Reforma Elektorale dhe korrigjimi i ndarjes administrative

Nov 5, 2019 | 10:20
SHPËRNDAJE

 

ROMEO GURAKUQI gurakuqi-150x150

Prej disa kohësh, Parlamenti i Shqipërisë, institucioni më i lartë i pushtetit shtetnor, i konceptuar për të qenë kuvendi i elitës politike dhe intelektuale, përmes një procesi të mirëfilltë zgjedhor, është shndërruar në një “domen nderi”, ku synojnë me u vetofrue për rekrutim, kushdo që në sojin formativ, as do ta kishte guxu me e mendue këtë opsion karriere 100 vite ma parë, në kohën kur u themelue. E drejta e përgjithshme për të zgjedhur, gradualisht në Shqipni është deformuar në një procedurë formale të ngritjes nga toka në majë të shtetit, të “paketave të paracaktueme” të politikanëve që mbijetojnë në sistem dhe të ndërlidhurve të tyre, që ndërrohen varësisht provave të bindjes së verbër dhe përuljes përshtirosëse.

Një numër faktorësh të degradimit të sistemit politik, të historisë së trazueme politike dhe sociale në vitet e tranzicionit, të prishjes së rendit të parësisë pronësore, të degradimit të sistemit të vlerësimit të cilësisë në edukim, të transformimit praktik të mënyrës së ruajtjes së rendit publik, nga MPB te Zotnuesit Privatë të Territorit në një pjesë të randësishme të Shqipërisë, mosndërtimi brenda organizatave i departamenteve studimore të përbame nga njerëz të dijes dhe të kërkimit shkencor politik dhe kalimi i pikës së rëndesës nga njerëzit që mendojnë dhe arsyetojnë te rrahagjoksat, janë arsyet e këtij deformimi drastik të përfaqësisë dhe të rezistencës ndaj reformimit të sistemit politik në tërësi. Mbasendej, shndërrimi në biznes fitimprurës i tenderit të ofertave politike dhe fushatave elektorale (gjuetia e personazheve që ofrojnë para për të qenë dikushi), është një tregues i degradimit të misionit të shërbimit publik të procedurës së rekrutimit të parlamentarit. Ky degradim i institucionit sovran, gradualisht dhe pa u ndjerë, nga një institucion i elitës intelektuale përfaqësuese në një vend ku grumbullohen pajtimtarët e vetëforuar, ka sjellë në përçmimin e padallimtë ndaj parlamentarit shqiptar, nganjëherë përtej caqeve të arsyes dhe të së drejtës, nga ana e publikut të dëshpëruar.

Nuk është vetëm cilësia e përfaqësisë ma të naltë, politike e dëmtueme në këtë rast. Është para së gjithash i përçudnuem qëllimisht përfaqësimi i vërtetë i komuniteteve me elitën e meritueme dhe përçuese të fjalës dhe interesave të drejtpërdrejta, zhvillimore, ekonomike, sociale dhe kulturore. Tranzicioni nuk arriti të përmbysë qasjen që ndoqi PPSH në prishjen strukturore të Shqipërisë tradicionale, shkatërrimin e krahinave në pikëpamje administrative, “këputjen” e pjesëve të zonave etnografike të një ane dhe kalimin artificialisht të tyre në një anë tjetër, të gjitha për një kontroll ma të lehtë të pushtetit politik, përmes të emnuemve të kapun prej mëkateve të vjetra dhe të reja. E ashtuquajtuna Reformë Territoriale e realizueme nga pasardhësit e komunistëve në vitin 2015, nuk bani gja tjetër, veçse vendosi mbi bazë ligjore “sundimin “ politik dhe administrativ të domeneve të kontrollueme nga Rilindja në Jug të vendit, mbi pjesën tjetër të shoqnisë në Veri. Në Jug të Shqipnisë u krye nji ndamje përfekte në njësi bashkiake, të çdo katundi të shndërrueme në qytet në kohën e Socializmit. Çdo deputet i prejardhun nga kooperativat e dikurshme, tanima kishte jo vetëm një territor për vete dhe pasardhësit për të bejleruar, por edhe një opsion extra për me marrë ma shumë fonde nga qeveria qendrore dhe një mundësi për të pretendue nxjerrjen e një ose dy deputeteve më shumë sesa parashikohej normalisht për qarkun respektiv në Parlamentin e Shqipnisë, pavarësisht numrit të zgjedhësve. Shqipëria na doli kështu në vitin 2015, e zhbalancueme politikisht, administrativisht, kulturalisht përkundër Konventave Kushtetuese themeltare, që kërkojnë një strukturim strikt të përbamjes dhe të prejardhjes së tre krerëve kryesore të pushtetit (sot, krerët e pushtetit qendror vijnë në qendër të Tiranës nga tri fshatra, që janë në vijë ajrore pak kilometra larg njëri-tjetrit), të qeverisë, të administratës së lartë dhe të shërbimit diplomatik (Shkodra tërësisht e papërfaqësueme në Shërbimin Diplomatik Shqiptar). E gjitha kjo ndodh jo vetëm për shkak se regjimi komunist krijoi kulturën e sundimit të Zonës së Parë Operative ndaj pjesës tjetër të Shqipnisë, por edhe për llogarina marrjeje të padrejtë pushteti, me objektiva jo vetëm rilindëse, por edhe restauruese të kontrollit të rangjeve të familjeve që janë mësue me kenë në krye.

Parlamenti i Shqipnisë sot, i vlerësuem si një Kuvend Popullor me përfaqësi të pilotueme me proporcional të emnuem, një bashkësi njerëzish që nuk kanë të bajnë me elitën e dijes dhe profesioneve, një institucion ku bashkësitë kulturore dhe krahinat historike nuk arrijnë të dërgojnë njerëzit që i përfaqësojnë realisht, është në të njëjtën kohë edhe vendi ku Atdheu Real del i zhbalancuem legalisht, i përbamë nga sundimtarë të përjetshëm dhe opozitarë që votojnë qeverinë.

Reforma Elektorale, e trumbetueme nga propaganda qeverisë, është një proces shumë kompleks, që nuk mund t’u lihet në dorë rastësorëve me dije të njëanshme dhe pa njohje mbi atdheun. Rregullimi i Kodit Zgjedhor duhet të jetë domosdoshmërisht i paraprirë nga korrigjimi i Ndarjes Administrative të vendit dhe reflektimi i saktë i regjistrave zgjedhorë. Ky korrigjim duhet të përfshijë me korrektesë si votues në lagjet e origjinës, anëtarët e sotëm të trungjeve familjare të vitit 1991, që pas ikjes në emigracion nuk kanë hequr shtetësinë dhe as regjistrimin në bashkinë e fillesës, në shenjë të ruajtjes së identitetit dhe të besimit së Shqipnia është vendi i tyne i pandërrueshëm, i lanun amanet nga të parët. Ato kanë të drejtë të marrin pjesë në vendimmarrjen nacionale, përmes së drejtës së zgjedhjes së përfaqësuesit të tyne në Kuvendin e Shqipnisë dhe kjo e drejtë duhet të garantohet jo formalisht nga ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor. Ata janë të pamanipulueshmit e sigurt dhe pjesëmarrja e tyne në proces përmes sistemeve të koduara të votimit elektronik, do të jetë një mundësi ma shumë për t’i mbyllë udhën blerjes së pushtetit nga kushdo. Ata janë mbi 2 milionë qytetarë të këtij vendi, që u nxorën jashtë nga keqqeverisja dhe nga persekutimet e heshtuna të bashkësive kulturore..

Nuk mund të pretendohet se do të kryhet një reformë elektorale me synimin e përfaqësimit e drejtë të elektoratit, në një kohë kur ndarja administrative e vitit 2015 është realizuar pa respektimin absolut të zonale etnografiko-kulturore të njohura historikisht, në shkelje tërësore të parimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, pa asnjë respekt ndaj nevojës së korrigjimit të gabimeve të qëllimshme të kryera nga komunizmi. Mjafton të bëni një përllogaritje të thjeshte të ndarjes në bashki dhe e kuptoni menjëherë, se kjo që them, nuk është propagandë kundërvënëse, por një skemë e vërtetë, e ndertueme qëllimisht mbi paragjykim antipatriotik nga ideatorët dhe specialistët e PSSH-së. Kjo skemë duhet të çmontohet e para, në mënyrë që të sistemohet jo vetëm numri i bashkive, por edhe numrat e kolegjeve elektorale për çdo qark, duke respektuar raportet numerike të popullsisë dhe të drejtën e krahinave tradicionale për përfaqësim të posaçëm. Për shembull, Malësia e Madhe me Kastrat, Hot, Shkrel dhe Kelmend, duhet të ketë jo vetëm një bashki, por edhe një kolegj elektoral të veçantë, ashtu sikurse Kopliku, Gruemira, Reçi, Lohja dhe Mbishkodra fushore në tanësi duhet të ketë një bashki dhe një deputet më shumë në Parlament, njëlloj sikurse është vepruar me Urën Vajgurore dhe Kuçovën, Këlcyrën dhe Përmetin, Poliçanin dhe Çorovodën, Cërrikun dhe Peqinin, Patosin dhe Roskovecin, Divjakën dhe Rrogozhinën. E njëjta gjë mund të pretendohet edhe për zonën e Alpeve Qendrore me Shalë, Shosh, Pult, Shllak, Nikaj Merturë, që është e nevojshme të trajtohen me vëmendje të veçantë administrative dhe përfaqësuese. Një kujdes i posaçëm u duhet kushtuar qyteteve të vjetra të Shqipërisë, atyre që kanë qenë në pararojë të themelvënies dhe mbi kulturën qytetare, të të cilave është bazuar shteti dhe administrata, që kanë pësuar emigracion të fuqishëm dhe nuk kanë përfaqësim adekuat. E kam fjalën për Shkodrën, Korçën, Gjinokastrën dhe Beratin: struktura origjinale përfaqësuese e këtyre qendrave urbane duhet të transferohet e paprekur në Parlamentin e Shqipërisë. Shkodra, për shembull, përbëhet nga pesë rajone administrative, që e “përkthyer” në numra, ky qytet duhet të ketë 5 kolegje në Parlamentin e Shqipërinë. Çlirimi i përfaqësisë nga nominimet qendrore dhe dhënia e mundësisë zgjedhësve për të votuar lirish, i hap rrugën cilësisë përfaqësuese, largon nga ambiciet shërbenjëse kandidatët pa shkolla të mesme dhe me dy shkolla të larta dhe zhduk rrezikun e kthimit të deputetëve në marioneta të verbra politike.

Për të gjitha këto arsye, unë mendoj se Reforma Elektorale shkon e lidhur pazgjidhshmërisht me korrigjimin paraprak te Ndarjes Administrative të vitit 2015, mbi kritere historike dhe bazuar në nevojat e zhvillimit të qëndrueshëm. Përcaktimi i kolegjeve zgjedhore nëpër qarqe po ashtu duhet të ndryshoje, bazuar jo vetëm mbi numra votuesish dhe banorësh, por para se gjithash, mbi nevojën e përfaqësimit në Parlament të komuniteteve historikisht të përcaktueme dhe njerëzve tanë të shkëputun nga atdheu prej politikave tradhtare të nxjerrjes tinëzisht jashtë vendit.

Prandaj, diskutimi i sistemit zgjedhor që duhet vendosur, kalon në radhe të dytë të veprimit reformues, mbasi në plan të parë është nevoja e balancimit të republikës administrativisht dhe ndarja e re e kolegjeve dhe bashkive. Duhet të kemi të qartë se parimi i përfaqësimit të përshtatshëm dhe stabiliteti politik i vendit e përjashton sistemin proporcional kombëtar.

Negociatorët duhet ta strukturojnë platformën e rishkrimit të Kodit të Ri Zgjedhor, mbi sistemin proporcional rajonal të korrigjuem, me lista të hapura, ose mbi mazhoritar të bazuem mbi nevojën e përfaqësimit të komuniteteve historikisht të formueme.

Çdo eksperiment tjetër, jo vetëm do të shformojë përfaqësimin e drejtë të Atdheut në Parlament, por edhe do të prodhoje kriza të tjera politike dhe përfaqësim permanent joelitar, të padrejtë, të pilotuem dhe në fund edhe të korruptuem. Problemi është se reformimin nuk mund ta kryejnë ata që e banë lamsh Shqipninë, Kushtetutën, Drejtësinë, Rendin dhe parimet e drejtësisë shtetnore dhe shoqnore.

Duhet një qeverisje elitare reformuese, që korrigjon pa ndërprerë angazhimet strategjike të Shqipërisë me SHBA dhe BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura