Rebuset e Kryeprokurorit

Dec 15, 2017 | 11:13
SHPËRNDAJE

mentor nazarkoMENTOR NAZARKO

Çështja e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm është duke përthithur vëmendjen më të madhe të debatit politik në vend. Dhe jo pa të drejtë, meqë këtu kemi të bëjmë me fillimin e punës së një prokurori, i cili ndonëse me mandat të kufizuar, do të duhet të udhëheqë procesin e spastrimit të prokurorëve, gjyqtarëve, me një fjalë të të gjithë sistemit të drejtësisë në vend. Prej vezës do të shkohet te pula dhe e anasjellta. Ja pse kjo ngjall lemeri, jo vetëm te zyrtarët e sistemit të drejtësisë, por edhe tek ata njerëz që ishin të papërshkueshëm, mu për shkak të garancive që kishin nga një pjesë e korruptuar e sistemit të drejtësisë.

Në këtë dritë duhet parë edhe rezistenca e një pjese të klasës politike në vend dhe frymës pllakosëse të një skepticizmi të pakuptimtë mbi zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Por le të shikojmë më parë planin juridik, kushtetues të çështjes Ka disa konsiderata që duhet të mbarështrohen në këtë çështje: Edhe te përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare mbretëron mendimi se Prokurori i Përgjithshëm, në kushtet kur ende nuk është formuar Këshilli i Lartë Prokurorial, duhet të zgjidhet nga Parlamenti shqiptar.

Procedura e zgjedhjes së tij duhet të jetë e ngjashme me atë që parashikon ligji për zgjedhjen e një prokurori, miratuar në zbatim të reformës në drejtësi. Secili nga kandidatët duhet të dëshmojë se i plotëson kriteret e parapara nga ligji, duke filluar nga figura e lartë morale, profesionalizmi e deri te biografia e të qenët në rregull me ligjin.

Dhe kjo përpjekje vazhdon të mbetet në krye të përkushtimit të ambasadorit amerikan në vendin tonë, i cili këtë çështje nuk e ndjeson thjesht si një triumf personal, por si një investim largvajtës amerikan që do ta vërë Shqipërinë në binarët e një shteti të mirëfilltë. Ja pse ai zgjodhi një aktivitet për të thënë se mandati i prokurorit ekzistues ka përfunduar dhe, së dyti, se faktori perëndimor qëndron prapa zgjedhjes me konsensus të Prokurorit të Përgjithshëm me fuqi të përkohshme. Kundër procedurës aktuale të zgjedhjes së prokurorit janë rreshtuar opozita e Lulzim Bashës, LSI, por edhe Presidenti Ilir Meta, i cili sigurisht s’e pëlqen që mospajtimin ta thotë në mënyrë jopublike.

OPOZITA KA TË DREJTË. POR…

E vërteta është se nga një lexim tërësor i Kushtetutës së përditësuar, në bazë të parimeve të së drejtës kushtetuese, prokurori do të duhej të zgjidhej nga Këshilli i Lartë Prokurorial. Dhe në këtë pikë, opozita ka të drejtë. Por, duhet pasur parasysh se jemi në kushtet e një boshllëku institucional, dhe kjo shtrëngon rrethanat për zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm. Dhe në këtë kontekst vjen ftesa e shefit të Qeverisë që zgjedhja të mos bëhet vetëm me një shumicë të thjeshtë votash të partisë së tij, por në bashkëpunim me PD-në, opozitën më të madhe.

Në ofertën e zotit Rama mund të lexohet edhe ekzigjenca nacionale e vendit, ku në prag të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE kërkohet një klimë konsensuale. Po ashtu, i bindur se lëshimet i sjellin fuqi shtesë, si në rastin e marrëveshjes parazgjedhore, ai kërkon të konsolidojë pushtetin e tij edhe nëpërmjet ndarjes së pushtetit, nga bashkëpunimi me Partinë Demokratike.

Nga ana tjetër, frika e opozitës është që kryeministri, pavarësisht mënyrës së zgjedhjes, ka të gjitha mundësitë që ta shtjerë në duart e tij prokurorin. Dhe kjo sipas saj ndodh kur po hetohet çështja Tahiri, por dhe mund të fillohen hetime për keqbërje të opozitës dikur në pushtet. Në sjelljen e opozitës ka ndërkohë dhe diçka paradoksale: ajo heziton për kompromis kur zgjedhjet kanë mbaruar dhe ka kohë për të rikuperuar në imazh, ndërsa pranoi një marrëveshje, ndonëse i jepte përkohësisht gjysmën e pushtetit, mu në prag të zgjedhjeve.

A është faji te pranimi i kompromisit me Ramën, në përgjithësi, apo ku? Në secilën koniunkturë kjo frikë është reale, por zgjidhja nuk është te refuzimi i kompromisit. Pse vallë, po të vijë prokurori nga Këshilli i Lartë Prokurorial, nuk qenkan mundësitë që ai të bjerë në kontrollin e Ramës?

PROBLEMI TJETËR

Një cen i vërejtshëm është që nismëtarët e reformës kanë bërë gabim në hapa, mu për faktin që nuk është krijuar Këshilli i Lartë Prokurorial. Kjo i jep dritën e gjelbër Partisë Demokratike që të ankohet në Gjykatën Kushtetuese ose të ankohet edhe te ndërkombëtarët. Dhe kjo zgjidhje do të mund ta vononte zgjedhjen e prokurorit. Paradoksi është se tani është PD-ja që flet në emër të reformës në drejtësi, nevojës për vetting, etj.: prokurori i përkohshëm nuk do të jetë “i pastruar paraprakisht”.

Një tjetër mundësi do të ishin edhe protestat, që do të mund ta parandalonin në rast të një ujdisjeje mes PD-së dhe LSI-së, por e kam të vështirë të besoj në një skenar të tillë, aq më tepër për faktin se opozita nuk është në pozicion që të diktojë termat e saj. Mbetet të shihet nëse do të kryejë punë ankimimi në Kushtetuese apo palët do të sheshojnë diferencat dhe do të arrijnë një ujdi.

konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura