Realizmi socialist, ekspozohen 96 vepra në Kosovë

Dec 22, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

Partizanë sypatrembur, punëtorë të nxirë nga dielli, një entuziazëm masiv për ndërtimin e socializmit… Një realitet i lustruar, tek i cili shpesh nuk besonin as vetë autorët. Këto janë disa nga shabllonet që impononte në artin shqiptar realizmi socialist deri 25 vjet më parë. Një periudhë që ia la vendin lirisë për të eksperimentuar e për të ndjekur rrymat e lëvizjet botërore.

“Betimi i partizanit”, 1978, vepër e piktorit Fatmir Thaçi
“Betimi i partizanit”, 1978, vepër e piktorit Fatmir Thaçi

E megjithatë, nuk mund të mohohet se ky lloj arti vazhdon të ngjallë shumë interes, sidomos për publikun e huaj. Jo më pak e interesuar për ta njohur është edhe gjysma tjetër e Shqipërisë, Kosova, e cila e shkëputur nga trungu mëmë, nuk e ka kaluar këtë fazë në rrugëtimin e saj artistik. Duke iu përgjigjur këtij interesi, por edhe si pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, Galeria Kombëtare e Arteve hap nesër në Prishtinë ekspozitën “Realizmi Socialist Shqiptar në GKK”.

Një ekspozitë e kuruar nga drejtori i GKA-së, Artan Shabani, e cila prezanton 96 punime nga fondi i GKA-së, të 53 artistëve të njohur shqiptarë, krijimtaria e të cilëve u zhvillua deri në fund të viteve ‘90.

Edhe pse ekspozita i kushtohet kryesisht realizimit socialist, siç dëshmon edhe titulli i saj, kuratori Shabani ka menduar që rrëfimin figurativ të kësaj ekspozite ta nisë pikërisht me Simon Rrotën (ditëlindja 1887), i cili renditet ndër piktorët e parë shqiptarë. Për të vijuar më tej me emra shumë të njohur për publikun shqiptar të Kosovës si: Abdurrahim Buza, Agim Zajmi, Bujar Zajmi, Danish Jukni, Edison Gjergo, Ismail Lulani, Janaq Paço, Vilson Kilica, Muntaz Dhrami, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Skënder Kamberi, Guri Madhi, Gazmend Leka, por edhe nga emra më pak të njohur si Bajram Mata, Fatmir Biba, Dhimitër Theodhori, Vjollca Gavoçi, Zanfira Heta, Shpëtim Arapi etj.

Dalja e këtyre veprave jashtë territorit të Shqipërisë u vendos në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit, lëvizja e veprave lejohet brenda periudhës 15 dhjetor 2015, deri më 1 shkurt 2016.

Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për lëvizjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

GKA është përgjegjëse për shoqërimin dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës, ndërsa Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve. Sipas konceptit kuratorial “mjedisi figurativ i kësaj ekspozite është formuar nga procesi krijues i artistëve gjatë periudhës dhe sipas metodës së realizmit socialist.

Një mjedis i tillë mbijetoi gjatë në Shqipëri, sepse metoda e realizmit socialist u përhap vrullshëm nga Bashkimi Sovjetik në të gjitha vendet e kampit socialist, por ekspozita “Realizmi Socialist Shqiptar në GKK” do të evidentojë një mjedis unik të kësaj periudhe në artin pamor shqiptar.

Ai kishte si themel metodën e lartpërmendur, por frymën unike ia dhanë artistët shqiptarë, individualiteti i secilit në formë, ishte shumë i dukshëm dhe pasqyrohej në konkurrencë nga ekspozita në ekspozitë”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, deri më 30 janar 2016.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura