RECETA/ Gështenjat që nuk hahen vetëm të pjekura

Nov 14, 2015 | 8:45
SHPËRNDAJE

Tani eshte koha e tyre më e mirë. Jo se nuk shijohen vetëm të pjekura apo të ziera, ama, ta themi, kjo është mënyra më përtace për t’i shijuar. Me gështenjat, duke qenë se kanë një shije thuajse neutrale, mund të bëni gjithfarë recetash të kripura apo të ëmbla.

Ajo që ju duhet është vetëm pak durim për t’i pastruar, pastaj procedurat e tjera janë fare të thjeshta. Shikoni se si mund t’i konsumoni ndryshe…

RIZOTO ME SALSIÇE DHE GËSHTENJA

rizoto
Përgatitja:
Zieni gështenjat me degën e rozmarinës. Prisni imët qepën. Pastroni gështenjat nga lëkurat dhe cipa e brendshme. Shtypini duke i shndërruar në brumë, duke hequr mënjanë kokrrat që janë prishur më pak gjatë pastrimit. Skuqni qepën në 4 lugë vaj dhe shtoni orizin duke e kaurdisur pak.

Hidhni verën e bardhë dhe lëreni deri sa të avullojë alkooli. Vijoni me brumin e gështenjave dhe lëng perimesh aq sa duhet për zierjen e plotë të orizit. Prisni salsiçet në copa të vogla dhe skuqini me dy lugë vaj. Bashkoni aty edhe gështenjat kokërr. Me përgatitjen e fundit do të shërbeni orizin kur të jetë gati.

Përbërësit: 400 gr gështenja; 400 gr oriz; 200 gr salçiçe; lëng perimesh; 1 qepë; 1 gotë verë të bardhë; 1 degë rozmarinë; kripë, piper; 6 lugë vaj ulliri.

KREM GËSHTENJASH
krem

Pateja ose kremi i gështenjave është mjaft i shijshëm dhe shumë i mirë për t’u përdorur si shoqërues ëmbëlsirash ose thjesht ashtu, për të lyer bukën në mëngjes apo pasdite. Receta kërkon një kohë relativisht të gjatë për t’u përgatitur për shkak të kohës së zierjes së gështenjave që më pas do të shndërrohen në krem. Veç të tjerash, është një ide mjaft ekonomike, por që nuk se mund ta bëni në çdo kohë pasi tani gështenjat janë në sezonin e tyre dhe çmimi është i mirë.

Përgatitja: Hapni secilën prej gështenjave me majën e thikës. Hidhini në një enë të madhe për t’i zierë duke i mbuluar me ujë. Shtoni një lugë të vogël me kripë të trashë dhe lërini të ziejnë të mbuluara për 40 minuta. Pasi të kenë zierë, hapini dhe pastrojini nga lëkura. Shtypini në një enë me lugë ose mund t’i kaloni në frulator.

Më pas, masën e brumit të përftuar prej tyre kalojeni në një tjetër enë ku do të shtoni edhe 2 gota ujë bashkë me sheqerin. Vazhdojeni zierjen për gjysmë ore, gjithnjë duke e përzier. Në 10 minutat e fundit, përpara se ta hiqni nga zjarri, shtoni rumin. Lëreni të ftohet dhe konservojeni në enë qelqi.

Përbërësit: 2 kg gështenja; 1.5 kg sheqer; 2 dl rum; Kripë e trashë

MAKARONA ME KËRPUDHA TË FRESKËTA DHE GËSHTENJA
makarona
Përgatitja: Puna e parë që duhet të bëni, siç edhe në recetat e mësipërme, është zierja dhe pastrimi i gështenjave në mënyrë që të jenë gati për gatim. Ndërsa keni vënë të ziejë ujin e makaronave, merruni edhe me salcën e tyre shoqëruese. Prisni kërpudhat e freskëta në feta të holla dhe skuqini me pak hudhër, kripë e piper.

Shtoni po aty gështenjat të cilat i keni coptuar në copa të vogla dhe lërini të kaurdisen bashkë për pak minuta. Hidhini salcës makaronat e ziera, duke shtuar në fund pak vaj ulliri dhe majdanozin e freskët.

Përbërësit: Makarona të llojit që dëshironi; Kërpudha; Gështenja; Kripë; piper; Vaj ulliri; Majdanoz të freskët; Hudhër; Djathë të grirë grana (me dëshirë)

KEK GËSHTENJASH
kek
Përgatitja: Në enën ku keni hedhur miellin e do punoni brumin, shtoni qumështin dhe dy gota ujë të ftohtë. Duhet të përftoni një masë brumi të hollë e kremoze. Shtoni sheqerin dhe pak kripë bashkë me tri lugë gjelle vaj.

Në një tavë ku keni vendosur pak vaj hidhni brumin me lartësi jo më shumë se 2 cm. Sipërfaqen mbulojeni me stika pishe dhe disa degëza rozmarine. Shtoni sërish pak vaj dhe futeni në furrën e parangrohur në 180 gradë për 40 minuta. Shërbejeni të ftohtë. 

Përbërësit: 400 gr miell gështenjash; ¼ lt qumësht; 50 gr sheqer; 20 gr stika pishe; Rozmarinë; Vaj; Kripë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura