Reforma në drejtësi, shtohen gjykatat me ndarjen e re territoriale

Aug 3, 2015 | 12:20
SHPËRNDAJE

Ndarja e re administrative-territoriale do të sjellë rishpërndarjen e trupave të gjyqtarëve në 61 njësitë e reja vendore. Grupi i ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, që po punojnë për reformën në Drejtësi, sugjerojnë në draftstrategjinë e përgatitur që shpërndarja e gjyqtarëve në njësitë e reja vendore të bëhet në raport me numrin e popullsisë.

Komisioni i Reformës në Drejtësi
Komisioni i Reformës në Drejtësi

“Riorganizim dhe shpërndarje e gjykatave dhe gjyqtarëve në përputhje me ndarjen e re territoriale, raportin e tyre me numrin e popullsisë dhe fluksin e çështjeve në përputhje me standardet europiane”, sugjerojnë ekspertët në draft-strategjinë e tyre. Në thelb të këtij ndryshimi që do të riformatojë pjesën më të madhe të grupit të gjyqtarëve në të gjitha gjykatat e vendit, qëndron gjykimi në kohë dhe me profesionalizëm i çështjeve që do të jenë për gjykim. Ekspertët kërkojnë që nëpërmjet këtij ndryshimi, të shmangin edhe komandimin e gjyqtarëve, që ka rezultuar mjaft problematik në të kaluarën. Ndarja e re territoriale pritet të sjellë ndryshime edhe në aspektin organizativ të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Kështu, ekspertët kërkojnë në draft-strategji që kjo gjykatë të riorganizohet për pranimin e padive në dy nivele. Në nivelin e parë, i cili do të jetë në rang rrethi, do të pranohen paditë me vlerë të vogël, padi pa palë kundërshtare dhe çështje të thjeshta administrative. Kurse në nivelin e dytë, që do të jetë në rang qarku, do të gjykohen të gjitha çështjet e tjera dhe ankimet ndaj vendimeve të gjykatave të rrethit.

PROCEDIMI
Draft-strategjia e përgatitur nga ekspertët për reformimin e sistemit të Drejtësisë përcakton edhe mënyrën sipas së cilës do të bëhet procedimi disiplinor ndaj gjyqtarëve që do të gjenden me shkelje. Fillimisht ekspertët përcaktojnë rregulla të qarta për hyrjen e gjyqtarëve në sistem, duke u fokusuar te meritokracia, kualifikimet, integriteti, aftësia profesionale dhe pastërtia e gjendjes gjyqësore.

Ndërkohë për shkeljet e konstatuara nga gjyqtarët, kërkohet ngritja e një inspektorati të pavarur të ngarkuar me përgjegjësinë për të hetuar shkeljet disiplinore të gjyqtarëve. Procedimi penal disiplinor ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve pas miratimit të reformës në Drejtësi pritet të realizohet në dy nivele gjykimi. Fillimisht gjyqtarët dhe prokurorët do të japin shpjegime për shkeljet për të cilat do të procedohen në shkallën e parë të gjykimit, që do të jetë ajo e Këshillit Gjyqësor, strukturë brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ndërsa shkalla e dytë me të cilën do të përballen gjyqtarët dhe prokurorët që do të procedohen do të jetë Tribunali Disiplinor. Ky do të jetë një organ ad hoc, i përbërë nga anëtarë dhe zëvendësanëtarë (gjyqtarë aktivë shumica dhe jogjyqtarë pakica). 

Halimi fton juristët për platformën e reformës në Drejtësi

Nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Eduard Halimi, ka bërë dje publike ofertën e PD-së për bashkëpunim me të gjithë ekspertët e fushës së Drejtësisë për përgatitjen e platformës që opozita do të paraqesë për këtë reformë. Për gjatë gjithë muajit gusht, ekspertët e opozitës do të punojnë për përgatitjen e një platforme të tyre për reformën në Drejtësi, të cilën kanë deklaruar se do ta paraqesin para komisionit në muajin shtator.

Deputeti demokrat u kërkoi të gjithë juristëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve që për një ditë të ishin deputetë të Kuvendit dhe të jepnin kontributin e tyre për realizimin e një platforme të plotë. “Kolegë juristë të rinj apo me përvojë të gjatë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë, noterë, përmbarues, ekspertë të të drejtave të njeriut e studente. PD po përgatit platformën e saj të plotë të reformës në Drejtësi. Secili që mendon se mund të kontribuojë në këtë proces, të japë opinionin e vet, sugjerimin e tij konkret për këtë reformë të rëndësishme, apo duke e menduar veten e tij një ditë deputet të Kuvendit”, ka deklaruar Halimi.

Nënkryetari i Komisionit të Drejtësisë e çmon si shumë të vlefshme kontributin që ekspertët mund të japin në këtë platformë, duke theksuar se heshtja dhe qëndrimi pasiv nuk ndihmon askënd, për një proces të rëndë- sishëm për të ardhmen europiane të vendit.

Pasuritë e gjyqtarëve, rritet kontrolli

Realizimi i ndryshimeve të sugjeruara në draft-strategjinë e përgatitur nga ekspertët për reformën në Drejtësi parashikon rregulla strikte për hetimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Fillimisht do të përmirësohet sistemi i deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe konfliktit të interesave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe më pas do të hartohen dispozita që parashikojnë si kusht detyrues kontrollin e detajuar të pasurive. Pas realizimit të reformës, do të bëhet një ndarje e qartë e kompetencave mes KLD-së dhe ILDKPKI-së sa i takon kontrollit të deklaratave të pasurive së gjyqtarëve.

Ndryshimet ligjore do të përcaktojnë se një ndër shkaqet e nisjes së procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë edhe mosdeklarimi, deklarimi tej afateve ose deklarimi jo i plotë i pasurisë dhe konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të detyrës. Për të shmangur mbrojtjen nëpërmjet imunitetit gjatë hetimeve, ekspertët sugjerojnë që të rishihet imuniteti i parashikuar në Kushtetutë, duke synuar heqjen e tij të plotë ose kufizimin e mëtejshëm ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Shpërndarja dhe procedimi i gjyqtarëve

• Riorganizimin dhe shpërndarjen e gjykatave dhe gjyqtarëve në përputhje me ndarjen e re territoriale, raportin e tyre me numrin e popullsisë dhe fluksin e çështjeve në përputhje me standardet europiane.

• Shtrirjen kapilare të shërbimit gjyqësor në të gjithë territorin e banuar të Republikës dhe zgjerimin e gamës së mosmarrëveshjeve që gjykohen nga një gjyqtar i vetëm.

• Përcaktimin më të qartë ligjor të juridiksionit të të gjitha llojeve të gjykatave (civile, administrative e penale) për të evituar konfliktin e kompetencës, mbingarkesën e disa gjykatave, tejzgjatjen e gjykimit dhe për të minimizuar komandimin e gjyqtarëve, sidomos nga gjykatat e zakonshme tek ato të specializuara.

• Rishikimin e kufijve të kompetencës shqyrtuese të Gjykatës së Lartë, të gjykatave të apelit dhe të organizmit të tyre për të shmangur zvarritjen e paarsyeshme të proceseve gjyqësore.

• Forcimin e rolit dhe funksionimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, duke parë gjithashtu mundësinë e riorganizimit të kësaj gjykate në dy nivele: a) gjykatë rrethi (ose gjykatë “paqi”) për gjykimin e padive me vlerë të vogël, padive pa palë kundërshtare, çështjeve të thjeshta administrative etj.; dhe b) gjykatë qarku, të cilat gjykojnë të gjitha çështjet e tjera dhe ankimet ndaj vendimeve të gjykatave të rrethit.

• Garantimin se procesi i emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve do të bazohet në kritere transparente, objektive dhe meritokratike, të tilla si: kualifikimet, integriteti, aftësitë profesionale dhe pastërtia e gjendjes gjyqësore (mungesa e precedentëve penalë).

• Rregullimin e qartë ligjor të konceptit të “pamjaftueshmërisë profesionale” dhe parashikimin ligjor se pamjaftueshmëria e theksuar profesionale e kategorizuar sipas një sistemi pikëzimi, në vijim të një procesi vlerësimi dhe rivlerësimi, do të përbëjë shkak për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve.

• Ngritjen e një inspektorati të pavarur të ngarkuar me përgjegjësinë për të hetuar shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe për të zhvilluar shërbime të tjera inspektimi mbi gjykatat.

• Zhvillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve, prokurorëve në dy shkallë gjykimi, para Këshillit Gjyqësor brenda KLD-së (shkalla e parë) dhe para Tribunalit Disiplinor (shkalla e dytë). Tribunali Disiplinor do të jetë një organ ad hoc i përbërë nga anëtarë dhe zëvendësanëtarë (gjyqtarë aktivë shumica dhe jogjyqtarë pakica).

• Përshkrimin sa më të detajuar në ligj të procedurave që sigurojnë përzgjedhjen e kandidatëve për magjistratë dhe konfirmimin e tyre në karrierë, duke u bazuar në kritere objektive e transparente; rishikimin e kufirit minimal të moshës për t’u emëruar gjyqtar (apo prokuror); vendosjen e një afati prove 3- vjeçare për gjyqtarët (apo prokurorët) e rinj të sapodiplomuar.

• Zhvillimin e procesit disiplinor në përputhje me parimin e procesit të rregullt, që mundëson respektimin e të drejtave të gjyqtarit të proceduar dhe vendosjen e sanksioneve proporcionale në përputhje me shkeljen e kryer.

• Përmirësimin rrënjësor të trajtimit financiar dhe të masave mbështetëse për gjyqtarët dhe familjet e tyre, si dhe vendosjen e garancive për trajtim financiar të gjyqtarëve dhe familjeve të tyre edhe pas lënies së detyrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura