Reforma në Drejtësi, opozita për zgjidhjen

Jun 29, 2016 | 14:00
SHPËRNDAJE

Preç Zogaj

PREÇ ZOGAJ

Caktimi i datës së votimit të Reformës në Drejtësi në kushtet e bllokimit të konsensusit midis shumicës dhe opozitës ka domethënien e dështimit të saj të paralajmëruar. Shumica nuk i ka numrat, nuk ka nëntëdhjetë e katër deputetë për ta votuar. I mungojnë minimumi shtatë deputetë. Pa llogaritur firot eventuale në radhët e saj. Pa llogaritur lojën me dy porta të LSI-së.

Përveç numrave, shumicës i mungon një gjë tjetër e madhe, që nganjëherë vlen më shumë se vetë numrat: I mungon argumenti bindës që do të mund të provokonte një rrjedhje votash nga deputetë të veçantë të opozitës në shkelje të vendimit të partisë, por në shërbim të interesit publik. Pavarësisht se çfarë ka në kokë njëri apo tjetri politikan, shumë mosmarrëveshje janë kapërcyer përgjatë kohës. Zgjedhja e deputetëve sot nuk është më bardhezi mes dy vizionesh krejt të kundërta.

Zgjedhja është për njërën prej alternativave të sugjeruara nga Komisioni i Venecias. Anëtarët e organeve të reja kolektive që do të vijnë nga jashtë sistemit të Drejtësisë, do të zgjidhen në Kuvend me dy të tretat apo me një sistem proporcional, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe? Shumica qeveritare është për votimin me dy të tretat. Opozita ka preferuar përfaqësimin proporcional, që përkthehet në vende të rezervuara. Të dyja palët janë brenda kornizës së “Venecias”.

Deputetët demokratë jokonformistë apo me prirje për të qenë shpirtra të lirë, do të rrezikonin me ndërgjegje të qetë daljen nga linja zyrtare e partisë po të ishte fjala për një opsion që ndan qartë kursin euroatlantik të reformës nga kursi i sabotimit të saj. Por nuk kanë as arsye, as motivim ta bëjnë këtë për zgjedhjen e një varianti alternativ mes varianteve që ka propozuar Komisioni i Venecias.

Aq më tepër kur po ta mendosh me qetësi dhe pak më gjatë këtë punën e varianteve, do të vësh re se me vendet e rezervuara opozita po kërkon të trajtohet si opozitë, ndërkohë që shumica mbetet sërish shumicë. Kurse me votimin me dy të tretat shumica mund t’i marrë të gjithë anëtarët falë marifeteve në seleksionimin e kandidatëve, kurse opozita asnjë.

Kjo duhet të kishte qenë e qartë qysh në krye për këdo që është marrë me Reformën në Drejtësi. Vetëm një naiv mund të kishte pritur që midis një opsioni që garanton përfaqësimin e saj në pakicë dhe një opsioni që rrezikon përjashtimin e saj të plotë, opozita të mos zgjidhte të parin. Është tjetër gjë nëse përfaqësimi proporcional nuk do të ishte përmendur fare nga Komisioni i Venecias.

Atëherë do të kishim një diskutim tjetër. Pyetja që shtrohet tani është kjo: Si mund të futet në rendin e ditës, pa një plan të ri zhbllokimi, një reformë kaq e rëndësishme dhe kaq shumë e investuar edhe nga faktori ndërkombëtar, kur dihet paraprakisht se qeverisë i mungojnë edhe numrat, edhe argumenti për të bërë për vete deputetë të palës tjetër?

Shpjegimet nuk mund të jenë veçse dy: Së pari, për ta dështuar me paramendim, për t’u thënë ndërkombëtarëve dhe publikut shqiptar “Ne e bëmë tonën”, për të përmbledhur pastaj në formën përfundimtare akuzat e njohura kundër opozitës, për të shkuar në zgjedhje me zulmin e një kryqëzate të koordinuar kundër saj. Në këtë skenar Reforma e dështuar në Drejtësi do të trajtohej nga qeveria si makina e maskimit të dështimeve të saj në funksion në një manipulimi të ri të zgjedhësve.

Së dyti, për të provuar, pse jo, fabrikimin e një shumicë prej dy të tretash me rrjedhje apo blerje votash nga radhët e opozitës. Sipas një legjende urbane, kjo ide ka pasur bekim ndërkombëtar, a nuk është votuar ligji i famshëm amerikan për heqjen e skllavërisë me rrjedhje dhe blerje votash? Por pas neverisë që shprehen së fundi disa politikanë të rëndësishëm të BE-së dhe paralajmërimeve për reagime shumë të forta nga ana e PD-së, ideja në fjalë ka ardhur duke u sfumuar.

Mbetet megjithatë opsioni i votimit individual i një numri të caktuar deputetësh opozitarë, por siç e trajtuam më lart kjo kërkon argumente shumë më të forta sesa thirrjet për të mbaruar punë. Është e qartë se dy shpjegimet e lartpërmendura janë thelbësisht përjashtuese.

Në qoftë se qeveria dëshiron dështimin e reformës, do të thotë se ajo as që e çon nëpër mend të blejë vota. Por duke ndjekur me synimet dhe lojërat e veta kursin euroamerikan të domosdoshmërisë së reformës, qeveria ka luksin të luajë me qarin qoftë nëse reforma dështon, qoftë nëse votohet siç është paraqitur në Kuvend, pa reflektimin e rekomandimit numër 88 që kërkon opozita.

Votimi i reformës kështu siç është, do të kënaqte në pamje të parë një ambicie të dyfishtë të Kryeministrit Rama: nga një anë do të fitonte formulën që i jep mundësi të filtrojë të zgjedhurit e tij në sistemin me bishta të seleksionimit të kandidatëve, nga ana tjetër do të shijonte shthurjen e unitetit politik të opozitës, për të mos thënë më shumë. Por ky ekuacion është me shumë të panjohura.

Ndaj për Ramën mbetet gjithnjë më e leverdishme t’i lërë ngjarjet të damkosim opozitën sesa të fusë duart në koritat e saj për të krijuar një shumicë që nuk e ka. Në disa shkrime të mëparshme kemi shtjelluar tezën se Rama është në skemën e bllokimit perfekt, si shumë i interesuar, të Reformës në Drejtësi.

Për të mos rënë në përsëritje të fakteve le të kujtojmë telegrafikisht episodin e fundit, ku dendësohet gjithë qasja e Kryeministrit: takimin e tij më datë 6 qershor me shefin e opozitës, Lulzim Basha. Çdo kryeministër në botë, në çdo kohë, por sidomos kur ka në agjendë një reformë historike që kërkon domosdoshmërisht konsensusin e opozitës, e ka bekim dhe dhuratë uljen me kryetarin e opozitës.

Zgjidhja është aty, më afër se kurrë. Çfarë ka mbetur me kalimin e ditëve nga ai takim i rrallë, i pari mes dy politikaneve të lartë të një gjenerate më të re në vend? Ka mbetur momenti kur Kryeministri ngrihet nga tryeza e bisedimeve dhe nxiton t’u japë mediave me një fjalim të parapërgatitur lajmin e dështimit të takimit, a thua se po jepte një sihariq.

Në këtë “sihariq” është gjithë historia e reformës në kahun e Kryeministrit dhe shumicës së tij. Kanë kërkuar të bëjnë fajtorë për reformën dhe jo vetë reformën. Kanë dashur e duan një fabul elektorale mbi reformën dhe jo vetë reformën. Kanë provokuar sistematikisht me dispozita të papranueshme dhe, kur opozita ka kundërshtuar, kanë kalëruar nxitimin parimor apo programor të ndërkombëtarëve për të akuzuar opozitën se po vonon e saboton procesin.

Ky ka qenë dhe mbetet një abuzim i madh që po sqarohet e do të vijë duke u sqaruar edhe më mirë me kalimin e kohës. Por fakti është se në “orën e së vërtetës”, siç thuhet, falë lëshimeve dhe tërheqjeve të kënaqshme për ndërmjetësit më aktivë ndërkombëtarë, siç janë ambasadori amerikan, Donal Lu dhe ambasadorja e BE-se, Vlahutin, Rama arriti të fitonte prej tyre “palmën” e liderit fleksibël dhe të mos kujtohej më prej këtij momenti për nevojën e vazhdimit të dialogut me Bashën.

E kuptojnë të gjithë se partnerët janë të interesuar të mbarojnë punë, të vulosin reformën, të raportojnë “u bë” dhe pak u intereson pjesa tjetër. Po ata që kanë kryqëzuar Ramën dje për kandidimin e individëve me rekorde kriminale e ngrenë sot për lëshimet që mendojnë se u ka bërë, pa u futur në mendësinë hileqare të politikanëve shqiptarë të stampës së vjetër, që pikërisht për t’u dukur fleksibël para të huajve lëshojnë në pika për numër që i kanë menduar qysh në krye të mos i mbajnë.

Sidoqoftë, proamerikanët dhe properëndimorët e shumtë në Shqipëri, që nuk janë në trajektoren politike të Edi Ramës dhe grupit të tij, nuk mund të heqin nga mendja faktin se ky shkoi në takim me Lulzim Bashën me fjalimin e parapërgatitur të dështimit në xhep, duke e kompromentuar dhe duke e paditur si të paragjykuar ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Gazetarët janë në profesionin e tyre të tregojnë e ritregojnë këtë histori. Por opozita e vendit mendoj se ka detyra të tjera, ndërsa koha shtrëngon. Duke reklamuar korrigjimin e reformës si provën e pakundërshtueshme të vullnetit dhe kontributit të saj, opozitës i shkon të rimarrë protagonizmin e mëparshëm, të dalë ajo e para, pa pritur kundërshtarin, nga logjika e murit kundër murit dhe nga guaska e opsioneve të mbyllura; të kërkojë dhe të ofrojë propozime zhbllokuese që nuk tjetërsojnë koherencën e saj në nivelin makro, siç shihet se po bën ditët e fundit.

Nuk ka mundësi të mos ketë zgjidhje. Opozitës dhe kryetari të saj të ri, Basha, i shkon të kërkojë deri në fund zgjidhje. Opozita e ka në favor miratimin e Reformës në Drejtësi. Në të gjitha pikëpamjet. Dhe, përveç këtyre, opozitës i shkon të vazhdojë leximin në thellësi të bashkautorësisë amerikane dhe europiane për këtë reformë, duke komunikuar me ta çdo ditë për zgjidhjen, pa asnjë pengim apo paragjykim për fjalët që janë thënë. Koha i sqaron të gjitha.

Parimi i demokratëve, që me kohë është bërë parimi i shumicës së shqiptarëve, ka qenë dhe është se në thelb çfarë vjen nga Uashingtoni është e mirë për ne. Vendi është mbërthyer në kthetrat e një oligarkie shumë të rrezikshme. Shqiptarët dhe pjesa e ndershme e politikanëve të tyre nuk e thyejnë dot pa ndihmën dhe bashkautorësinë amerikane dhe europiane. Është fati ynë që miqtë tanë të mirë dhe të fuqishëm janë angazhuar me kaq vendosmëri në këtë përpjekje jetike dhe historike.

Siç u angazhuan përkrah opozitës për ligjin e dekriminalizimit, për heqjen e BKH-së nga duart e qeverisë dhe për sa e sa nisma të tjera, për të cila opozita u është mirënjohëse. Nuk mund të këtë zgjidhje amerikane që i bëjnë keq njërës palë dhe mirë palës tjetër. Nuk duhet ta çojmë veten që superfuqia e botës dhe vendi më mik që kemi të detyrohet të na numërojë të mirat që na ka bërë përgjatë historisë.

Nuk mund të përtypet nga kurrkush që amerikanët dhe europianët të dështojnë në Shqipëri për Reformën në Drejtësi. Kjo ka qenë dhe është loja e hileqarëve pa busull apo me busull të gabuar, por nuk ka qenë, nuk është dhe nuk mund të jetë politika e opozitës euroatlantike të Shqipërisë. * Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura