Reforma në Drejtësi, Rama: Dështimi do të sjellë kosto të pallogaritshme

Jul 14, 2016 | 18:13
SHPËRNDAJE

Kryeministri, Edi Rama gjatë konferencës me ambasadorët e Shqipërisë, ka deklaruar se çdo arritje e vendit kushtëzohet nga reforma në drejtësi. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë reformë si të jashtëzakonshme për të ardhmen e Shqipërisë në rajon dhe Bashkimin Evropian. Këtë rëndësi, tha Rama e dëshmon dhe angazhimi i madh i ndërkombëtarëve për miratimin e kësaj reforme në Parlament.16-07-14-10-05-58banner_web_km

“Vështirë të gjendet në historinë e këtyre 25 viteve një angazhim i ngjashëm masiv dhe i gjithanshëm i komunitetit të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në kohë paqeje për Shqipërinë, sa angazhimi për reformën në drejtësi. Po ashtu ju jeni të parët që e keni vetëdijen e plotë nga kontakti i vazhdueshëm me të gjitha vendet partnere në këtë proces, për peshën e jashtëzakonshme që ka kjo reformë në raport me marrëdhëniet tona me BE-në, me imazhin, besueshmërinë e Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë strategjikë, dhe në raport me të nesërmen që mund të vijë me një energji të re, por edhe me një kosto të pallogaritshme, në varësi të fatit të kësaj reforme”, tha Rama.

Kryeministri duke mos e fshehur faktin se kjo reformë mund të mos kalojë në Parlament për shkak të konsensusit të munguar me opozitën por dhe brenda vetë mazhorancës, ai tha se qeveria do të bëjë çdo përpjekje deri në fund.

“Dua të nënvizoj përpara jush që jemi shumë të vendosur të bëjmë çdo përpjekje deri në minutën e fundit në përputhje me qëllimin dhe qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë. Kjo është një reforme me një përmasë të trefishtë. Së pari me një përmasë të jashtëzakonshme me vetë shoqërisë dhe vendin tonë në vetëvete. Së dyti me një përmasë të jashtëzakonshme sa i përket pozicioni dhe këndvështrimit prej të cilit ne do të përcaktohemi nga partnerët tanë strategjikë në varësi të rezultatit të kësaj reforme. Por edhe me një përmasë të tretë në raport me vetë rajonin. Nga kontakte të vazhdueshme në nivele më të larta është i qartë për ne perceptimi i partnerëve tanë strategjikë se implikime pozitive apo negative të kësaj reforme nuk prekin vetëm Shqipërinë, por prekin edhe interesa me rëndësi të posaçme të komunitetit ndërkombëtar më rajon”, deklaroi Rama.


NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura