Realizmi si poezi ngjyrash në veprat e Nexhmedin Zajmit! Artisti trebishjan që solli i pari në Shqipëri artin italian

Mar 4, 2021 | 15:32
SHPËRNDAJE

Oltsen Gripsh11PH.D. OLTSEN GRIPSHI/ Historia e pikturës shqiptare është relativisht e shkurtër, por rrugëtimi i saj u formësua nga artistë të rëndësishëm për pikturën tonë kombëtare. Një ndër emrat kryesorë të saj ishte edhe Nexhmedin Zajmi.

Një piktor, i cili nëpërmjet ngjyrës me të cilën ai pikturoi subjektet e tij, lëvroi disa gjini të ndryshme artistike, si portreti, kompozimet figurale, peizazhi dhe natyra e qetë. Kur vërejmë portretet e pikturuara nga Zajmi, arti i tij është i krahasueshëm me atë të pikturës italiane. Stil artistik, i cili ngërthen bashkë dy periudha artistike; gjysmëbustet me një kompozim në tre të katërtën në profil për analogji me portretet e periudhës së Rilindjes italiane, ku sytë e personit të portretizuar shikojnë drejt te publiku. Një mënyrë kjo që i bën portretet e Zajmit ftues për një bashkëbisedim, një dialog midis veprës dhe publikut.

Ndërsa mënyra se si piktori Zajmi e trajton dhe materializon jo vetëm zhanrin e portretit, por të gjitha subjektet e tij ngjasojnë me një tjetër stil të pikturës italiane të njohur si “Maçhiaioli”. Ndër veprat më të arrira artistikisht në zhanrin e portretit janë “Nëna labe”, “Vajza nga Dardha”, “Zadrimorja”, “Bajram Curri”, “Malsorja” dhe “Malsori”, “Delegati” etj. Piktori Nexhmedin Zajmi ka trajtuar me shumë finesë dhe mjeshtëri zhanrin e tablove kompozicionale me tema të larmishme, ku në veprat “Tregim nga Lufta”, “Prita partizane”, “Diga e Drinit”, ai demonstron një aftësi të jashtëzakonshme si vizatues i përpiktë i figurës njerëzore, mbajtjes në harmoni tonale të të gjithë skenës narrative dhe për më tepër, duket sikur personazhet e pikturuara janë të gjalla.

Kjo falë larmisë së lëvizjeve dhe shprehive të figurave brenda hapësirës kompozicionale, ku piktori kërkon të përcjellë jo vetëm një copëz historie të shkëputur nga realiteti i asokohe, por dhe një “shkollë” në mënyrën se si ai pikturon, trajton mimikat shprehëse të portreteve. Natyra e qetë na njeh me një tjetër përmasë të piktorit Zajmi.

Një zhanër artistik, i cili është trajtuar shpeshherë nga piktori, duke evidentuar në mënyrë të tërthortë temperamentin e tij prej një personi të qetë e fjalëpakë. Natyra e qetë, ashtu si portreti dhe kompozimet figurale, janë pikturuar plot dritë, saktësi në vizatim dhe padyshim në harmoni të plotë brenda hapësirës së kanavacës. Elemente këto të cilat janë huazuar nga piktori falë studimeve të tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë (1939-1944), ku sigurisht ndikimi nga arti italian mbetet i pranishëm në të gjithë krijimtarinë e Zajmit deri në fund.

Zajmi solli në Shqipëri pas rikthimit nga Roma një teknikë piktorike jo vetëm të përparuar, por dhe frymën e artit realist, e cila kishte një përparësi të veçantë në studimin për pikturë nëpër akademitë e arteve të Italisë së asokohe. Përpos gjinive që fola më lart, piktori shkëlqeu edhe në gjininë e peizazhit, që me gjuhën e tij realiste, e pasuroi edhe më shumë gjininë e peizazhit në pikturën shqiptare.

Ky piktor me origjinë nga periferia e Shqipërisë, Trebishti i largët, i ftohtë, por i pasur me tradita, i tejngopur me shumëllojshmëri ngjyrash, që ndjehet dhe përcillet nga artisti në peizazhet e para të tij të realizuara gjatë krijimtarisë së tij në vitet e studimit në Itali e pas kthimit në Shqipëri. Realizmi në peizazhet e Nexhmedin Zajmit vjen si kërkim artistik, duke hulumtuar terrene të ndryshme në pikturimin e peizazheve të tij, por sigurisht pa lënë në një anë dhe eksplorimin, gjallërimin e tavalocës plot ngjyra të forta, të cilat vibrojnë nga më të ftohtat deri te më të ngrohtat.

Ky artist nuk e sheh natyrën si origjinë të një kopjimi të drejtpërdrejtë, të thatë, pa emocion, duke krijuar një varësi të varfër me të, por ai qëndron përballë saj në një marrëdhënie superiore. Një marrëdhënie e cila vërehet në mënyrën se si ai e pikturon natyrën me shumë qetësi, gati-gati i rrëmben asaj bukurinë dhe shpirtin për t’i përjetësuar më pas mbi kanavacat e tij. Interpretimi artistikostilistikor me të cilin ky artist ndërton peizazhet e tij është një frymë artistike që i përket asaj të pikturës realiste, lindur dhe zhvilluar në Francë rreth viteve ’40 të shekullit XIX.

Një paraqitje sa reale, aq dhe e përpunuar në aspektin intelektual, aty ku realitetit të natyrës i vishet kostumi i mahnitshëm artistik. Kavaleti, tavaloca, penelat dhe ngjyrat e vajit të holluara me vajin e linit janë të gjitha instrumentet me të cilat Zajmi pikturon realitetin si burim frymëzimi. Artisti me natyrën duket sikur krijon një marrëveshje, e cila i mbanë përballë njëri-tjetrit, sepse Zajmi vërtet pikturon natyrën, por ai nuk shndërrohet asnjëherë në skllavin apo në shërbyesin e saj. Ai pikturon me sinqeritet dhe vërtetësi, duke mos anashkaluar poetikën e të treguarit realitetin me realizëm dhe në shërbim të së bukurës, duke e pasuruar atë me ndjenjat, emocionet dhe botën e tij.

Gjurma realiste, e cila udhëhoqi në tërësi pikturën e tij dhe në veçanti gjininë e peizazhit, solli në pikturën shqiptare vlera artistike të pakrahasueshme. Dashuria për të pikturuar dhe qëndruar pranë kavaletit dhe mes bojërave ishte aq e madhe saqë nuk mund të rrinte dot larg tyre, ndonëse në vitet e fundit kishte probleme me shikimin. Një gjurmë piktorike shumë origjinale, e cila gjen terren të përshtatshëm në pikturën shqiptare, duke shmangur tepricat në interpretimin e natyrës, i saktë, gati stilizues në trajtimin e peizazheve nëpërmjet një vizatimi, i cili shkrihet harmonishëm dhe i njëtrajtshëm me çdo gjë që ai shihte në natyrë.

Kjo mendësi e ka shtyrë pikturën e artistit trebishjan drejt stilit të pikturës realiste. Proces metabolik ku piktori Zajmi gjendet përballë, mes njohjes me natyrën dhe njohjes me vetveten që e shpien atë në një proces tjetër, në atë krijues. Peshë të rëndësishme në këtë proces krijues zënë masat e mëdha të ngjyrave, të pikturuara me shumë kujdes në një raport harmonik ngjyrash, ku elementi qenie nëpërmjet prezencës fizike dhe ndjesore të artistit si individ nuk mbeten të ndara njëra nga tjetra.

Peizazhe që tregojnë të shkuarën e kohës, të një epoke, të një Shqipërie tjetër, ku peneli endet të pikturojë me realizëm natyrën, por kurrsesi përsëritës i vetvetes. Një pikturë e cila në këndvështrimin dhe leximin tim estetiko-stilistik rifreskoi metodën e të pikturuarit në Shqipëri dhe qasjen ndaj natyrës. Natyra si motivi i krijimtarisë dhe natyra si motivi i identitetit me të cilën piktori Zajmi ndërtoi ura komunikimi brenda vetes si njeri dhe si artist, për ta përçuar më pas te të tjerët me veprat e tij, siç shprehet vetë artisti:

“Tabloja duhet të ketë vërtetësi dhe po i mungoi ajo, nuk kemi bërë art”. Një qasje ndaj natyrës dhe gjithçkaje të përfshirë në të, e cila e sjell pikturën e tij shumë pranë njerëzve të thjeshtë. Të thjeshtë si vetë ai dhe piktura që ai na la trashëgimi.

*Historian & kritik arti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura