, por themelimi i një sistemi funksional të gjyqësorit, ku ndërhyrjet politike apo të tjera nuk do të jenë të mundura. “Kam vlerësuar shumë angazhimin aktiv të shumicës dhe të opozitës në hartimin e propozimeve për reformën.

Unë jam e vetëdijshme se partitë politike nuk ndajnë pikëpamje të njëjta në lidhje disa elemente të reformës, por unë shpresoj se opinioni i lëshuar nga Komisioni i Venecias së bashku me konsultimet aktuale do të krijojnë një bazë solide për kompromis.

Është e qartë se pa reformën në drejtësi nuk do të ketë progres të mëtejshëm në integrimin në BE të Shqipërisë. Dhe është e qartë se e gjithë klasa politike mban të njëjtën përgjegjësi për të: para bashkësisë ndërkombëtare dhe kryesisht para qytetarëve te saj”,  theksoi znj. Bronislava Tomasova.

Eksperti i Nivelit të Lartë, z. Gent Ibrahimi, sqaroi kompetencat që do të marrë  Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në kuadrin e një sistemi të pavarur nga politika.

Ndërsa Eksperti Ardian Vishaj prezantoi disa nga risitë që përmban projekti për amendamentet kushtetuese lidhur me drejtësinë penale.

Pas prezantimeve të pranishmit u ftuan të japin mendimet e tyre përsa i përket amendimeve kushtetuese, të cilat u mbajtën shënim nga ekspertët.

Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes online të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura