Reforma/ Meta telefonon Hahn: Pas konsensusit, zbatimi tani më i sigurt

Jul 25, 2016 | 19:10
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisionerin e BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Gjate kësaj bisede telefonike mes Komisionerit dhe Metës, i cili ndodhet ne Filadelfia, Hahn shprehu përgëzimet e tij për arritjen e konsensusit dhe miratimin me unanimitet të reformës në drejtësi.

meta-hahn

Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për të gjithë forcat politike parlamentare dhe BE dhe veçanërisht ndaj Komisionerit Hahn për ndërhyrjen e tij të vendosur për përmbylljen me konsensus të plotë dhe me sukses të kësaj reforme madhore.

“Pas miratimit të saj me konsensus, implementimi i saj është më i sigurt, por edhe ecuria e mëtejshme e integrimit evropian është më e sigurtë dhe më e qartë”, theksoi Meta.

“Nga ana e tij, Hahn falenderoi Metën për përpjekjet e tij të vendosura për konsensus dhe shprehu bindjen se tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe në një rrugë më të qëndrueshme drejt BE-së”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.

Meta garantoi Hahn se do të vazhdojë përpjekjet për fillimin e zbatimit sa më parë të reformës në drejtësi.

Kryetari i Kuvendit theksoi se konsensusi i arritur nuk duhet të jetë momental, por të shërbejë si shembull për forcimin e dialogut politik dhe thellimin e të gjitha reformave në të gjitha fushat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura