Reflektim mbi vizitën e Kancelares Merkel

Jul 9, 2015 | 12:09
SHPËRNDAJE

ROMEO GURAKUQI

    Vizita e Kancelares Angela Merkel në Shqipëri është një vizitë në përkrahje të drejtpërdrejtë të popullit shqiptar në rrugën e tij të mundimshme drejt një demokracie funksionale, rrugë e ndërprerë herë pas here dhe fuqimisht sot nga prirjet autoritariste dhe antikonstitucionale të qeverisë aktuale. Vizita ndodh sot në rrethanat e një emigrimi të frikshëm të popullit shqiptar, këndej dhe andej kufirit, drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera europiane, një procesi uzurpativ të zënies së hapësirës publike nga të asociuar me krimin e organizuar, ish-pjesëtarë të nomenklaturës stërvitore të ish-diktaturës dhe, kur po ndodh një proces purifikues i shmangies së ekspertizës nga të gjitha ndryshimet, të konsideruara reformative nga ana e qeverisë aktuale.

Vizita ndodh pikërisht sot, kur procesi i hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE është ndalur në mënyrë të trishtueshme:
1. Shqipëria nuk po arrin të krijojë një sistem parlamentar të zonjave dhe zotërinjve të Shqipërisë: Sistemi politik demokratik në Shqipëri nuk do të arrijë të bëhet me të vërtetë i pjekur, në qoftë se ky vend nuk do të pastrojë plotësisht Parlamentin nga padronët dhe ushtarët e krimit të organizuem dhe korrupsionit, dhe në qoftë se nuk do të krijohet një grupim i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm, zonjash dhe zotërinjsh, që do të mbijetojnë në Parlament për shkak të staturave të pacenueshme individuale, karakteriale, politike, kulturore dhe pastërtisë ligjore, të cilët më pas do ndihmojnë në riinstitucionalizmin e traditave parlamentare. Shfaqja e një elite parlamentare në arenën e Kuvendit shqiptar e munguar: Kjo mungesë është rezultat i kornizës legale historike, ndryshimeve të vazhdueshme të sistemeve zgjedhore (posaçërisht vendosja e sistemit proporcional krahinor, i pakorrektuar me votim emëror të listës, në një vend unitar) dhe problemeve themelore të një shoqërie me tranzicion demokratik të dështuar.
Shqipëria është një vend, që nuk ka krijuar kulturën e edukimit të udhëheqësisë së lartë mbi popullin.

2 Vizita ndodh kur pas deformimit administrativ dhe zhbalancimit politiko-kulturor të Shqipërisë ndodhi një proces shkatërrimtar zgjedhor-krahinor, që e ngjyrosi me monizëm të kuq jetën sociale dhe politike shqiptare, duke e kthyer 25 vite pas situatën e pluralizmit shqiptar; harta e kuqe e elektorale e Shqipërisë është një njollë turpi për demokracinë shqiptare dhe pushtetin që e ndërtoi dhe e dirigjoi, që nuk gënjen demokracitë europiane dhe amerikane.

3. Vizita ndodh kur “reformatorët” radikalistë të së majtës ekstreme kanë zënë vendet e të gjitha komisioneve të ngritura nga maxhoranca për reformimin aq të domosdoshëm të sistemit të Drejtësisë, të sigurisë e mbrojtjes, teknologjisë së informacionit, të shkencës shqiptare, teksteve të historisë së Shqipërisë, literaturës etj., imponojnë në këshillat këshillimorë të çdo dikasteri qeveritar dhe kanë lënë jashtë të gjithë ekspertizën e teknicienëve pa parti.

4. Vizita ndodh kur maxhoranca po ushtron një presion politik dhe po bën përpjekje për deformimin e skemës konstitucionale të Republikës Parlamentare, përmes zvogëlimit në një minimum të pangjashëm dhe të pandeshur as në teorinë dhe praktikën e të drejtës publike, të pushteteve ekzekutive dhe gjyqësore të Presidentit të Republikës.
Kësisoj, vizita e zonjës Merkel duhet të lexohet nga Kryeministri si një mbështetje ndaj demokracisë, popullit shqiptar, për rivitalizimin e europianizimit, rivendosjen në funksion të demokracisë dhe ndryshimin e skemës menaxheriale ekonomike të një vendi që prodhon emigracion për shkak të pamjaftueshmërisë ekonomike të tij, politikave dritëshkurtra ekonomike, pasigurisë së legjislacionit dhe mungesës së lehtësisë së investimeve, diletantizmit në menaxhimin financiar dhe ekonomik. Sikurse Jacques Rupnik e tha para disa ditësh në Tiranë, klikat autoritare me veshje demokratike, ngatërrojnë “rule of law” me “rule around the law”. Ky është rasti i regjimit hibrid të krijuar në Tiranë së fundmi. Janë të gjitha këto arsye që kanë ngadalësuar, ndoshta dhe ndalur, procesin e integrimit, ndaj korrigjimi i përshpejtuar mbetet një prioritet i politikës së brendshme të vendit.

Vizita duhet kuptuar edhe si një thirrje ndaj maxhorancës për të bashkëpunuar me opozitën parlamentare, popullin opozitar dhe intelektualët pa parti, për ndërtimin e një Shqipërie të të gjithëve, që prosperon duke shfrytëzuar burimet njerëzore më të afta. Ndërkohë që për opozitën dhe kreun e saj, ajo është, përveçse një mbështetje për pjesëmarrje funksionale në sistem, edhe një kujtesë mbi nevojën e krijimit të një opozicioni të kualifikuar dhe të ekspertizës. Shqipëria ka një nevojë për një konsensus nacional për pilaret e demokracisë dhe progresit në liri. Por, kur kjo nevojë injorohet dhe në vend të saj ndërtohet një proces presues dhe manipulativ parazgjedhor dhe një proces mungese transparence zgjedhore, perspektivat nuk duken aq të qarta.

Në këtë kuadër, maxhoranca, në qoftë se ka vullnet të mirë për të kuptuar mbështetjen e Europës, do të duhet të rindërtojë komisionin reformativ të Sistemit të Drejtësisë, duke përfshirë përfaqësues të institucionit të Presidentit të Republikës, Opozitës dhe Intelektualët më të spikatur pa parti; një reformë të partive politike, duke rimarrë si model për ndërtimin e legjislacionit ligjin gjerman mbi partitë politike, që do t’i shndërrojë këto subjekte në subjekte reale të së drejtës publike dhe do t’i impenjojë ligjërisht partitë të ndërtojnë demokracinë e brendshme dhe do të kontrollojë financimin e tyre dhe fushatave të tyre; Rikthim i administratës publike në situatën e fiksuar nga ligji konsensual, kur nuk prekën interesat e cilësisë dhe shërbimeve; rimodelimi i hartës administrative të vendit dhe përsëritja e zgjedhjeve në tri bashkitë, ku janë vërejtur shkeljet më të rënda dhe vota është deformuar, si në Durrës, Elbasan dhe Berat.

Klasa politike shqiptare duhet të mbajë parasysh përvojat e vendeve të tjera, por edhe përvojën e Shqipërisë së 25 viteve të fundit: tranzicionet e dështuara prodhojnë revolucione portokalli, d.m.th revolucione të dyta kundër klikave autoritariste të korruptume postdiktatoriale.
Pyetja që shtrohet, është: a kanë qenë mjaftueshëm bindës ndaj përfaqësueses së lartë të kombit gjerman qeveritarët shqiptarë, për të fshehur botën e tyre të nënçmimit ndaj popullit që e qeverisin? A kanë arritur ata të krijojnë fasadën e nevojshme për të fshehur gjendjen e mjeruar ku ndodhet ekonomia dhe perspektiva e një vendi të paqëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht?
*Universiteti Europian i Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura