Realiteti shqiptar dhe parimet e qeverisjes europiane

Feb 14, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

stefan pinguliSTEFAN PINGULI

Afro njëqind vjet më parë, Presidenti idealist  i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Udru Uillson (Woodrow Wilson), duke iu drejtuar popullit amerikan dhe mbarë njerë- zimit pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, deklaroi se “në demokraci, më të rëndësishme se vetë qeveria, janë parimet mbi të cilat ajo qeveris”.

Me këtë koncept shumë të avancuar, Uillsoni sintetizoi trashëgiminë e paraardhësve të vet, si dhe hodhi bazat e qeverisjes demokratike nacionale dhe globale. Uillsoni ndriçoi teorinë e paqes demokratike, si dhe i hapi rrugën në mënyrë shumë vizionare idealizmit, liberalizmit dhe institucionalizmit në rendet botërore që do të vinin. Askush pas tij nuk e arriti këtë vizion qeverisës.

Askush nuk i ka tejkaluar, edhe sot e kësaj dite, idetë e tij. Madje, edhe Europa e sotme nuk i ka tejkaluar vizionet uillsoniane. Parimet qeverisëse amerikane dhe ato europiane kanë një shtrat të përbashkët filozofik. Kështu, Xhorxh Uashingtoni, Linkolni, Uillsoni dhe Ruzvelti elaboruan tri kolonat mbi të cilat ngrihet qeverisja demokratike: qeveria e vogël, liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe ekonomia e tregut të lirë. “No money gorvenment” – pra “qeveri pa para” – thoshte Uashingtoni.

Ky ishte parimi i lartë. Nga ajo kohë, qeverisja e vogël ka ngelur principale në demokraci. Sikundër ngelet i patundur parimi që financat janë të qytetarëve dhe të biznesit. Qeveria vetëm krijon strategji për lehtësimin dhe mirëmenaxhimin e tyre. Asgjë më shumë. Qeveria nuk është pronare pasurish dhe parash. Ato i përkasin publikut. Pas Uashingtonit, Abraham Linkoln nxori ligjin kundër skllavërisë që e pagoi me gjakun e vet, por u hapi rrugë lirive njerëzore.

Uillsoni i ngriti parimet amerikane në nivele universale, duke krijuar Lidhjen e Kombeve. E mbas tij, Ruzvelti dhe pasuesit e tjerë në Shtëpinë e Bardhë elaboruan parimet e ekonomisë së tregut të lirë. Pra, në tërësinë e tyre, Etërit Themelues të SHBA-ve elaboruan dhe konsoliduan gjithnjë e më lart tri parimet e qeverisjes demokratike: qeverinë e vogël, liritë e të drejtat e individit dhe ekonominë e tregut të lirë. Bashkimi Europian sintetizoi vlerat e demokracisë amerikane pas Luftës së Dytë Botërore.

Traktati i Parisit (1951), Traktatet e Romës (1956), Traktati i Mastrihtit (1992) e deri te Traktati i Lisbonës (2007) ndriçuan dhe konsoliduan parimet e qeverisjes europiane. Këto parime ngrihen mbi partikularizmin politik dhe alternativizmin ideologjik. Këto parime janë prostpartikulare, pra janë ndriçuese për çdo qeveri në Europë dhe në shtetet europiane.

Këto parime janë postideologjike, pra janë pavarësisht alternativave të majta, të qendrës apo të djathta. Principet e qeverisjes ngrihen në çdo kohë mbi korrentet politike diversive dhe alternativat ideologjike në Europë. Po cilat janë këto parime të qeverisjes europiane? Këto parime u sanksionuan edhe një herë në Traktatin e Lisbonës (2007-2008).

Ato janë: legjitimiteti, transparenca, përgjegjshmëria dhe gjithëpërfshirja. Por çfarë duan të thonë këto parime? Së pari, legjitimiteti përmban pushtetin e deleguar drejtpërdrejt ose përmes përfaqë- simit nga sovrani. Në thelb, pushteti i përket popullit. Populli e ushtron këtë pushtet me votën e lirë dhe të ndershme.

Kjo votë mund të jetë e drejtpërdrejtë, pra referendare ose mund të jetë e përfaqësuar, nëpërmjet Parlamentit, si sovran i deleguar nga populli. Themeli i legjitimitetit është vota. Por, vota duhet të jetë e lirë dhe e ndershme. Nëse vota cenohet, liria gjymtohet dhe ndershmëria morale kërcënohet.

Pushteti i ngritur mbi një liri të cunguar e moral të kërcënuar është i paqëndrueshëm, sepse nuk është legjitim ose është pjesërisht i tillë. Në tranzicionin shqiptar legjitimiteti ka qenë gjithnjë i dyshimtë, i pjesshëm, i munguar në një masë të konsiderueshme. As nga brenda dhe as nga jashtë nuk kemi parë dhe dëgjuar vlerësimin e plotë “zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme”, por vetëm vlerësimin ambig… “zgjedhje më të avancuara se ato paraardhëset”(!) Ky legjitimitet i munguar ose i cunguar ka ulur dukshëm besimin te politika dhe institucionet e rrjedhura prej saj.

Rënia e besimit ka prekur marrëdhëniet midis njerëzve dhe politikës, midis shtetit dhe qytetarëve, si dhe midis biznesit dhe administratës qendrore e vendore. Rënia e besimit qëndron në themelin e të gjitha krizave me të cilat ballafaqohet Shqipëria dhe shqiptarët në kohën tonë. Së dyti, transparenca është parimi i lartë i qeverisjes demokratike, që do të thotë se idetë, politikat, partitë, kandidatët dhe financat duhet të jenë të hapura përpara opinionit publik.

Jo ide të errëta e manipulative, jo politika ambige e të paqarta, jo parti grupesh interesi, jo kandidatë që fshehin emrat, identitetet dhe krimet, jo financime të paqarta dhe të dyshimta elektorale apo mediatike. Transparenca lidhet jo vetëm me zgjedhjet, por edhe me qeverisjen në tërësi.

Çdo lek që paguhet nga qytetarët e bizneset, pra nga taksapaguesit, duhet të raportohet se si dhe ku shpenzohet nga qeveria, në çdo kohë, në çdo vend dhe për çdo gjë. Pa transparencë shteti e shoqëria zhyten në terr informativ.

Thyhet marrëdhënia e sinqertë shtet – qytetar, biznes – administratë publike. Rrënohet respekti politikë – popull. Rritet konfliktualiteti biznes – shtet. Vihet në dyshim integriteti moral. Shkatërrohen vlerat që dominohen nga korrupsioni e keqqeverisja.

Në tranzicionin shqiptar mund të themi që kemi jetuar në një periudhë të transparencës së munguar, ose të një transparence të pjesshme, në të katër pushtetet: ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor dhe në media.

Pra një shoqëri që jeton e zhytur në terr. Retorikat propagandistike dhe shpalosjet ekzibicioniste nuk zëvendësojnë assesi mungesën e transparencës, mungesa e së cilës ushqen korrupsionin real dhe atë perceptimor në opinionin publik dhe atë biznesor. Së treti, parimi i përgjegjshmërisë është kolonë themelore qeverisëse në demokracitë europiane. Përgjegjshmëria parakupton që idetë e hedhura, fjalët e thëna, premtimet e bëra, të respektohen si pjesë e përgjegjshmërisë përpara sovranit që të jep pushtetin dhe financat publike me votën e tij.

E nëse këto ide, fjalë e premtime nuk përmbushen ose shkelen, atëherë përgjegjshmëria funksionon nëpërmjet tërheqjes, dorëheqjes, ndëshkimit e dënimit përpara sovranit, votës dhe drejtësisë së tij. Në vitet e tranzicionit shqiptar, parimi i përgjegjshmërisë është përplasur fort me manovrën për transferimin e përgjegjësive për dështimet tek paraardhësit dhe arsyetimin me retorikë të mërzitshme prolikse dhe propagandë spekulative politiko – mediatike.

Papërgjegjshmëria ka arritur deri në absurdin më të shprehur. Për çdo dështim fajësohet e kaluara. Për çdo shkelje premtimi fajësohet populli dhe për çdo sfidë ekonomike fajësohen taksapagues, qytetarë apo biznesmenë. Vetëm pushtetarët e qeveritarët, që janë realisht shkaktarët e papërgjegjshmërisë, ngelen gjithnjë të pafajësuar. E pra, kultura e kultivuar e pandëshkueshmërisë për zyrtarë të lartë e ka bazën te mungesa e plotë e parimit të përgjegjshmërisë.

Së katërti, parimi i gjithëpërfshirjes ose i bazës së gjerë demokratike vendimmarrëse – i lashtë sa demokracia. Ky parim buron nga natyra e vetë demokracisë, e cila e ka bazën e pushtetit në votën e lirë e të ndershme qytetare. Ashtu sikundër pushteti vjen me gjithëpërfshirje vote popullore, ashtu edhe vendimet e marra më pas nga ky pushtet duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Nëse ligjet e vendimet nuk janë gjithëpërfshirëse, baza e tyre është e ngushtë. Pra piramida është kokëposhtë.

Këto lloj ligjesh kanë pak mundësi të zbatohen. Nëse ligjet e vendimet janë gjithëpërfshirëse, atëherë baza është e gjerë. Pra piramida ka themele të gjëra. Këto lloj ligjesh kanë shanset më të mëdha për t’u zbatuar. Në tranzicionin shqiptar ka munguar dukshëm kultura e gjithëpërfshirjes. Atë e ka zëvendësuar dhunshëm antikultura e bojkotit, e injorimit dhe e përjashtimit. Politikisht kjo antikulturë ka prodhuar polarizimin dhe konfrontimin permanent.

Edhe në rastin ekonomik rrallë e zero kemi parë që ligjet e vendimet të dalin nga ekzistenca dhe funksionimi i trojkës së madhe: qeveri – punëmarrës – punëdhënës. Këtu e kanë bazën ndryshimet e paqëndrueshmëritë e politikave fiskale, tatimore dhe në përgjithësi, moszbatimi i ligjit dhe i rregullativit në Shqipëri. Katër parimet e sipërpërmendura, legjitimiteti, transparenca, përgjegjshmëria dhe gjithëpërfshirja i tejkalojnë alternativat ideologjike, politikat partiake, diferencat programore të mandateve qeveritare.

Ato ngrihen mbi çdo ideologji, partikularizëm, politikë dhe qeveri. Nëse tranzicioni shqiptar vijon të mbetet i tejzgjatur, kaotik dhe i paqartë në ardhmërinë e tij, rrënjët duhen kërkuar dhe gjetur pikërisht te mungesa e theksuar e njohjes dhe e respektimit të kë- tyre parimeve madhore të qeverisjes europiane.

* President i fondacionit “Illyricum Sacrum”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura