Referendumi për emrin në Maqedoni, thirrja e Metës për shqiptarët: Votoni pro, të çelni një kapitull të ri

Aug 29, 2018 | 9:12
SHPËRNDAJE

Maqedonia mban më 30 shtator referendumin për emrin pas marrëveshjes me Greqinë. Partitë parlamentare shqiptare janë shprehur se do të mbështesin pozitivisht referendumin për emrin, pasi sipas tyre me këtë hapet rruga e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Ato do të jenë pjesë e fushatës duke i bërë thirrje elektoratit të tyre që të dalin për të votuar pro referendumit.

Sakaq, Presidenti shqiptar Ilir Meta, ne nje intervistë për “Albanian Daily News”, u ka drejtuar një thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë “që të marrin pjesë në referendumin e datës 30 shtator dhe të votojnë pro marrëveshjes, për të çelur një kapitull të ri jo vetëm në dobi të integrimit të Maqedonisë, por edhe në të mirë të ardhmes së tyre në këtë vend”.

Ilir meta per kufijte

Më 30 shtator Qeveria Zaev do të organizojë referendumin lidhur me marrëveshjen e arritur me Greqinë për emrin e ardhshëm të saj, rezultati i të cilit është ende një dilemë. Sa i rëndësishëm është për Shqipërinë e rajonin ky rezultat?

Integrimi i rajonit në BE dhe në NATO është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij. Maqedonia ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm, të favorshëm dhe optimist, pas një periudhe të gjatë stanjacioni në marrëdhëniet me Greqinë, me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n.

Pa asnjë mëdyshje ne kemi mbështetur dhe nxitur dialogun e drejtpërdrejtë mes Athinës e Shkupit me bindje të plotë se kjo është rruga më e mirë për të çuar përpara dhe për të gjetur zgjidhjen e duhur të procesit të tejzgjatur integrues të Maqedonisë.

Marrëveshja e arritur me Greqinë për emrin hap një perspektivë të re, është një hap pozitiv i Maqedonisë drejt anëtarësimit të saj në NATO, integrimit në BE dhe ndikon drejtpërdrejt në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni ka një rol të pazëvendësueshëm si në procesin e ndryshimeve të brendshme e kohezionit politik e social ashtu edhe në procesin euroatlantik të Maqedonisë.

Ai ka sërish mundësinë të rikonfirmojë qëndrimin e palëkundur të tij pro anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE duke u angazhuar seriozisht dhe me të gjitha energjitë për suksesin e këtij referendumi.

Suksesi i këtij referendumi është një fitore e forcave dhe frymës integruese, europianiste dhe euroatlantike kundrejt tendencave arkaike, anti-evropiane dhe anti-NATO jo vetëm në Maqedoni por në të gjithë rajonin tonë.

Ndaj besoj e njëkohësisht u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e datës 30 shtator dhe të votojnë pro marrëveshjes, për të çelur një kapitull të ri jo vetëm në dobi të integrimit të Maqedonisë, por edhe në të mirë të ardhmes së tyre në këtë vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura