Recitali i Enver Shëngjergjit/ Big-ët e muzikës shqiptare dhe këngët e paharrueshme në një mbrëmje

Jun 23, 2022 | 21:25
SHPËRNDAJE

Një kremtim i 52 viteve karrierë të Enver Shëngjergjit. Drejtuesi artistik i koncertit recital, Gjergj Leka sjell të riokestruara 14 këngët më të famshme të kompozitorit, që vijnë të interpretuara nga emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare dhe talente të reja, në një frymë moderne.

7-1-1-768x428

Anës e pas anës o, lumit të fshatit tim…dhe këto vargje vetiu të ndërmend të pandara nga tingujt tashmë ikonikë të këngës “Vajzat e Fshatit tim”.

Në përvjetorin e 52-të të karrierës së kompozitorit Enver Shëngjergji kënga vjen e freskët si erë e fushës dhe e malit, me tingëllimat e reja orkestrale nga Gjergj Leka.

Drejtues artistik i koncertit recital të Enver Shëngjergjit, Leka solli një buqetë lulemollësh me 14 këngë të paharrueshme që mbajnë firmën e kompozitorit duke bërë edhe njëherë bashkë emra të mëdhenj të muzikës së lehtë shqiptare si Alida Hisku, tashmë mishërim i këngës “Vajzat e fshatit tim”, vargjet e së cilës janë shkruar nga poetja Zhuliana Jorganxhi, Justina Aliaj, Bashkim Alibali, Marjana Leka, Lijana Kondakçi, Eranda Libohova, Kastriot Tusha. Nuk mungoi zëri i Gjergj Lekës, i cili gjithashtu i solli këto këngë të paharrueshme të interpretuara edhe nga zëra të rinj, si Paolina Pajollari, Iris Sula dhe Elisa Skarra.

“Kënga, jeta ime”– një kremtim i jetës ishte koncerti i Shëngjergjit, që përmbledh gjysmëshekulli në një festë muzike, që vjen e transmetuar të shtunën mbrëma në kanalin News 24. Nga muzika e lehtë tek ajo popullore e instrumentale, qendra e gravitetit në pentagramin e Shëngjergjit mbeti thesari etnik, që i bëjnë këngët e tij lehtë të dallueshme edhe sot.

“Nëse kompozitorit nuk i dhemb shpirti për atë që shkruan, nëse nuk do ta ndjenjë atë që shkruan, është e kotë”, shprehej dikur kompozitori i nderuar nga presidenti me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Kur shkruante këngën “Nën kurorën e Ullirit”, interpretuar atëkohë nga Lindita Theodhori dhe Myfarete Laze, kompozitori rrëfente se pat marrë katër vargje të një poezie të Tepelenës e pasta me poeten Jorganxhi, krijoi poezinë e kurbetit.

Kënga sa të ndërmend folklorin me historinë e migrimeve prej kohëve mesjetare, aq edhe tingujt e pianos në introduktën e saj kanë fuqinë e muzikës klasike. Vetë Shëngjergji e shtriu krijimtarinë artistike edhe në poezi, ndërsa ka botuar disa vëllime, që shfaqen si elementë të rëndësishëm edhe në këtë koncert recital, që u realizua në sajë të Bashkisë Tiranë dhe bujarisë së mjekut popullor, Ylli Merja.

Të tjera këngë që vijnë të riorkestruara nga Gjergj Leka në këtë koncert recital janë po aq të famshme si “Lulet e Mollës”, “Ninulla”, “Udhëtuam së bashku” apo “Mbrëmja e fundit”.

 

Jetën artistike të Shëngjergjit e ka shënjuar fort edhe Festivali i Këngës në Radio dhe Televizion, i cili i fali kujtime të bukura me këngët e tij të vlerësuara me çmime të para e të dyta e të kthyera shpejt në hite, por edhe të hidhura.

Mori pjesë në të famshmin Festival të 11-të, ai që u rrek të revolucionarizonte muzikën shqiptare si një lloj woodstock nën ndikimin e ritmeve të rock and roll dhe në një kohë të shkurtër, si në një ëndërr të keq e gjeti veten nga pedagog në Akademinë e Arteve, në punëtor krahu në malet e Kërrabës. Largimin nga Akademia ia njoftuan pesë ditë para dasmës, por sot kohërat e mjegullta janë davaritur dhe familjarët janë pranë tij me befasi të këndshme të mbrëmjes. Aty është edhe Bashkim Alibali, miku dhe bashkëpunëtori i vjetër, të cilit i besoi këngën atë festival, titulluar “Mbrëmja e Fundit”. Qe mbrëmja e fundit e shpengimit rinor, e lirisë së tingujve për shumë pjesëmarrës.

Ndëshkimi i regjimit me punë të rëndë, fat të cilin e pësuan edhe kolegë të tjerë, nuk e bëri të tërhiqej nga festivali. Mori pjesë në të 13-tin edicion dhe fitoi çmimin e parë me “Vajzat e Fshatit tim”, që pasoi sukseset e “Lulet e Mollës” dhe “Nën Kurorën e Ullirit”.

I ka lëvruar pothuaj të gjitha gjinitë e muzikës, ndonëse identitetin kryesor e ka krijuar me muzikën e lehtë, por një nga pengjet i mbeti, muzika e një filmi.

Megjithatë kinemanë e preku nga afër si aktor. Detaj që nuk i shpëtoi organizatorit Gjergj Leka, duke e sjellë në këtë koncert recital, si një portret i plotë, jo vetëm me tinguj, por edhe imazhe.

Tingujt e “Ninullës”, një nga këngët që kompozitori ka rrëfyer se e do me shpirt, me zërin e Marjana Lekës përhapeshin në ajrin e freskët, rrëzë Dajtit, ku u mbajt edhe koncerti dhe nanurisnin publikun e dehur me këngë, si një dëshmi e gjallë se muzika është e pakohë dhe e lirë nga çdo vargua regjimesh politike. “Me art nuk ndihesh kurrë i vetmuar”, thoshte i izoluar gjatë pandemisë kompozitori ndërsa luante notat e “Ninullës” së tij të famshme.

Krijimet dhe miqtë e tij janë aty, në një natë të rëndësishme për Shëngjergjin tashmë 74 vjeçar, për t’ia pohuar se kënga është e gjatë, po aq sa vetë jeta, e jetuar, përjetuar, ringjallur e rimishëruar në breza. Ky recital vjen në vazhdën e veprimtarive muzikore që Gjergj Leka ka ideuar dhe organizuar për të shoqëruar netët e verës dhe premton surpriza me artistë të njohur të skenës shqiptare dhe talente të rinj. /BW

 

 

© Panorama.al

Te lidhura