RECETA/ E dinit që edhe fëstëkët kanë një ditë të tyren?

Mar 5, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Prodhuesi më i madh i një prej frutave të thatë më të pëlqyer është Irani, Shtet e Bashkuara dhe Turqia. 26 shkurti ishte dita e tyre, sepse në botë është një ditë që quhet ‘dita e fëstëkëve’. Me këtë rast, një organizatë që merret posaçërisht me studimin e të mirave të tyre ka botuar një studim të gjatë rreth cilësive e dhe dobisë së fëstëkëve për organizmin.

Ndër të tjera, ajo çka nënvizohet, është fakti që fëstëkët janë të pasur me proteina vegjetale, vitamina dhe minerale, përveçse kanë fibra. Ndihmojnë për të mbajtur kolesterolin në nivelin e duhur dhe të pakësojnë rrezikun e diabetit. Janë burim i mirë energjie dhe ndihmojnë në pakësimin e stresit dhe nxitjen e humorit të mirë. Megjithatë, si me çdo gjë të mirë e të ushqyeshme, nuk duhet të abuzoni, sidomos kur fëstëkët janë të kripur.

E mira është të konsumohen ata pa kripë sepse sasia e madhe e kësaj të fundit mund të humbasë vlerat e këtij fruti të thatë, që mund ta përdorni edhe në shumë gatime. Më poshtë po ju japim disa shembuj…

Toptha djathi me fëstëk

Pistachio-copy

Përbërësit për 20 kokrra: 250 gr krem djathi (filadelfia); 200 gr djathë feta; 2 lugë kos; 150 gr fëstëk të pastruar; gjysmë thelbi hudhër; pak borzilok dhe rigon; 8 domate të thata; spec degës të grirë.

Përgatitja: Në mikser përzieni kremin e djathit me kosin dhe hudhrën, derisa masa të bëhet e njëtrajtshme dhe kremoze. Shtoni erëzat aromatike dhe punojeni sërish. Vijoni me djathin dhe domatet e thata të prera në copa bashkë me pak spec djegës. Punojeni sërish masën dhe lëreni në frigorifer për 1 orë. Ndërkaq, grini fëstëkët në mikser.

Më masën e djathërave formoni toptha të vegjël dhe secilin kalojeni te fëstëkët e grirë, derisa të jenë mbuluar tërësisht. Lërini sërish në frigorifer për rreth 1 orë përpara se t’i konsumoni.

Tiramisu me fëstëk dhe çokollatë të bardhë 

foto15agotspistacchio

Përbërësit: Biskota savoiardi; 4 vezë; 180 gr sheqer; 500 gr maskarpone; një gotë qumësht të plotë; 100 gr fëstëk pa kripë; një gotë të vogël marasala; 50 gr krem fëstëkësh; 100 gr çokollatë të bardhë.

Përgatitja: Grini fëstëkët në një mikser dhe lërini mënjanë. Ndani të verdhat nga të bardhat e vezëve. Në një enë, me ndihmën e rrahëses elektrike rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin, derisa të përftoni një masë kremoze. Shtoni aty maskarponen dhe kremin e fëstëkëve dhe përziejini ngadalë.

Në një tjetër enë rrihini të bardhat e vezëve, derisa të marrin trajtën e një shkume kremoze. Shtojani masën kremit me maskarponen dhe vazhdoni të përzieni nga lartë-poshtë, duke u përpjekur të mos ulni volumin e masës. Në fund, shtoni gjysmën e fëstëkëve të grirë. Bashkoni në një enë qumështin me marasalën dhe përziejini.

Zhysni në to biskotat savoiardi dhe kalojini ose nëpër gota, ose në një tavë, sipas dëshirës. Në të dyja rastet, shtresa tjetër do të jetë ajo e kremit, për t’u përsëritur sërish me një tjetër shtresë biskotash dhe kremi. Mbylleni me një shtresë çokollate të bardhë të shkrirë dhe një sasi fëstëkësh të grirë në çdo gotë.

Krem fëstëkësh

crema al pistacchio

Përbërësit: 300 gr fëstëk pa kripë; 200 ml ujë; 70 gr sheqer.

Përgatitja: Rasti i përgatitjes së salcave është mjaft i thjeshtë, pasi mjafton të kaloni të gjithë përbërësit në mikser, derisa të përftoni një masë kremoze, të cilën, në këtë rast, mund ta përdorni për përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme me shije fëstëkësh. Mund ta ruani në frigorifer për disa ditë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura