S’ka pakt për Reformën në Drejtësi, ja çështjet që nuk po zgjidhen

May 24, 2016 | 8:10
SHPËRNDAJE

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi ka përfunduar pa një rezultat konkret diskutimin nen për nen të draftit të përgatitur nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT. Pavarësisht apelit të vazhdueshëm të diplomatëve ndërkombëtarë, përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës në komision nuk gjetën zgjidhje, duke lënë pezull miratimin përfundimtar të reformës.
bylykbashi-xhafa

Megjithëse në tryezën e reformës diskutohet një draft i propozuar nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT, përfaqësuesit e opozitës kanë gati draftin me propozime konkrete që, sipas tyre, japin zgjidhje për çështjet politike.

Ndonëse nuk e kanë paraqitur ende në rrugë zyrtare në Komisionin e Reformës në Drejtësi, demokratët pranojnë se nuk do të jenë hermetikë për ndërhyrje në draftin e tyre.

Sipas tyre, vetëm përmes dialogut mund të arrihet një zgjidhje e gjithëpranuar përmes palëve, gjë që për opozitën nuk po demonstrohet nga përfaqësuesit e maxhorancës.

DISKUTIMI

Gjatë mbledhjes së djeshme në tryezën e Reformës në Drejtësi, palët kanë diskutuar kapitullin e fundit të draftamendamenteve të ekspertëve, që lidhet me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesit e opozitës ofruan propozimet e tyre në komision, të cilat i kanë përfshirë edhe në draftin që do të paraqesin në komision.

Për demokratët, zgjidhja e cila përfshin edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias është ajo që procesin e Vetingut ta zhvillojë një mekanizëm ndërkombëtar për sa u përket majave të sistemit, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas do të jenë këto që do të bëjnë të gjithë pjesën tjetër, pasi janë pastruar dhe është siguruar integriteti dhe pastaj bëjmë të gjithë pjesën e Vetingut.

REFORMA

Pasi përfunduan diskutimin nen për nen, palëve u ngelet edhe hedhja e hapit të fundit, më të vështirit, ai i dakordësisë së çështjeve politike. Përgjatë këtij diskutimi janë tejkaluar të gjitha çështjet, për të cilat palët nuk gjenin dakordësinë, ndërkohë që, pas miratimit nen për nen, miratimi i tyre është deciziv për kalimin e reformës në Parlament.

Do të duhet sërish ndërhyrja e ndërkombëtarëve për t’i ulur palët në një tryezë, teksa, siç edhe ambasadori zëvendësambasadori amerikan theksoi gjatë ditës së djeshme koha nuk mjafton.

Përfaqësuesit e maxhorancës kanë kërkuar nga opozita të tërheqë draftin e saj dhe të punojë vetëm mbi draftin e punuar nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT. Ndërkohë që, për demokratët, drafti i tyre ofron zgjidhjet përfundimtare për një sistem drejtësie jo të kapur nga qeveria.

XHAFAJ: DRAFTI NGA BE E SHBA, PD DUHET TË REFLEKTOJË

Kryetari i Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, thekson se zgjidhja përfundimtare për kalimin e draftamendamenteve mund të vijë vetëm përmes Komisionit të Posaçëm në Kuvend.

Në përfundim të mbledhjes, Xhafaj kërkoi nga demokratët të punojnë vetëm mbi draftin e punuar nga ekspertët më të mirë të SHBA-ve e BE-së. “Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë lexuar një promemorie politike të hartuar në zyrat e partisë së tyre. Natyrisht, ata janë përfaqësues të një partie politike, siç jemi edhe ne. Unë mendoj se duhet të sillemi si ligjvënës në raport me përgjegjshmërinë e lartë që kërkon kjo detyrë; hartimin e një projekti kushtetues. Si me thënë, duhet të sillemi edhe pak me mendjen tonë, e thënë kështu. Mbetet në çmimin e tyre që të kapin këtë pozicion që kanë kapur. Unë kam për ta një pyetje publike. Një projekt të cilin e kanë punuar ekspertë nga më të mirët vendës dhe ndërkombëtarë, si thoni ju: gjithë këta kanë gabuar dhe ka të drejtë vetëm Partia Demokratike? Unë besoj se do të reflektojë Partia Demokratike mbi këtë kontribut të gjithë kësaj ekspertize euroatlantike. Shpresoj shumë që të reflektojnë”, tha Xhafa.

BYLYKBASHI: DUHET DURIM E ARSYE, JO NXITIM PËR REFORMËN

Nënkryetari i Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar që komisioni të mos vendoset përballë presionit të kohës, pasi në këtë mënyrë nuk do të arrihet në një produkt të vlefshëm për sistemin e drejtësisë.

I pyetur për deklaratat e zv.ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, përmes të cilave kërkohej miratimi i menjëhershëm i reformës, Bylykbashi ka theksuar se me durim palët do të hedhin hapa të sigurt në procesin e reformës. “Është humbur shumë kohë me këto nxitimet dhe ngulmimet e paarsyeshme mbi zgjidhje specifike që janë problematike. Durimi dhe arsyeja do të na bëjnë ne të ecim me siguri dhe shpejtësi përpara”, deklaroi Bylykbashi.

Sipas tij, propozimet e demokratëve, të cilat do të paraqiten edhe në draftin që do të dorëzohet në komision, çmontohet kapja e drejtësisë nga maxhoranca. “Ne i bëmë propozimet tona, pala tjetër qëndron në atë që është një sistem kapjeje deri më sot. Me punën tonë, ne kontribuojmë që ky sistem kapjeje të çmontohet. Këtu u mbyll si fazë diskutimesh nen për nen, tani i mbetet hapësirës për të negociuar një zgjidhje të përbashkët qoftë në aspektin politik, qoftë dhe në atë teknik sa i përket nevojës për në tekst kushtetues që është vërtet për t’u përqendruar të gjithë ne”, tha Bylykbashi.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura