Reforma në drejtësi kërkon pavarësi, paanshmëri dhe integritet

May 18, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

NJAZI JAHO maxresdefault

Për të folur për Reformën në Drejtësi dua të citoj atë që ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të Izraelit, Aharon Barok, shkruan në librin e tij të titulluar “Gjyqtari në Demokraci”.

Ai thotë: “Si gjyqtar unë nuk kam platformë politike. Nuk jam person politik i djathtë apo i majtë, fetar apo laik, i pasur dhe i varfër, burrë apo grua. Në sytë e mi të gjithë janë të barabartë. Nuk kërkoj të sundoj. Unë nuk I njoh zinxhirët që më lidhin si gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës së Lartë. E kam theksuar shpesh sundimin e ligjit dhe jo të gjyqtarit. Detyrën time unë e shoh si mision. Në sallën e gjykimit hyj me ndjenjën e thellë se ndërsa gjykoj, edhe mund të gjykohem”.

Kur njihesh me këto thënie, me këtë portretizim që ai i bën pyetjen: a është e mundur që edhe në gjyqësorin tonë të arrihen cilësi të tilla? Mendoj se po. Mund të arrihen. Kjo nuk është vetëm një dëshirë. Të ndërgjegjshëm se ky do të jetë një proces relativisht i gjatë dhe i vështirë, ai mund të realizohet.

E rëndësishme është të hidhen hapa përpara dhe ato të jenë të ndjeshme, sidomos për publikun e gjerë. Për këtë mendoj se vlerësimet tona të jenë objektive dhe krahasuar duke shmangur Çdo lloj vetëkënaqësie. Pozitivja duhet inkurajuar edhe pse kërkesat për shpejtimin e këtij procesi janë normale dhe të kuptueshme. Në vazhdim më lejoni të trajtoj një çështje që duket e thjeshtë, por që në fakt nuk duket e tillë. Shpesh dëgjojmë të thuhet: “kur flet gjykata, të tjerët duhet të heshtin”. Kjo do të ishte jo vetëm e drejtë, por e domosdoshme nëse me këtë shprehje do të nënkuptohej zbatimi i detyrueshëm i vendimeve të Gjykatës.

Ky do të ishte element i rëndësishëm i shtetit të së drejtës që mëshiron parimin e ligjshmërisë. Në të kundërt, nëse shprehja e mësipërme do të konceptohej si detyrim që do të kufizonte lirinë e shprehjes, do të ishte e gabuar. Mendimi ndryshe, kritika e natyrës konstruktive, edhe pse me ndonjë mangësi profesionale, do të ishin të dobishme. Fyerjet që cenojnë dinjitetin e gjyqtarit apo privatësinë e tij si dhe akuzat e pabazuara dhe denigruese ndaj gjyqësorit, që te ne nuk janë të rralla, jo vetëm nuk kanë asnjë lidhje me shprehjen e lirë të mendimit, por në raste të veçanta do të duhej të ndëshkoheshin.

Në ilustrim të atyre që përmendëm me lart, më lejoni t’i referohem një vendimi interpretues të Gjykatës Kushtetuese që ka trajtuar rëndësinë që ka respektimi i pavarësisë së gjykatës, por që ajo (pavarësia) “nuk vendos embargo ndaj vlerësimeve kritike që mund të vijnë nga qytetarët apo deputetët …” ndoshta Gjykata jonë Kushtetuese, në këtë vështrim, ka pasur parasysh qëndrimet dhe praktikën e Gjykatës se Strasburgut.

Kështu, p.sh., në një nga vendimet e kësaj Gjykate thuhet: “Shoqëria u ka besuar gjyqtarëve një rol shumë të rëndësishëm, e megjithatë pritet që ata të veprojnë nën kontrollin e publikut. Nëse nuk e përmbushin këtë detyrë, ata zbulohen ndaj kritikave, nga e cila nuk meritojnë të mbrohen”. Në përfundim e shikoj të nevojshme të theksoj se veprimtaria e gjyqësorit duhet të karakterizohet nga transparenca dhe llogaridhënia. Integriteti kushtëzon pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura