Reduktimi i dëmit tek duhani/ Alternativa të reja për një jetese të shëndetshme larg zakoneve të përditshmërisë

Oct 20, 2020 | 13:41
SHPËRNDAJE

thr2Të jetosh shëndetshëm është çelësi i një jete të gjatë. Prej dekadash, mjekë dhe organizata të ndryshme shëndetësore po influencojnë popullatën e mbarë botës drejt një stili jete larg obezitetit, konsumit të duhanit apo teprimit me pijet alkoolike.

E parë në këndvështrimin e rrezikut të jetesës prej zakoneve të përditshmërisë, është vënë re ndërgjegjësim i gjerë i industrive të ndryshme në reduktimin e dëmeve. Si rrjedhojë e këtyre nismave është konstatuar rënie e konsiderueshme e vdekshmërisë kardiovaskulare para viteve 2000.

I pranishëm në konferencën “Reduktimi i dëmit tek Duhani”, Dr. Reuven Zimlichman, Shef i Institutit Mjekësorë dhe Hipertensionit në Izrael, vlerësoi se kjo rënie ka ardhur nga ndryshimet mjekësore, zhvillimi i metodave të reja, medikamentet e reja, por gjithashtu dhe nga mirëkuptimi i popullatës mbi rëndësinë e jetesës.

“Ne edukuam popullsinë për aktivitete fizike, për dietë të shëndetshme, për të humbur peshë, për të ndaluar pirjen e duhanit, për të ndaluar pirjen e alkoolit, etj. Të gjitha këto janë ndryshime. Nga viti 2000 e deri më tani mund të shihni që kurbat nuk po ndryshojnë dukshëm. Shpjegimi më logjik për këto të dhëna është se kushdo që dëshironte dhe ishte në gjendje të ndryshonte stilin e jetës së tyre, tashmë e bëri atë.”

Gjithashtu Dr Zimlichman shton se “Sot të gjithë e dinë se pirja e duhanit nuk është e mirë për shëndetin, ashtu si konsumi i tepruar i alkoolit, dietat jo të shëndetshme, apo mungesa e aktivitetit fizik. Por sërish kemi rreth 1 miliardë njerëz që pinë duhan në botë dhe parashikimi është se kjo do të vazhdojë. Pra, duke bindur ata që pirja e duhanit është jo e shëndetshme, nuk ka më efekt pasi është një fakt i njohur tashmë. Duhanpirësit e dinë këtë dhe ata zgjedhin të vazhdojnë konsumin duhanit, disa prej tyre provuan të hiqnin dorë por nuk ia dolën mbanë. Kështu që për këta njerëz na duhet diçka e re. Një qasje e re, një pajisje e re që do t’i ndihmojë ata të jetojnë një mënyrë jetese më të shëndetshme, të ekspozohen ndaj më pak toksikantëve”.

Edhe Dr. Peter Harper, Drejtues i departamentit Onkologjik në Spitalin St.Thomas në Londër, sheh si zgjidhje për duhanpirësit që nuk heqin dot dorë nga duhani, ofrimin e alternativave të reja,  të cilat i ekspozojnë duhanpirësit ndaj një niveli më të ulët toksikantësh. “Ne e dimë se cigaret tradicionale përmbajnë kimikate të shumta rreth 6000 të tilla, të cilat bëhen shkaktare të sëmundjeve të lidhura me duhanpirjen. Por ajo që vëmë re janë disa konvertime të përdoruesve të cigareve që kalojnë në produktet e reja të duhanit. Kemi rreth 70 milion duhanpirës që kanë hequr dorë nga duhani duke kaluar në alternativa, prej tyre 55 milion janë përdorues të cigareve elektronike dhe më shumë se 15 milion të produkteve të duhanit me ngrohje. E këto produkte pa tym kanë dukshëm më pak kimikateve dhe toksikantë krahasuar me cigaret”.

Sipas DR. Harper “Sëmundjet që lidhen me duhanpirjen kërkojnë dekada të tëra për tu zhvilluar ndaj dhe rreziku kërkon vite të zvogëlohet. Të gjithë ata që kalojnë nga një produkt standard i duhanit në një nga këto produkte të reja pa tym, do t’u duhet kohë për të parë ndryshimet”.

Vetë industria e duhanit për të po ofron në treg zgjidhje më pak të dëmshme për duhanpirësit e rritur që nuk heqin dot dorë prej tij, në mënyrë të reduktuar dëmet e si rrjedhoje për të ulur mundësinë e sëmundjeve të lidhura me duhanpirjen.

Gizelle Baker, Drejtuese shkencore në Philip Morris, u shpreh se “Ne po shikojmë sëmundjet që lidhen me pirjen e duhanit. Ajo që dimë rreth tyre është që të duhen dekada për t’u zhvilluar. Ne dimë gjithashtu se kur njerëzit pinë duhan, sa më gjatë të pinë duhan, aq më shumë pinë duhan, dhe aq më shumë rrezikojnë të shfaqin sëmundje të lidhura me duhanpirjen. Braktisja është zgjedhja më e mirë që një person mund të bëjë për të zvogëluar dëmet e duhanpirjes, por dhe kjo kërkon kohën e vetë, pasi ata ende bartin me vete historinë e duhanpirjes”.

Për këtë arsye, produktet e reja pa tym, ku përfshihen cigaret elektronike apo dhe duhani me ngrohje, sipas Baker, nuk janë të njëjta me cigaren. “Që produktet e reja pa tym të jenë zgjedhje më të mira se sa vazhdimi konsumit të cigareve, toksikantët në to si dhe kimikatet që dihet se shkaktojnë sëmundjet e lidhura me duhanpirjen duhet të jenë dukshëm më të ulëta. Nëse shohim toksikantët që njohim në tymin e cigares e i krahasojmë ato me aerosol që gjenerohet nga IQOS, vëmë re një rënie prej 90% të nivelin e toksikantëve në aerosol krahasuar me tymin. Këto produkte nuk janë të njëjta me cigaren. Ulja më e madhe se 90% e toksikantëve përkthehet drejtpërdrejt në një ulje më të madhe se 90% të toksicitetit. E cila është shumë inkurajuese kur flasim për portofolin tonë të reduktimit të dëmit”.

Në panelin e diskutimit mbi Reduktimin e Dëmit tek Duhani, zhvilluar online për shkak të Covid-19, u vu theksi tek nevoja e përfshirjes së reduktimit të dëmeve në përditshmëri si dhe ofrimi i alternativa më pak të dëmshme për një të ardhme më të shëndetshme për duhanpirësit që nuk heqin dorë nga duhani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura