Reforma në Drejtësi dhe ajo në Ekonomi

Nov 14, 2015 | 13:10
SHPËRNDAJE

PROF. ANASTAS ANGJELIanastas_angjeli

   Reforma në Drejtësi është tashmë një realitet, një proces që jo vetëm nuk ndalet dhe nuk ka kthim prapa, por ajo po shkon drejt finalizimit të saj, falë përpjekjeve të gjithanshme të të gjithë faktorëve dhe aktorëve të interesuar, dhe pjesëmarrës për të. Kjo, ka në bazën e vet shqetësimin, jo thjesht dhe vetëm të politikës, qeverisë, Parlamentit, por më i rëndësishëm është fakti se kjo reformë ka në themel të saj shqetësimin qytetar, shqetësimin e gjithë shoqërisë të mbledhur në këta 25 vjet për një “drejtësi më të drejtë”.
Dy janë sot në shoqërinë tonë kategoritë më të cenuara nga mungesa e drejtësisë, nga drejtësia e vonuar dhe mungesa e barazisë para ligjit: qytetarët, njerëzit e thjeshtë dhe operatorët ekonomikë të tregut, sipërmarrja. Është kjo arsyeja themelore që këto janë edhe dy grupet shoqërore që kanë pritshmërinë më të madhe nga reformimi i drejtësisë, një reformim i thellë dhe i qëndrueshëm.

Përtej këtyre, pa dyshim që kjo reformë është dhe mbetet prioritet i prioriteteve të synimit tonë për të realizuar projektin më madhor, atë të integrimit në familjen europiane. Prandaj, dhe rekomandimi më i rëndësishëm i progres raportit të BE-së ishte arritja e “ … rezultateve të mëtejshme të prekshme në fushën e shtetit ligjor…”.  
Natyrisht që Reforma në Drejtësi nuk duhet parë si një reformë në vetvete, si reformë vetëm e sistemit të drejtësisë, pasi ajo është më e gjerë dhe e lidhur me funksionimin e shtetit dhe mirëqeverisjen, ajo është një reformë sa kushtetuese dhe juridike e ligjore, aq edhe një reformë institucionale e politike (pasi një “drejtësi më e drejtë” kthen besimin te sistemi i drejtësisë, te kjo shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe njëherazi i jep një mbështetje të plotë dhe vetë procesit të dekriminalizimit).

Prandaj, reforma e sistemit të drejtësisë mbetet “thembra e Akilit” për funksionimin demokratik të vendit, për vetë shtetin dhe funksionet e tij dhe rolin e pushteteve në këtë demokraci. Më në fund, me shumë rëndësi është fakti se një reformë e arrirë në sistemin e drejtësisë është baza, themeli i një reforme të suksesshme ekonomike dhe garanci për më shumë drejtësi ekonomike e sociale. Ky është edhe qëllimi i atyre çfarë më poshtë kam thënë, duke mos pretenduar se ezauroj gjithçka.

REFORMA NË DREJTËSI, BAZIKE PËR REFORMA EKONOMIKE TË SUKSESSHME
Përse Reforma në Drejtësi është bazike dhe mbështetëse për reformat ekonomike?
Mbarë diapazoni i çështjeve që lidhen me përgjigjen e kësaj pyetjeje është shumë i gjerë, por në thelb mund të themi :
-Se ekzistenca dhe mirëfunksionimi i shtetit ligjor dhe sundimi i së drejtës në ekonomi, janë thelbësore për një ekonomi tregu funksionale, të cilën ne synojmë.
-Një “drejtësi e drejtë” është mbështetje për një reformë të suksesshme ekonomike dhe një funksionim efikas të institucioneve të tregut. Kjo, sepse sistemi i drejtësisë është i lidhur në mënyrë organike me sistemin ekonomik e social. Prandaj…

-Një “drejtësi e drejtë” bazuar në logjikën e ligjit dhe jo në arbitraritetin e ligjit dhe të zbatimit të tij është faktori i zhvillimit ekonomik të një vendi.
-Një “drejtësi e drejtë” krijon kushte dhe hapësirë për zbatim të reformave ekonomike (zhvillim të biznesit) bazuar në ligj dhe jokorruptive, abuzive, informale e kriminale.
-Reforma në sistemin e drejtësisë do të garantojë një drejtësi të pavarur e për rrjedhojë, është garanci për procese gjyqësore të drejta, të ndershme, të mbështetur në Kushtetutë dhe në garantim të barazisë para ligjit për të gjithë operatorët e tregut.

-Një “drejtësi e drejtë” garanton më shumë liri ekonomike dhe një klimë biznesi të përshtatshme, përmes mbështetjes së realizimit të reformave rregullatore cilësore, në dobi të zhvillimit, për të cilën, sot, më shumë se kurrë kemi nevojë.
-Kjo reformë e sistemit të drejtësisë është një mbështetje e fuqishme për biznesin e ndershëm në treg, sepse ofron ndër të tjera edhe kursim kohe, kursim financiar, kursim energjish …
-Një “drejtësi e drejtë” garanton më shumë të ardhura për shtetin dhe më shumë garanci për biznesin për mosabuzivitetin e shtetit ndaj tij.

-Një “drejtësi e drejtë” garanton ndarjen e pushteteve dhe shmang abuzimin me ushtrimin e secilit prej pushteteve kundrejt zhvillimit të biznesit në veçanti.
-Reforma në sistemin e drejtësisë do të krijojë kushte më të mira për funksionimin e zbatimit të të drejtave themelore, përfshi të drejtën e pronës, kaq e cenuar në vite të tëra.
-Kjo reformë rrit më tej kredibilitetin (shpesh të cenuar) për partnerët ndërkombëtarë, donatorët dhe është një bazë e fuqishme për zhvillimin e një klime investimesh më miqësore për investitorët e huaj dhe rrit garancinë dhe sigurinë (kaq shumë të kërkuar) për futjen e tyre në ekonominë shqiptare.

-Reforma në fjalë është një instrument i rëndësishëm për zbatimin e barazisë para ligjit, një qasje të re ndaj biznesit dhe jo me praktika selektive e preferenciale, represive apo diskriminuese, për aktorët ekonomikë, duke krijuar një hapësirë të plotë për  konkurrencë të ndershme.
-Gjithashtu, një “drejtësi e drejtë” garanton institucione tregu të qëndrueshme, konsolidimin e tyre dhe zbatim të rregullave ligjore të tregut, ndihmon në përshpejtimin e zgjidhjes së konflikteve administrative, dhe njëherazi i hap rrugë përdorimit më efektiv të alternativa të tjera, zgjidhjen jashtëgjyqësore, arbitrazhit etj.

E pra, janë këto arsye dhe shumë të tjera që paralelisht apo fill pas kësaj reforme në drejtësi, njëherazi kemi nevojë për një reformë të thellë ligjore dhe jo vetëm, në fushën ekonomike dhe të financave publike, jo thjesht nga pikëpamja e vazhdimësisë së tyre (kjo është e domosdoshme), por më së tepërmi, për të harmonizuar më tej  reformën në drejtësi (kuadrin ligjor) me standardet dhe kuadrin ligjor europian. Për më tepër, reforma në sistemin e drejtësisë kërkon edhe një përgatitje më të madhe, serioze dhe intensive, për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat, e në veçanti, në ekonomi (njëherazi kërkohet përgatitja e stafeve administrative për të qenë të gatshëm për hapjen e negociatave dhe të kapitujve me BE-në).

Jo më kot në rekomandimet e Progres-Raportit të fundit të BE-së theksohet edhe se…”Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të rritur përgatitjen për zbatimin e legjislacionit (acquis), të BE-së.
Në këtë këndvështrim, një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore të rrjedhura prej tyre do të duhet të rishikohen për të qenë më koherente me reformën në drejtësi, me legjislacionin europian dhe kushtet dhe stadin aktual të zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së klimës së biznesit në vend (edhe pse për një pjesë të tyre disa ndryshime janë bërë). I tillë është legjislacioni që lidhet me Kodin  Tregtar, ligjet e pronave, Kodi i Procedurës Penale, Kodi i Procedurës Civile, ligji për shërbimin përmbarimor privat, Kodi Fiskal (ligji i procedurave tatimore), ligji i falimentimit, ligji i prokurimeve, çështjet ligjore që kanë të bëjnë me gjykimin administrativ; zhvillimi i legjislacionit të arbitrazhit në kuptim të konventave ndërkombëtare etj.

MË SHUMË DREJTËSI EKONOMIKE E SOCIALE
Reforma në sistemin e drejtësisë është dhe një garanci, një instrument i fuqishëm në dobi të zhvillimit të “një ekonomie që punon për të gjithë”. Kjo çështje u shpalos si thelbi i politikës së re, kohë më parë, nga Presidenti Obama, në një nga fjalimet e përvitshme (në Kongres) për popullin amerikan, kur theksoi  “vendosjen e një drejtësie më të madhe ekonomike përmes zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe politikave më të drejta fiskale”.  

Zbatimi i një filozofie të tillë në vendin tonë nuk mund të realizohet pa reformimin e sistemit të drejtësisë. Njëherazi, kjo do të thotë se, kjo reformë dhe ndryshimet e reformimi i legjislacionit ekonomik e financiar duhet të garantojnë dhe të zbatohen duke konsideruar më mirë prioritetet e zhvillimit të gjithanshëm e të qëndrueshëm ekonomik (nga pikëpamja territoriale dhe e popullsisë), për të zbutur varfërinë dhe papunësinë. Pasi, një ekonomi që punon për të gjithë, mund të sigurojë që të gjithë të punojnë për këtë ekonomi. Dhe kjo, nuk mund të arrihet pa politika të reja zhvillimi që garantojnë rritje ekonomike dhe punësim.

E drejta për punë është një e drejtë legjitime e kujtdo që lind e rritet në një vend. Prandaj, reformat ekonomike dhe ato rregullatore, të tregut në përgjithësi dhe atij të punës në veçanti, janë dhe mbeten në qendër të vëmendjes. Qytetarët presin më shumë drejtësi në përfitimin nga këto reforma, në shërbime të ndryshme publike, në arsim, në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore etj. Kjo kërkon një përdorim më cilësor të shpenzimeve publike, një transparencë më të madhe të prokurimeve dhe përdorimit të dobishëm të tyre, një shpërndarje dhe rishpërndarje optimale në territor dhe popullsi.

Kjo do të ndihmonte për më shumë drejtësi ekonomike dhe sociale, dhe do të zbuste papunësinë dhe varfërinë. E për të gjitha këto, reforma në sistemin e drejtësisë mbetet thelbësore, pasi prej miratimit dhe zbatimit të saj, pritet të sigurohet një “Drejtësi më e Drejtë”, më e pavarur, si një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, shtetit ligjor, pritet më shumë drejtësi ekonomike e sociale.
Jo më kot, Brajan Stevenson ka theksuar se” E kundërta e varfërisë nuk është pasuria (mirëqenia)… Në shumë vende, e kundërta (opozita) e varfërisë është drejtësia”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura