Reforma në Drejtësi ka vendosur Ramën përballë SHBA

| 10:00
SHPËRNDAJE
 

FITIM ZEKTHI

fitim zekthi

Reforma në Drejtësi është një gjetje jashtëzakonisht e hollë, pa dyshim diabolike, për të futur politikën shqiptare në një drejtim të llogaritur dhe të kontrolluar për shumë kohë më pas.

Duke qenë se sistemi i drejtësisë ka qenë për shumë e shumë vite i zhytur në një korrupsion të lemerishëm, ishte e lehtë të përdorej neveria popullore, por edhe nevoja dramatike për ta rregulluar këtë gjendje dhe për ta kthyer atë në favor të një projekti politik.

Përshkrimet e Marksit mbi jetën e vështirë të punëtorëve në Angli, në shekullin e 19-të, janë shumë pranë së vërtetës. Disa të vërteta thanë edhe ata që ideuan dhe realizuan revolucionin jakobin në Francë.

Disa të vërteta tha edhe Lenini para se të përmbysej Cari. Disa të vërteta janë thënë edhe nga Mao Ce Duni, Fidel Kastro, Çe Gevara, Koçi Xoxe etj. Fakti që thuhet e vërteta nuk tregon domosdo se nuk kemi të bëjmë me mashtrim. Një gënjeshtar që përmend të vërteta me qëllimin për të mashtruar, është provuar gjatë gjithë historisë se është një fuqi shkatërruese. Bash kjo ka ndodhur edhe me qeverinë shqiptare për të realizuar Reformën në Drejtësi.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në asnjë rast nuk foli për Reformë në Drejtësi. Tërë fushata e tij, paraqitja para publikut e “skuadrës së Rilindjes”, udhëtimet me autobusin e Rilindjes, takimet ku shpaloseshin idetë e Rilindjes, kishin në fokus “shëndetësi falas”, “300 mijë vende pune”, “legalizime falas”, “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, “administratë e ndershme dhe eficiente”, “vendosje e rendit për 300 ditë”, “përmbyllje e tranzicionit” etj., etj.

Sapo mori pushtetin që në vjeshtën e vitit 2013, qeveria nisi sulmet ndaj pushtetit gjyqësor dhe sidomos ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili ishte për PS-në burimi i të këqijave, korrupsionit dhe mbrojtjes së gjyqtarëve të korruptuar. Me thënë të drejtën, KLD, jo thjesht në atë kohë, ishte vërtet një organizëm korrupsioni, që thjesht dhe vetëm garantonte paprekshmërinë e gjyqtarëve, “varroste hallet e njerëzve të zakonshëm” dhe as i shkonte ndër mend të gjykonte ndonjë politikan për korrupsion. Sistemi i drejtësisë dhe KLD që e drejtonte atë, kishte nisur degradimin me kohë. Pak a shumë, çdo pushtet politik e kishte pasur atë me vete, ose sistemi ishte aq i korruptuar sa i shërbente vetë çdo pushteti politik duke mos e rrezikuar atë, megjithë ndonjë rrezik të papritur që më së shumti vinte për pasojë të përfshirjes së drejtësisë në luftën politike. Rama duket se nuk donte një pushtet të korruptuar gjyqësor që nuk e rrezikonte atë (siç kishte qenë deri dje), por duket se donte të kishte kontroll të plotë mbi këtë pushtet.

Ai, pas një lufte disamujore me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, miratoi një ligj me anë të të cilit shkarkoi dy anëtarë të këtij Këshilli, Lulzim Lelçajn dhe Elvis Çefën. Në vend të tyre u emëruan nga Parlamenti dy socialistë, Vangjel Kosta dhe Sokol Çomo.

KLD kishte gjithsej 15 anëtarë, nga të cilët 9 gjyqtarë, 3 të zgjedhur nga Parlamenti, Presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës së Lartë. Me emërimin e dy socialistëve, qeveria synonte të merrte kontrollin e KLD-së. Kaq mjaftonte. Me anë të KLD-së emërohej dhe shkarkohej çdo gjyqtar. Nga viti 1997 deri në vitin 2013, asnjëri nga kryeministrat Nano, Meta, Majko dhe Berisha, nuk e kishin pasur në kontroll të plotë emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, pavarësisht se gjyqësori, për shkak të korrupsionit, nuk kishte qenë kurrë një rrezik për qeveritë. (Mjafton të kujtojmë që Berisha zhvilloi luftë me një gjyqtar, anëtar të KLD-së, si Artan Gjermeni, dhe nuk e shkarkoi dot, ose që Nano, Meta dhe Majko u gjendën për tetë vite në luftë të egër të brendshme dhe askush nuk mundi t’i dominojë këto emërime).

Ndryshimi i dy anëtarëve të KLD-së nuk i solli Ramës marrjen nën kontroll të KLD-së. Duhet thënë se Gjykata Kushtetuese i quajti ndryshimet në ligjin për KLD-në antikushtetuese, megjithatë ndryshimi i anëtarëve nuk mund të kthehej pas. Pas këtij dështimi, qeveria Rama kërkoi rrugë të reja. Ajo inicioi miratimin e një ligji, me anë të të cilit do të ngrihej një Byro Kombëtare e Hetimit, një FBI shqiptare, e cila do të hetonte korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kjo “FBI shqiptare” do të kishte kompetenca hetimore dhe do të trajtohej nga ministria e Brendshme, nga Saimir Tahiri, i cili në atë kohë ishte kalorësi i paepur i betejës së qeverisë me krimin. Ligji u miratua. Në qoftë se do të ngrihej kjo “FBI shqiptare”, siç thoshte ligji atëherë, gjithkush në Shqipëri, qoftë ai politikan apo gjyqtar, do të ishte subjekt hetimi nga Saimir Tahiri dhe për pasojë do të ishte i shantazhueshëm dhe nën kontroll.

Pra, marrja nën kontroll e gjyqësorit u bë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin. E ashtuquajtura FBI-ja shqiptare ra. Pas këtij dështimi të dytë, në verën e vitit 2015, Rama dhe qeveria e tij gjetën një rrugë tjetër: Reforma në Drejtësi.

U ngrit një grup i quajtur “ekspertët e nivelit të lartë”, që ishin në fakt ish-hetues, ish-gjyqtarë apo pedagogë që vinin nga regjimi komunist ose që mund të kishin qenë edhe njerëz të Sigurimit të Shtetit, të cilët do të hartonin një projekt për të reformuar tërë sistemin shqiptar të drejtësisë.

Nuk dihet pse u quajtën “ekspertë të nivelit të lartë” dhe pse u zgjodhën këta, por dihet që këta u zgjodhën nga Partia Socialiste. Kjo përpjekje për një reformë në sistemin e kalbur të drejtësisë mori mbështetjen e SHBA-së. Me të drejtë, pa dyshim. Madje, SHBA miratoi fonde mbështetëse për të. Çështja është se në këtë reformë, në gjetjen e mënyrave për ta mbështetur, në artikulimin e arsyeve për ta kryer, në shtytjen përpara të saj ka ndërhyrë edhe një organizatë e fuqishme si Fondacioni Soros, i cili ka qenë një element i rëndësishëm që ka përdorur nevojën tonë për reformë, nevojën e Ramës për të marrë nën kontroll sistemin gjyqësor dhe mbështetjen e SHBA-së për një drejtësi të pavarur. Shkurt, Fondacioni ka punuar ngushtë për të çuar përpara këtë reformë, me anë të së cilës qeveria synonte dhe synon diçka krejt tjetër nga ajo që synon Rama. Edhe Soros synon diçka të ndryshme nga ajo që synon Kongresi Amerikan dhe qeveria amerikane, të cilët, veç mbështetjes politike, kanë dhënë edhe fonde. Këto nuk janë sekrete.

Fondacioni Soros kërkon të ndërtojë një botë liberale, madje ultraliberale, të mbështetur mbi idetë e antinacionalizmit, të promovimit të lirive seksuale dhe homoseksuale apo të çlirimit seksual, të zhbërjes së rolit të fesë, të taksave të rritura, të promovimit të martesave gay, të drejtimit të botës, gjithnjë e më shumë, nga një qeveri e madhe botërore etj.

Një parti më ideale sesa PS, nën shenjën Rilindje, dhe një njeri më ideal sesa Rama për t’i çuar përpara këto ide, nuk mund të ketë për Fondacionin Soros. Kjo është diçka legjitime nga këndi i Fondacionit. Grupi i “ekspertëve të nivelit të lartë” hartoi një projekt të turpshëm që ia jepte drejtpërdrejt Ramës kontrollin mbi sistemin e drejtësisë.

Lufta e opozitës bëri që ky projekt të ndryshohej. Komisioni i Venecias e rrëzoi projektin. Qeveria amerikane vazhdoi me forcë mbështetjen për miratimin e reformës. Duhet thënë se në fund, ndryshimet kushtetuese, ndonëse kanë sajuar diçka të padëgjuar në historinë e mendimit politik dhe të filozofisë së të drejtës, krijonin mundësi që reforma të mos merrej në kontroll të plotë nga qeveria. Më pas, me anë të ligjeve për vetingun, për institucionet e reja që krijohen, për funksionin e këtyre institucioneve, u hap dera që sistemi gjyqësor të mund të bjerë në kontrollin e Kryeministrit Rama.

Sot, reforma është në fazën përfundimtare, institucionet e reja janë duke u krijuar ose thuajse janë krijuar. Për gati katër-pesë vjet, ato janë tërhequr zvarrë nga qeveria. Për gati dy vite e ca, qeveria emëroi dhunshëm një Prokurore të Përgjithshme të përkohshme në shërbim të saj, e cila ka ndihmuar jo vetëm në mbrojtjen e njerëzve të qeverisë nga akuzat, por edhe në krijimin e mundësive që Reforma në Drejtësi të bjerë nën kontrollin e Ramës.

Sot është e pamundur të besohet se kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, ose kryetarja e KLGJsë, Naureda Llagami, mund të emërojnë prokurorë apo gjyqtarë që do të hetonin dhe gjykonin Kryeministrin Rama, ose njerëz që mund t’i rrezikojnë pushtetin Kryeministrit. Po ashtu, u pa që ishte e pamundur që të mendohej se kryetari i KED-së, Ardian Dvorani, do të emëronte për në Gjykatën Kushtetuese gjyqtarë që mund të rrëzonin vendimin e Ramës dhe të Bibës për të mos njohur dekretin e Presidentit. Brenda KLP-së, KLGJ-së, KEDsë, ka njerëz që kanë qenë hetues apo gjyqtarë të komunizmit, ka njerëz që kanë qenë agjentë të sigurimit të shtetit. Këto janë publike. Këto tri institucione janë zemra e tërë sistemit të drejtësisë.

Nga ata emërohet çdo gjyqtar dhe prokuror i ri. SPAK është krijuar apo emëruar nga KLP. Në krye të tij u emërua një njeri që kishte qenë hetues në kohën e komunizmit dhe madje kishte hetuar djem nga Shkodra se donin të arratiseshin në vitin 1990. Pra, ka pasur përpjekje kirurgjikale që gjithçka të jetë nën kontroll.

Reforma në Drejtësi, sigurisht që nuk është në kontroll të plotë të Ramës. Sigurisht që monitoruesit ndërkombëtarë kanë bërë një punë të mirë, duke mos lejuar komisionet e vetingut të bëjnë budallallëqe të trasha, ndonëse edhe këto nuk kanë munguar. Sigurisht që SHBA po bën punë që Reforma të ndërtojë organizma që të bëjnë diçka. Sigurisht që janë larguar gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Por, reforma, duke qenë se u nis për qëllime politike, duke qenë se ishte një instrument politik dhe duke qenë se Rama kishte dorën e zgjatur, vazhdimisht ajo do të shërbejë për qëllime politike.

Prandaj kemi në krye të institucioneve Ibrahimin, Llagamin, kishim Dvoranin, kishim Arta Markun, kemi Arben Krajën, prandaj ka pasur raste kur janë larguar gjyqtarë dhe prokurorë nga komisionet e vetingut dhe janë mbajtur të tjerë nëpërmjet standardeve të dyfishta.

Reforma në Drejtësi nuk do të dalë kurrë nga qëllimi i saj bazë: t’i hapë rrugën legjitimimit të plotë të Ramës dhe të punojë që ai të ketë rrugë të hapur për të qëndruar në pushtet. Arrestimet që mund të bëjë SPAK, pas sforcosh dhe presionesh maksimale, do të jenë të gjitha në këtë funksion. SPAK mund të arrestojë edhe ish-ministra, edhe ish-zyrtarë të lartë të qeverisë Rama dhe kjo do t’i shërbejë vetëm Ramës.

Rama do të dalë dhe do të thotë: “Ja, lufta e PSsë dhe imja për të ndryshuar Shqipërinë, ne nuk bëjmë dallime, ne nuk mbrojmë korrupsionin. Rama ka hedhur gjithnjë njerëz nga të tijtë. Nuk dihet numri i ish-deputetëve që nuk janë më deputetë, nuk dihet numri i zyrtarëve që nuk janë më zyrtarë.

Rama është një mjeshtër në përdorimin e situatave të tilla dhe në hedhjen në rrugë të njerëzve të tij. Kjo vjen jo nga talenti, por nga mungesa e kufizimeve që ai duket se ka. Duke qenë se reforma nuk do të shkojë te Rama vetë, ai, në ditën e tij më të keqe, mund ta lejojë atë të shkojë deri edhe te njerëzit më të ngushtë në qeveri dhe kjo do të jetë vetëm konfirmim i atij vetë dhe kësaj mënyre të tmerrshme qeverisje që po bën.

Drejtësia e deridjeshme e korruptuar nuk do t’i bënte asgjë Ramës, sikurse nuk i ka bërë, por ajo ishte e njollosur. Tani, atij nuk do t’i bëjë gjë një drejtësi e re, sigurisht e korrruptuar, madje edhe më rëndë e vjetra sepse është ndërtuar për qëllime politike pushteti. Por, ama, kjo drejtësi njihet nga populli si e re, e ndershme dhe e pakorruptuar. Kjo është në të vërtetë vdekja e kësaj reforme. Atë e shpëton vetëm mbërritja e saj te Rama, gjë që duket se nuk mund të ndodhë kurrë në këtë faqe të dheut.

Duke mos mbërritur te Rama, ajo, në thelb, do të legjitimojë edhe ata që mund të akuzohen apo arrestohen, qoftë ministra apo zyrtarë të rëndësishëm të PS-së, apo ministra dhe zyrtarë të ish-qeverisë. Të gjithë do të thonë se kjo është një reformë politike e korruptuar. Në këtë kuptim, qeveria ka shkatërruar apo shtrembëruar edhe mbështetjen e SHBA-së për reformën. Në njëfarë mënyre Rama nuk ka mashtruar apo poshtëruar shqiptarët apo opozitën, por mbështetësit e mëdhenj të kësaj reforme, SHBA dhe ambasadën e saj këtu. Duke qenë në këtë pikë, është e kuptueshme pse SPAK nuk heton inceneratorët apo pse bën sikur heton disa muaj një e pastaj mbyll çështjen sikur nuk ekzistonte.

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.