Reforma/ Rama ‘rrëzon’ Gjinushin: Ballafaqim me platformën Fuga. Akademiku pranon sfidën: Rebelohem se kam…

Sep 21, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

Dy platforma, njëra zyrtare e tjetra kontribut i një njeriu të vetëm, do të përballen për të sjellë më të mirën e për të çuar në të shumëpriturën reformë të Akademisë së Shkencave. Dje, në ceremoninë për ndarjen e çmimeve për veprën më të mirë shkencore kushtuar Skënderbeut dhe epokës së tij, Kryeministri Edi Rama u shpreh, se më në fund, duket se gjërat po lëvizin.

Rama, dje te Akademia e Shkencave
Rama, dje te Akademia e Shkencave

“Ju kërkoj ndjesë dhe leje që të mos bëj kurrsesi njeriun që shfrytëzon mundësinë e postit të lartë për të predikuar mbi veprat dhe mbi cilësitë e tyre, pasi nuk është kjo as detyra, por as aftësia ime, por ta shfrytëzoj këtë moment komunikimi për të shprehur një lloj kënaqësie të moderuar lidhur me faktin që sot jemi në një fazë ku mund të shikojmë dritë në fund të tunelit sa i përket reformimit të Akademisë së Shkencave. Më në fund gjërat dhe forcat u vunë në lëvizje të vonuar, por sot që flasim jemi përballë një pune të kryer me zell dhe përgjegjësi nga grupi i ngritur për të propozuar këtë reformë, nën drejtimin e profesor Skënder Gjinushit, por edhe përballë një platforme alternative të propozuar nga prof. Artan Fuga”, tha Rama.

skender_gjinushi- fuga artan

Sipas tij, është në të mirë të Akademisë që të dyja këto platforma të shqyrtohen pa paragjykim. “Nëse do rrinim striktë procedurialisht në lidhje me tekstin e reformës, do të falënderonim Fugën për kontributin e tij dhe do të ecnim para pa u ndalur asnjë sekondë me tekstin e sjellë nga grupi i punës. Por ajo që na duket e arsyeshme është që të ndalemi një sekondë dhe të nxisim një ballafaqim mes dy alternativave, njëra është e veshur me petkun zyrtar dhe tjera si kontribut nga një anëtar i Akademisë. Për ta lënë në diskutim mes jush dhe me ju. Mbase në platformën e grupit të punës gjithçka është si duhet, por mbase në platformën alternative ka gjëra për t’u marrë në konsideratë, mbase ajo është më e mirë se e grupit të punës, këto nuk na takojnë t’i themi ne, unë apo ministria. Është e rëndësishme që në fund askush të mos paragjykojë rezultatin dhe të mos ketë ndarje për shkak se njëra platformë pati mbështetjen e qeverisë dhe tjera erdhi si një formë rebelimi ndaj saj”, shtoi Rama.

Sipas tij, në platformën e grupit të punës ka elementë që janë të kërkuar nga koha dhe gjetja e dakordësisë përbën një gur themeli për ecurinë e Akademisë.

Reagon Fuga: Unë e pranoj sfidën. Rebelohem sepse kam të drejtë! 

Vetem pak pasi Rama u shpreh per nevojen e nje ballafaqimi mes dy platformave per reformen ne Akademine e Shkencave, ate te grupit te punes me emrin e Gjinushit dhe tjetren te Akademikut Fuga, qe kryeministri e cilesoi se erdhi si pasoje e nje rebelmi, vjen reagimi i Artan Fuges. 

Platforma ime për reformimin e akademisë të shkencave, e quajtur sot nga z. Kryeministër, si platformë rrebele, është minoritare në akademinë e shkencave, është e censuruar, e shkelur me këmbë në mënyrë totalitare atje, e keqtrajtuar nga ministria e arsimit që është bërë palë me ose pa dashje me përgjegjësit e rrënimit të Akademisë të Shkencave, por jam i bindur se platforma që propozoj do të ketë përkrahjen e komunitetit shkencor të vendit.

Po, është platformë që ngre krye ndaj dokumenteve të vjetruar që ka prodhuar grupi i punës i ministrisë të arsimit.

Unë do ta coj betejën deri në fund qoftë dhe i vetëm, edhe kundër interesave të mia personale dhe pa u ndaluar asnjë sekondë.

E falenderoj gjithsesi z. Edi Rama që pranoi të rikthejë mbrapsht një projektligj që tashmë ministria e arsimit e kishte pranuar si version i vetëm me procedura totalitare dhe të mbrapshta, me të cilat pastaj nuk votohen veçse ligje të këqinj.

Beteja vazhdon!

 

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura