Reflektime nga një seancë parlamentare për ndryshimet në buxhet

| 10:00
SHPËRNDAJE
 

SHERIF BUNDO

Ndërgjegjja nuk më lë të hesht. Jo, nuk hesht dot kur dëgjova para pak kohësh diskutimet në Kuvend për ndryshimet në buxhetin e shtetit. Është buxheti i shtetit tim. Është ndryshim në dokumentin më të rëndësishëm financiar të vendit tim. Është portofoli i vendit tim, i cili, për procedurë, i është lënë ta menaxhojë qeveria në detyrë. Nuk është buxheti i qeverisë, është buxheti i vendit. Por, sistemi politik dhe institucional që kemi, ashtu sikurse në gjithë botën, buxhetet e shtetit ua beson qeverive në pushtet që t’i menaxhojnë.

Ky është rregulli. Por, çfarë ndodhi atë ditë? Ministrja e Financave propozoi aktin normativ të qeverisë për ndryshimet, për herë të tretë të buxhetit të shtetit, të diktuar dhe të imponuar nga situata e krijuar prej Covid19. Është normale. Ndryshimet në buxhet i propozon qeveria, e cila ka shumicën e votave dhe me ndihmën e kartonëve e kthen në fakt juridik faktin politik të të qenit në mazhorancë. Por, si trajtohen dhe si miratohen ndryshimet në buxhetin e shtetit?

Ja, ky është problemi që ndërgjegjja e bashkuar me kulturën profesionale më bëjnë presion dhe më detyrojnë të flas, ndërkohë që shumica hesht. Të flas se së shpejti do ketë edhe ndryshime të tjera. Personalisht kam shumë dyshime dhe fakte për të treguar shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë politike dhe qeverisëse të kësaj qeverie. Por, më lejoni të shpjegohem në mënyrë racionale.

A DUHET TË NDRYSHOHET BUXHETI I SHTETIT?

Situata të detyron të pranosh se të mos ndryshosh buxhetin, të mos pranosh si fakte materiale ngjarjet që kanë ndodhur, kjo do të ishte papërgjegjshmëri. Buxheti duhet të ndryshojë për t’iu përgjigjur dinamikës së krijuar dhe që kanë imponuar rrethanat e krizës që po përjetojmë. Por, si ndryshon buxheti i shtetit? Sa serioz është diskutimi për ndryshimet në buxhetin e shtetit? Në një situatë të jashtëzakonshme, ndryshimet në buxhet duhet të bëhen më të kujdesshme apo me urgjencë, pa diskutime serioze, pa një analizë profesionalisht të thellë dhe politikisht shumë të përgjegjshme?

A mund të ndryshohet buxheti i shtetit pa një përfshirje të gjerë dhe shumë serioze, qoftë edhe virtuale, online, me diskutime në rrjete sociale, me një gjithëpërfshirje të profesionistëve të ekonomisë dhe financave? Në radhë të parë, përfshirje në diskutim të deputeteve me formim profesional të fushës së ekonomisë, por edhe të ekspertëve të tjerë të vendit. Nuk bëhet fjalë për dokumente rutinë, por për dokumentin më të rëndësishëm financiar të shtetit.

Nuk më tingëlloi aspak serioze seanca kuvendore për ndryshimet në buxhetin e shtetit. Një nga deputetët e mazhorancës, që mban mbi supe spaleta të larta edhe akademike, në vend të një analize profesionale, konkludoi në një diskutim të parapërgatitur që e lexonte para kamerës, se: “…Ndryshimet duhen bërë pa hezitim dhe se pas dy ndryshimeve të para ky është ndryshimi i tretë”. Ndryshimet në buxhet nuk janë si akti noterial i vërtetimit të kopjes me origjinalin, që bëhet rëndom në zyrat noteriale. Ndryshime të rrufeshme, me ngut, ditën e parafundit të këtij sesioni parlamentar, në kushtet e mungesave ekstreme të deputetëve në seancën plenare, me disa deputetë të plagosur nga Covidi-19 dhe me shumë deputetë të trembur nga kjo plagosje. Ndryshime të rezervuara për një situatë në prag të vrapit për pushimet e verës.

Ndryshimet në buxhetin e shtetit duhet të marrin vëmendjen maksimale të deputetëve. Nuk ka shkallë më të lartë përgjegjshmërie publike të deputetëve sesa përdorimi i votës për të miratuar përdorimin e fondeve publike. Ato para që qytetarët dhe bizneset paguajnë jo pa sakrifica, si tatime dhe taksa në favor të buxhetit të shtetit, miratohen pa pikën e përgjegjësisë dhe pa pikën e seriozitetit. Seanca më la përshtypjen e diskutimeve të një njeriu që ndiqet nga mbrapa nga dikush me shkop në dorë.

Të kuptohemi: në seancën plenare luhet spektakli. Loja është përgatitur më herët. Por, edhe spektakli kërkon kohën dhe seriozitetin e vet. Edhe spektakli i përdorimit të dhunës së votave të vendosura në rresht, kërkon disa argumente serioze, kërkon përdorimin e një logjike bindëse, kërkon shpjegimin për interes të publikut për arsyet madhore që diktojnë dhe imponojnë ndryshime të tilla.

Të paktën të ishin marrë masa që seanca të mos transmetohej direkt në sytë e publikut. Në ekranet e medias u dëgjuan paradoksalisht duartrokitje pas diskutimeve qesharake, vënë në gojën e deputetëve, në një sallë Kuvendi të ngelur bosh. Zhgënjimi dhe keqardhja për këta deputetë të vendit tim është e madhe.

ÇFARË PARASHIKOJNË NDRYSHIMET NË BUXHET?

Me siguri të lartë matematikore, që buxheti i shtetit të vitit 2020 do ketë edhe ndryshime të tjera, këtë radhë të diktuara edhe nga Covid-19, por edhe nga zymtësia ekonomike e pritshme për ekonominë, që sa vjen dhe goditet edhe nga një fakt tjetër: futja në ethet e fushatës së pazakontë elektorale, në pranverë 2021. Të ardhurat e buxhetit të shtetit për këtë vit, nga tatimet dhe taksat parashikohen të bien në nivele drastike. Kjo, në fakt, ka qenë e pritshme.

Goditja që ka dhënë deri tani dhe që pritet të japë edhe në të ardhmen për tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2020 rënia e të ardhurave nga TVSH-ja është e fortë dhe buxheti vështirë ta marrë veten nga kjo goditje. Por, po kështu ka rënie të të ardhurave edhe nga burime të tjera. Turizmi dha një goditje shoku, gjithsesi të pritshme dhe të paralajmëruar, në kushtet që qeveria bëri rolin e sehirxhiut të paaftë dhe dembel. Nga ana tjetër, në disa rubrika, qeveria parashikon rritjen e shpenzimeve buxhetore.

Kjo ishte fjalia më euforike e deputetëve (kuptohet të mazhorancës, se në Kuvend nuk ka deputetë të ngjyrave të tjera, dhe aq më pak që kanë aftësinë të diskutojnë dhe të japin opinione për tema kaq profesionale dhe teknike sa kjo për buxhetin e shtetit). Do të rriten shpenzimet buxhetore në një vit krize të jashtëzakonshme? Do të rriten shpenzimet buxhetore në një vit elektoral? Do të rriten shpenzimet buxhetore në buxhetin e një vendi financiarisht të drobitur? Më bëri përshtypje rritja e fondeve buxhetore për investime publike, në objekte infrastrukturore dhe disa objekte të tjera publike të rëndësishme.

E kuptoj tentativën për të ndikuar me këtë lojë në stimulimin e kërkesës dhe injektimin në ekonomi të optimizmit nëpërmjet investimeve dhe porosive publike. Por, në financë veprojnë ligjet e logjikës formale. Nëse nuk ke fonde në portofol, nuk bën dot investime. Rritja e investimeve me përdorimin e mekanizmit të rritjes së huamarrjes publike, ka kufi.

Personalisht kam argumentuar dhe kam propozuar, gjithnjë brenda një kufiri logjik dhe real, rritjen e huamarrjes. Por, jo pa kufi. Promovimi i disa iniciativave qeverisëse për investime të mëdha infrastrukturore, si autostrada Milot-Rrogozhinë, tuneli i Llogorasë, investimet për ndërtimin e 40 shkollave të reja dhe e një sërë projektesh të tjera të ngjashme, të krijojnë përshtypjen e një viti gare elektorale.

Qeveria, në kërkim të votave dhe të mbështetjes elektorale, ka rezervuar për muajt e fundit të mandatit të dytë politika voluntariste, subjektive, jashtë mundësive dhe kapaciteteve financiare të vendit. Një përqendrim dhe intensifikim i tillë i investimeve publike në vitin e fundit të mandatit qeverisës të një qeverie, nuk justifikohet as në kushtet e mandateve normale, në ekonomitë dhe shtetet pa krizë.

Ndërsa një sjellje e tillë, në një vend ku kanë ndodhur njëri pas tjetrit dy fenomene të fatkeqësisë natyrore, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e Covid-19, të dyja me intensitet dhe goditje të ashpër, është pak të quhet jokombëtare. Insistimi në politika të tilla, vetëm e vetëm për të shkaktuar efekte të favorshme elektorale për qeverinë në pushtet, është kriminale.

Përdorimi i Partneritetit Privat Publik ka kohë që po ekzagjerohet dhe kjo huamarrje e re publike, e fshehtë, e maskuar, me kosto shumë të lartë, e angazhuar në objekte me përfitime të larta për sipërmarrësit e këtyre investimeve, është për opinionin tim mekanizmi më i gabuar. Këstet e shlyerjes së këtyre huamarrjeve janë një barrë e rëndë për dy-tri vitet e ardhshme dhe më tej akoma edhe më e rëndë. Në vitin e parë të mandatit të parë të kësaj mazhorance (viti 2013) u diskutua gjatë dhe u bë një debat i ashpër lidhur me faturat afërsisht 550-600 milionë euro, që qeveria para saj i kishte lënë nën sirtarë qeverisë së mazhorancës së majtë të kohës.

Ishte fjala për punimet e pafinancuara dhe të palikuiduara të investimeve publike, kryer nga kompani private vendëse ose të huaja, në objekte si rrugë, autostrada e kombit, Rruga e Arbrit apo fatura të prapambetura të sektorit energjetik apo ujësjellësit.

Ky diskutim ishte i drejtë dhe po ashtu shqetësimi i ish-ministrit socialist të Financave. Por, sot, gjendja është disafish më e rëndë. Duket hapur që llogaritë dhe politikat po bëhen në dëm të interesave financiare të shtetit. Mungon një përkujdesje dhe seriozitet lidhur me buxhetin dhe fondet publike. Nuk duhet lejuar politika e tokës së djegur mbas largimit të një qeverie.

Kjo politikë, e ngjashme me atë që aplikuan mongolët kur luftonin me perandorinë bizantine apo me atë që aplikuan rusët që dogjën Moskën kur Bonoparti bëhej gati në portat e saj të pushtonte qytetin, janë politika që i takojnë të kaluarës së errët të historisë.

Buxheti i shtetit rrezikon të ekspozojë probleme jashtëzakonisht serioze në një të ardhme afatshkurtër. Buxheti mund të përkeqësohet më tepër se buxheti i vitit të mbrapshtë 1997, kur shteti ishte ekspozuar në kushtet e mosekzistencës. Këshilla ime e sinqertë është: mos lejoni që vendi të kalojë në një katastrofë financiare të paprecedent. Mos lejoni që interesat elektorale të dëmtojnë rëndë perspektivën e vendit!

KRAHASIME PA VEND DHE JASHTË KONTEKSTIT

Një deputet, i cili mban edhe portofol ministri dhe që në kushte normale kisha menduar se kishte aftësinë të artikulohej mirë, në seancën për diskutimin e ndryshimeve në buxhet nënvizoi dy probleme. E para, faktin që investimet publike do të rriten (sigurisht, pa shpjeguar me çfarë burimesh financiare) dhe faktin tjetër, se, sipas tij, shpenzimet e buxhetit të shtetit për interesat financiare në vitin 2020, në krahasim me vitin 2013, janë ulur.

Nuk jam në gjendje të them nëse deputeti e kuptonte vërtet atë që tha apo thjesht lexoi në seancë atë që i kishin servirur? Lidhur me rritjen e investimeve publike, u shpreha më sipër. Këtu po ndalem me elementin e dytë: atë të uljes së shpenzimeve për interesat financiare. Çfarë ka ndodhur në fakt? Si duhet lexuar dhe interpretuar realiteti? Së pari, në tregjet financiare ndërkombëtare, por veçanërisht në ato europiane, në terrenin e të cilave luajnë financat tona publike, ka një rënie drastike të çmimit të parasë. Me fjalë të thjeshta, normat e interesit në tregjet financiare europiane kanë rënë jashtëzakonisht shumë.

Sot, normat vjetore të interesit për huamarrjet publike (huamarrjet nga qeveritë), në këto tregje luhaten midis 0,5 dhe 1,2 %. Ndërkohë, në vitin 2013 ato luhateshin midis 4 dhe 5 %, ose gati katër deri pesë herë më shumë. Për vendet dhe shtetet e klasifikuara nga institucionet financiare ndërkombëtare në të njëjtin grup me vendin tonë, pra, në grupin e gjashtë, normat vjetorë të interesit kanë qenë 6-7 %, ose 6-7 herë më shtrenjtë.

A ka vend krahasimi në këto kushte? Ndoshta, deputeti nuk e kupton këtë treg. Së dyti, a mund të krahasohet viti 2013 me vitin 2020? Për ata që nuk janë të fushës, dua të nënvizoj se: në vitin 2013 ekonomia botërore ishte e mbërthyer nga darët e forta të krizës së thellë financiare, 2007-2013. Ishte një krizë e thellë, por e kundërt me sjelljet e interesave dhe të çmimit të tregtimit të parasë me atë që ndodh aktualisht. Sot, tregjet financiare kanë likuiditet. Bankat kanë rritje të depozitave, edhe pse në kushtet e krizës shkaktuar nga pandemia.

Në banka, paradoksalisht me atë që mendon dhe përjeton publiku i gjerë, sidomos psikologjikisht, janë rritur depozitat e qytetarëve dhe të bizneseve, pjesa më e madhe e të cilave janë depozita pa interes. Rritja e depozitave është një problem për bankën. Paraja e papërdorur i djeg duart të zotit të vet, thotë një ligj i pashkruar i shkencës së financës. Paraja e depozituar kërkon të përdoret.

Ajo bën presion për kredidhënie, ndërkohë që nga ana tjetër, ekonomia reale, bizneset, vuajnë recensionin. Ato nuk kërkojnë fonde për rritje dhe zgjerim, se nuk kanë tregje ku të shesin. Pra, ka ofertë për huadhënie nga bankat, por nuk ka kërkesë për huamarrje nga bizneset. Ky është shkaku kryesor pse interesat e huas sot në tregjet financiare europiane janë mjaft të ulëta.

Vende si Gjermania marrin hua me 0 % interes. Për huadhënësit ka më shumë rëndësi konservimi dhe ruajtja e parasë sesa interesi. Së treti, nuk duket paksa paradoksale krahasimi i vitit 2020 me vitin 2013? Njëlloj si shteti komunist, që të gjitha krahasimet i bënte me vitin 1938, kur kishte qenë kulmi i recensionit të ekonomisë botërore që polli Luftën e Dytë Botërore. Kam edhe argumente të tjera, por nuk dua të zgjatem, se jam i bindur që janë mjaftueshme.

A e kuptojnë këta deputetë se çfarë thonë në diskutimet e tyre? A mund të vazhdojmë të qëndrojmë gjithnjë indiferentë përpara televizorëve me telekomandë në dorë? A mund të pranojmë edhe ne profesionistët një fyerje të tillë të publikut? Mjedisi është indiferent dhe indiferenca vret më keq se politikat e dështuara të një qeverie. Por, nuk më lë dashuria për vendin. Kërkova një ekuilibër të ri në veten time duke thënë me vete: mos kërko argumente të justifikosh veten. Merr riskun dhe hidhe në treg mendimin tënd. Kush ka kurajën, le të kundërshtojë. Përndryshe, nesër do të jetë shumë vonë dhe e nesërmja, e cila nuk mbërrin kurrë, nuk mjafton për të justifikuar veten dhe qetësuar ndërgjegjen.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.